Fundamenti

S’mund të lejohet një gjendje gjysmë lufte në Kosovë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

“Nuk mund të lejohet kjo gjendje, praktikisht, gjysmë-lufte në kufirin me Kosovën. Kjo i bën dëm edhe Serbisë dhe Kosovës”, thotë Stipe Mesiq, ish president i Kroacisë, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

REL: Ju nuk keni mbajt sekret asnjëherë idenë e Kosovës së pavarur. Cili ishte motivi kryesor i qëndrimit Tuaj?

Mesiq: Kur Jugosllavia humbi faktorët integral – e ata ishin Tito me karizmën e tij, Lidhja e Komunistëve si organizata e vetme politike dhe Armata Popullore e Jugosllavisë e cila dëgjonte Titon dhe partinë – është dashur që të vije deri te një marrëveshje politike.

E kjo do të thotë që të kërkohet një model i ri: unë kam propozuar një konfederatë për një afat të caktuar, tri deri në pesë vjet, të cilën do ta rishikonim – nëse kjo do të funksiononte atëherë mund të qëndronte konfederata si zgjidhje, kurse nëse nuk funksionon – atëherë secili vazhdonte rrugën vet, dhe pa luftëra.

Në një situatë të tillë edhe Kosova mund të pavarësohej, si të gjitha elementet tjera të ish – Jugosllavisë. Por fatkeqësisht, Millosheviqi nuk pranoi këtë ofertë, sepse dëshironte që të krijojë ‘Serbinë e Madhe’.

Ai nisi luftërat – luftën e shkurtër në Slloveni, luftën në Kroaci, luftën në Bosnje e Hercegovinë, i cili ishte brutal, dhe në fund luftën në Kosovë. Marrë parasysh se Kosova nuk ka pasur të drejtën që të deklarohet, në kohën kur ishte brutalisht e sulmuar nga ushtria, ajo siguroi pavarësinë e saj. Megjithatë, Serbia nuk duhet të njeh Kosovën, si dikur Gjermania Perëndimore që nuk njihte Gjermaninë Lindore, por duhet t’ua lejojë të tjerëve që të bashkëpunojnë me Kosovën.

REL: Pikërisht ju, para disa viteve, keni dalë me propozimin për zgjidhjen e raporteve të Serbisë me Kosovën, sipas modelit të dy Gjermanive, në kohën e Luftës së Ftohtë. Si është e mundur që bashkësia ndërkombëtare, tani së fundi po e sheh këtë propozim tuajin si zgjidhje të qëndrueshme?

Uji Dea

Mesiq: Unë nuk e di se përse është pritur kaq gjatë, kur ishte e qartë se njëlloj bashkësie e re mes Kosovës dhe Serbisë, më nuk është e mundur. Bashkësia ndërkombëtare është dashur që të bëjë gjithçka që Kosova të realizojë sa më shpejt pavarësinë e saj, kurse Serbia nuk do të duhej ta njihte Kosovën, dhe gjërat do të funksiononin.

Por, ne në këtë rajon duhet të bashkëpunojmë, pavarësisht nëse Serbia ka njohur apo jo Kosovën. Ne duhet të bashkëpunojmë, kurse populli i Kosovës duhet të ketë mundësinë e lëvizjes së lirë, të mallit dhe kapitalit. Kosova mund të funksionojë vetëm atëherë kur ka në dispozicion resurset e saj, dhe është e barabartë me vendet e tjera të pavarura. Kosova ka resurse, por nëse ajo mbahet e mbyllur, dhe populli i Kosovës nuk mund të udhëtojë jashtë, atëherë Kosova është e dënuar në dështim!

REL: A keni pritur që qeveria në Beograd, pavarësisht garniturës politike në pushtet – aq gjatë dhe aq intensivisht do të arrinin që të eksploatojnë me sukses temën e Kosovës, për nevojat e tyre të brendshme politike?

Mesiq: Serbia, një masë të madhe, është peng i vetvetes për shkak të kësaj politike të gabuar, por unë kam menduar që një politikë, e cila fiton në zgjedhje atje, do të ketë fuqinë dhe të shkojë drejt zgjidhjes – jo në kuptimin e njohjes së Kosovës, por në kuptimin e funksionimit të vet Serbisë dhe funksionimit të Kosovës.

Pra, që në një mënyrë të mundësohet zhvillimi i Kosovës, dhe që Serbia të jetë e lirë nga Kosova si nga Shpata e Damoklit, e cila u rri mbi qafë. Serbia nuk mund të zgjidh problemin, duke thënë: ‘Nuk e njohim Kosovën!’ Mirë, nuk e njohin Kosovën, por kjo nuk do të thotë se në Kosovë mund të ekzistojnë strukturat paralele të qeverisë së Serbisë, kjo nuk do të thotë se pjesa veriore e Kosovës mund të jetë nën ingerencat e institucioneve serbe…

Kjo paraqet edhe një rrezik që nesër, edhe në jug të Serbisë, në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, ku shumica e banorëve janë shqiptarë, të vijë deri te kërkesa për bashkim me Kosovën. Nëse në njërën anë po dëshironi që të fitoni Kosovën, atëherë në anën tjetër do të kërkohet edhe ndarja e territorit në jug të Serbisë, dhe kjo nënkupton luftë të re.

Prandaj, është në qeveritarët serbë që ta zgjidhin këtë çështje, por me masa radikale! Nuk mund të lejohet kjo gjendje, praktikisht, gjysmë-lufte në kufirin me Kosovën. Kjo i bën dëm edhe Serbisë dhe Kosovës. /REL/