UBT

Soni Malaj – “E vogla” e hiteve të dikurshme, sot një “E madhe” në rrethin e artistëve të suksesshëm: Nuk jam larguar kurrë nga skena

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Ndërsa jemi thuajse drejt fundit të horizontit të këtij viti, 2023 na solli në skenë përsëri një artiste të palodhur që e ka nisur vitin ashtu siç dëshiron ta vijojë: duke kënduar.

Midis këngëve që sjellin energji dhe baladave që prekin shpirtin, kjo artiste ka zbuluar se çdo këngë është një rrëfim që ajo dëshiron ta ndajë me të gjithë.

Performanca e saj jehonë jo vetëm në skenat vendase, por edhe në zemrat e diasporës shqiptare, të cilët i pret një koncert gala në Amerikë pas dy vitesh pritje.

Në një intervistë për Telegrafin, këngëtarja Soni Malaj reflekton mbi rëndësinë e baladave në repertorin e saj, përmend performancën e saj të dashur si një pikë kthese në karrierë, dhe zbulon si ka menaxhuar të qenurit njëkohësisht nënë e artiste e suksesshme – duke gjetur një ekuilibër të artë midis skenës dhe jetës personale.

“Viti 2023 që në orët e para, më ka zënë duke kënduar. Kam qenë në një mbrëmje muzikore për mbylljen e 2022-ish dhe për të pritur gëzuar 2023-in dhe kështu ka vazhduar i gjithë viti me projekte. Në koncerte kam pasur pikat kulmore të vitit, siç ishte edhe performanca ime në Itali. Bashkëpunime, këngë, kështu…shpresoj edhe 2024-ta të vazhdojë me po të njëjtën dinamikë, ndoshta edhe më tepër”, tha Soni për Telegrafin.

E duket se me të njëjtin intensitet me të cilin ajo e nisi këtë vit, Malaj do të vazhdojë edhe për vitin tjetër.

“Mund të them që do jemi afër publikut shqiptar në diasporë, edhe në Amerikë. Është një koncert i madh gala nga shqiptarët, që në fakt kanë dy vite që përpiqem të shkoj, por këto çështje teknike të vizave nuk e kanë bërë të mundur pjesëmarrjen time për bashkatdhetarët atje, kështu që këtë vit do jemi atje, do kemi performancë të gjatë”, tha këngëtarja.

Soni është veçanërisht e njohur për baladat e saj, ku ajo shpreh emocione të thella dhe krijon një lidhje të fuqishme me dëgjuesin. Një ndër baladat që e ka bërë atë të dallohet në tregun muzikor është kënga “Ndarja”. Kjo këngë ka prekur zemrat e shumë njerëzve, falë melodisë së saj të prekshme dhe tekstit që trajton një temë universale – dhimbjen e ndarjes dhe humbjes.

UBT

“Balada është një lloj gjinie muzikore që nuk është kaq e kollajtë për të formuar, nuk do të thotë që është ritmikisht e lehtë, dhe ajo është balada. Balada është e ndërtuar muzikalisht shumë herë më bukur sesa një këngë ritmike, kënga ritmike të sjell atë energji për të kërcyer, domethënë të jep një tjetër ndjenjë. Ndërkohë që balada është ndryshe dhe nuk është se kam gjetur një baladë që të jetë në nivelin e baladave të mia, kështu që deri sa të gjej atë të duhurën, kam balada plotë që mund ta dëgjoj publiku. Balada ‘Ndarja’ është një ndër kulmet e muzikës, e karrierës time. Është një këngë jashtëzakonisht shumë e dashur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërie kudo ku e kam kënduar, e këndojnë të gjithë njerëzt, ky është satisfakcioni më i madh, sepse këto kompeticionet ndonjëherë edhe harrohen shumë shpejt. Por, ja që mbahet mend kjo që s’ka fituar në Top Fest 3”, tha artistja për Telegrafin.

Megjithatë, po ta pyesësh për këngën e saj të preferuar në karrierë, ashtu si edhe vet gishtat e dorës, Soni nuk mund të thotë për një këngë në veçanti.

“Jo se kam një të preferuar, ka disa këngë që mua….domethënë, edhe kur e performoj në skenë, edhe ndjehet që unë këtë e kam pak më me qejf se të tjerat, për shembull. Por në koncertin tim të fundit, në sheshin ‘Skënderbej’ kënga ‘Më e fortë’ është ajo që edhe e hap koncertin, edhe e krijon një lloj adrenaline, është pak edhe ritmikisht e rëndë. Si këngë, edhe mesazhi që përcjell, edhe melodia që ka një ndërthurje ndërmjet asaj që është në formën e baladës, por edhe asaj ritmike, kështu që kjo ka qenë edhe konkurruese në Festivalin e Madh. Është ndër këngët e mia të preferuara, që e preferoj shumë në fakt”, tha ajo.

Të qenurit një nënë e përkushtuar dhe artiste në të njëjtën kohë është një balanc shumë i vështirë, por megjithatë këngëtarja me origjinë nga Tropoja ia ka dalë mjaft mirë që të ruajë ekuilibrin.

“Zoti më ka bekuar me shumë të mira, gjë që unë i them faleminderit çdo ditë. Është lumturi më e madhe që jam nënë e një vajze të mrekullueshme, kam një familje të mrekullueshme. I kam shumë afër dhe njerëz të mi të rrethit. Kështu që, çdo sfidë ndoshta ose mërzitje, le të themi, i kam përballuar me ta dhe kjo është gjëja e bukur, shumë shumë e vështirë. E shikoj që tani këto artistet e reja që janë bërë nëna, ose presin të bëhen nëna, po më kuptojnë shumë mirë. Sepse e thonin ‘Oh, pse u largua Soni’. Në të vërtetë, unë s’jam larguar asnjëherë nga skena. Gjithmonë thjesht kam bërë një ndërrim le të themi, jo në koncerte, por kam qenë në jurinë e ‘X Factor’ për dy sezone, gjë që ka qenë diçka shumë prestigjioze, jo vetëm për mua, por vetë patenta e ‘X Factor’ kur je në juri, që do e gjykosh dhe do ta japësh eksperiencën tënde shumëvjeçare, është shumë e vlerësuar, pastaj kam qenë në ‘Dancing With The Stars’ që e kam fituar”, tha këngëtarja e hitit “E vogla”.

E për fund, ajo pati një mesazh motivues për të gjithë ndjekësit e muzikës së saj, duke i bërë thirrje që familja të jetë në rend të parë për secilin.

“Motivimi më i madh është të besojnë njëherë në Zot dhe të besojnë në familjen dhe ta duan shumë familjen e tyre, këto janë dy gjëra, pastaj të tjera për motivime mund të lexojnë ka thënie motivuese sa të duash, besoni në vetvete. Por mua gjëja e parë është besimi në Zot dhe të mbajnë familjen fort”, përfundoi Soni Malaj. /Telegrafi/