Sot e nesër provimi pranues në UP

Prishtinë – Ata të rinj që kanë mbaruar maturën dhe kanë konkurruar për marrjen e indeksit të Univeristetit të Prishtinës, sot e nesër do të provojnë njohuritë nëpër fakultetet ku është paraparë ky kusht. Numri i tyre s’është i vogël, por as ai që duhet të pranohet. Në fakultetet e Universitetit ” Hasan Prishtina” për vitin e parë janë të hapura 12 mijë vende.
Provimi pranues për shumicën e fakulteteve ka filluar në orën nëntë ndërkaq, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në orën 11:00. Nesër nga ora nëntë nis provimi pranues në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin Ekonomik. Ndërkohë më 30 korrik do të bëhet publikimi i rezultateve, kurse një ditë më vonë bëhet pranimi i ankesave, të cilat do t’i shqyrtojë një komision i kryesuar nga rektori.
Më 5 gusht do të publikohen listat sipas ankesave, kurse nga 2 deri më 6 shtator do të bëhet regjistrimi i studentëve për afatin e parë, me orar të caktuar për fakultetet përkatëse.