“Snajperisti” Meha, paralajmëron edhe shumë gola

U desh që të priste 28 vite për ta realizuar ëndrrën e tij, të luajë në elitën e futbollit gjerman. E jo që realizoi ëndrrën e tij për të luajtur, por qysh në ndeshjen e parë si titullar arriti edhe të ‘bombardojë’ portën kundërshtare, duke shënuar gol nga distanca në takim me Hertha Berlinin.
Në një intervistë për gazetën Arena, Meha foli për golin e shënuar, rikthimin nga lëndimi, të ardhmen e tij me Paderbornin, si dhe gjasat që kjo skuadër të qëndrojë në elitën e futbollit gjerman. Meha ka folur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, vendimin që mori UEFA pas asaj që ndodhi në Beograd si dhe mundësinë që kuqezinjtë kanë për të arritur në Kampionatin Evropian ‘Francë 2016’.
Alban, luajtët edhe ndeshjen e parë në Bundesligë si titullar. E dinit se do ta nisni takimin?
Erdhi edhe ndeshja e parë si titullar dhe u gëzova shumë. Tri ditë para ndeshjes më ka lajmëruar trajneri që do të jem titullar, dhe për këtë jam ndjerë shumë mirë. E prita rastin tim dhe luajta një ndeshje të mirë.
Dhe menjëherë erdhi goli i parë.
Jam mësuar të shënoj kësi gola edhe në Bundesliga 2, dhe u ndjeva shumë i lumtur me golin e shënuar. Shpresoj që tani e tutje të shënoj edhe më shumë, edhe në Bundesliga 1, ashtu siç bëra vitin e kaluar. Sa i përket golit, ishte fillimisht aksion i mirë, dhe kur mu rikthye topi nga shoku i skuadrës, mendova që të pasoj përsëri për ndonjë bashkëlojtar tjetër, por kur e pashë që nuk ishte asnjë i lirë, vendosa të godas dhe shkoi direkt në gol. Edhe pse u gëzova shumë për golin, e rëndësishme ishte që fituam.
A ishte goli i djeshëm (e diel), paralajmërim se do të ketë edhe të tjerë?
Natyrisht, shpresoj që së pari të jem shëndosh e mirë dhe pastaj golat besoj se do të vijnë. Këtë vit synoj të shënoj edhe më shumë se vitin e kaluar, pasi në Bundesligë skuadrat luajnë futboll ofensivë dhe nuk tentojnë të mbrohen e të zhagisin lojën. Besoj se do të shënoj edhe gola të tjerë.
Pasi kaluat lëndimin tani a shpresoni të luani më shumë si titullar?
Pasi u riktheva nga lëndimi, trajneri nuk më aktivizonte si titullar, pasi ekipi luante shumë mirë dhe natyrisht që nuk duhej të bënin ndryshime. Tani jam mirë dhe besoj që kjo lojë do të më ndihmojë të vazhdoj të luaj si titullar.
Paderborni e filloi mirë këtë edicion në elitën e futbollit gjerman. Deri ku mund të arrini?
Kur hymë në Bundesligë, të gjithë kanë menduar se jemi autsajder, por ne treguam futboll të mirë. Vetëm në ndeshje ndaj Bayernit kemi pësuar më shumë gola, pasi ndaj tjerave edhe pse kemi humbur kemi luajtur shumë mirë. Kemi grumbulluar 15 pikë dhe kemi pasur një stinor fantastik deri më tani, edhe pse ende është herët.
Besoni pra se do të mbeteni në Bundesligë?
Është ende herët, por nëse vazhdojmë të luajmë kështu nuk besoj që do të biem. Kemi një ekip shumë të mirë, lojtarë të cilët luajnë me përkushtim të madh dhe kjo na bënë të besojmë që do të mbetemi në ligë.
A jeni këndellur pas asaj që ndodhi në Beograd?
Me të vërtet ajo që ndodhi ishte e tmerrshme, por duhet të vazhdojmë tutje. Deri para disa ditëve kemi qenë në pritje të vendimit se kujt do t’i takojnë pikët dhe të them të drejtën më ka ardhur shumë inat për atë vendim që ia dhuruan atyre pikët.
Pas kësaj?
Mendoj që duhet ta harrojmë atë çfarë ndodhi dhe atë vendim të UEFA-s, për të vazhduar tutje me Kombëtaren e Shqipërisë.
Sa ka gjasa Shqipëria që të kualifikohet për në Kampionatin Evropian ‘Francë 2016’?
Edhe Shqipërinë të gjithë e shohin si Paderbornin, një skuadër jo favorite, por që ne i kemi demantuar. Ndaj Danimarkës kemi luajtur lojë shumë të mirë dhe kështu duhet të vazhdojmë. Ka lojtarë shumë të mirë Kombëtarja, dhe me rikthimin e Migjen Bashës, Valdet Ramës e lojtarëve të tjerë të lënduar, do të jemi edhe më të fortë. Kemi gjasa të mira për t’u kualifikuar dhe shpresojmë që në fund ta bëjmë realitet ëndrrën për të luajtur në një Kampionat Evropian.