ARKATANA

SMS i Qemajlit për Kryeministrin

/ 17 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Avni Rudaku – Ky sondazh flet për ankthin e dy kandidatëve karshi nominimit dhe emërimit nga kryeministri Hashim Thaçi: Qemajl Mustafës dhe Zenun Pajazitit. Gjersa Pajaziti është emëruar kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, rrjedhimisht është nënkuptuar se do të jetë edhe kandidat për kryetar komune, ndërsa Qemajl Mustafa teksa nuk u bë kryetar dege në Gjilan, pret që të bëhet kandidat i sërishëm për kryetar komune. Emrat e tjerë si Izmi Zeka, Nijazi Idrizi, nuk janë më si kandidatura potenciale.

Sondazhet janë testime empirike të mostrave të respodentëve për të matur qëndrime të ndryshme të opinionit publik rreth temave të llojllojshme. Këto sondazhe në kohë fushatash, janë sondazhe të cilat janë me nivel të ulët të besueshmërisë, ku vetëm palët e dalura si fituese, e përkrahin atë.

Zakonisht sondazhet të cilat e vënë partinë në pushtet si parti fituese, janë shumë pak të besueshme, ngase konsiderohen si krijime përforcimesh nga mungesa e mbështetjes në terren, prandaj, sondazhet instrumentalizohen si përpjekje për të kompensuar mbështetjen reale në terren dhe për të mbuluar zhgënjimin qytetar rreth qeverisjes aktuale.

Sondazhet u shërbejnë shpesh edhe medieve, portaleve dhe gazetave elektronike, të cilat rrisin lexueshmërinë dhe klikimet, duke prekur tema të cilët ngacmojnë elektoratin e subjekteve të ndryshme politike. Sondazhet shërbejnë edhe si plotësim të programit mediatik, me tema që zgjojnë vëmendjen e publikut.

Pse sondazhi i fundit e bëri Qemajl Mustafën, kryetarin më të votuar karshi kandidatëve të subjekteve të tjera politike, e veçmas numrit të dobët të votave për Zenun Pajazitin, rivalin e tij brenda PDK-së, subjektit të njëjtë me Mustafën?

1) Ky sondazh nuk është as kundër pozitës, as kundër opozitës. Ky sondazh në radhë të parë i takon Partisë Demokratike të Kosovës, respektivisht degës së PDK-së në Gjilan.

2) Ky sondazh manifeston tensionet, përçarjet dhe fërkimet që po ndodhin në degën e PDK-së në Gjilan, rreth emërimit të kandidatit të PDK-së për kryetar komune më 3 nëntor 2013. Sondazhi është sms i Qemajl Mustafës për liderin e PDK-së, pra sondazhi rregullon raporte të një dege të PDK-së me qendrën në Prishtinë.

3) Ky sondazh flet për ankthin e dy kandidatëve karshi nominimit dhe emërimit nga kryeministri Hashim Thaçi: Qemajl Mustafës dhe Zenun Pajazitit. Gjersa Pajaziti është emëruar kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, rrjedhimisht është nënkuptuar se do të jetë edhe kandidat për kryetar komune, ndërsa Qemajl Mustafa teksa nuk u bë kryetar dege në Gjilan, pret që të bëhet kandidat i sërishëm për kryetar komune. Emrat e tjerë si Izmi Zeka, Nijazi Idrizi, nuk janë më si kandidatura potenciale.

Tensionet në partinë aktuale që mban pushtetin në Gjilan, janë të shprehura në mënyrë mjaft të hapur, ndonëse kohezioni akoma mbetet si synim për shkak të rrezikut të humbjes totale pas ndarjes në dysh. Mustafa gjithmonë e ka pasur ndjenjën se ka fituar ky si person, e jo PDK-ja.

Ai gjithmonë është krenuar para të tjerëve, se votat në Gjilan e rrethinë nuk i ka marrë pse ka qenë i nominuar nga PDK-ja, por karizma dhe autoriteti i tij kanë qenë përcaktues në fitoren e zgjedhjeve lokale si i pari i komunës. Mustafa i pat shprehur hapur kundërshtimet me kryeministrin Thaçi dhe PDK-në. Deri një kohë, ka qenë mjaft i postuar në një portal informativ elektronik, titulli i intervistës së Mustafës: “Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kam punuar”, duke thënë troç se është i pakënaqur edhe vetë me PDK-në në qeverisjen lokale dhe qendrore.

Pra, ai sillet herë si anti-pdkist, herë si pdk-ist. Këto lojëra i bënë me mjeshtëri kryetari Mustafa, sepse nuk e ka ndëshkuar PDK-ja, por pritet ta ndëshkojnë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

Po ashtu, sa herë që kryetari Mustafa është kritikuar për investimet minimale në Gjilan, për pamundësinë e zgjidhjes së problemeve prej atyre infrastrukturore e deri në politika pa ide të strukturuara për zhvillimin ekonomik, atëherë përgjegjësinë ia ka lënë Qeverisë së udhëhequr nga lideri i partisë së tij, Hashim Thaçi. Mustafa pati premtuar se do të jap dorëheqje atëbotë, por kurrë nuk e bëri atë, sepse teatralizoi ‘viktimën’ dhe ‘ndërgjegjen’! Qemajli do të mund ta ndante PDK-në përgjysmë duke dalur me një iniciativë qytetare, por ka frikë se do të mund të hakmerrej kryeministri me ndonjë formë presioni të kontrollit të sjelljes së Mustafës, prandaj dëshiron në formën ‘sa më miqësore’, ta bind kryeministrin për kandidimin e tij!

4) Ky sondazh tregon se Qemajli ka synuar që të dërgojë mesazhe te kryeministri, që nëse e emëron atë si kandidat për kryetar komune, do të fitojë bindshëm, ndërsa Zenun Pajaziti nuk është kandidat që ka përkrahje në Gjilan, sepse në sondazh e kanë vënë në renditje madje edhe pas rivalëve të subjekteve të tjera politike.

Sondazhi i tillë ka qenë tekstualisht edhe tendencë e Qemajlit për ta ‘eliminuar’ politikisht Zenun Pajazitin! Mustafa nuk është sjellur asnjëherë në mënyrë parimore me bashkëpartiakët e tij, madje realisht gjithmonë për sukseset e tij, ia ka dedikuar meritat personalitetit dhe fuqisë personale, ndërsa kur ka dështuar, ato ia ka atribuar partisë përmes të cilës ka ardhur në pushtet.

Prandaj, këtu duhet nënvizuar faktin se kjo nuk është parimore për një kandidat që vjen me sfond nga një parti politike, sepse sukseset dhe dështimet duhet ndarë në grup, e jo të veprohet në trajtë të mekanizmit të pavetëdijshëm zakonor të dështimit, ose në formë të tipit: “Nëse djali im bëhet i suksesshëm, më ka ngjarë mua, ndërsa nëse nuk rezulton me ndonjë aftësi e shkathtësi të veçantë, u ka ngjarë dajallarëve”. Ky tip mentaliteti patriarkal që suksesin ia atribuon vetes, ndërsa dështimin e hedh në ‘gjenin e fisit tjetër’ dhe bëhet cinik për ‘vijën amënore’ (lexo: dajallarët, vëllezërit e bashkëshortes), tregon papjekuri psikologjike dhe morale të personalitetit të individit, e aq më shumë të një politikani.

5) Ky sondazh vjen edhe si rezultat i sondazhit të parë të kryer nga një organizatë, e cila pati shpallur fituese në zgjedhjet lokale në Gjilan, Lëvizjen Vetëvendosje! Atëbotë, shumë pdk-istë kishin një dëshpërim dhe ankth të humbjes reale, ngase të mishëruar me pushtetin, kishin kaluar në një stabilitet emotiv të mbetjes së përjetshme në pushtet, dhe sondazhi kishte krijuar frikë dhe pasiguri tek ata. Prandaj, duhej bërë tepër aktiv në secilin sondazh, ishin porositur të gjithë anëtarët dhe aktivistët e PDK-së, që të jenë sa më të angazhuar në sondazhet e ardhshme.

Në një sondazh tjetër elektronik të një portali informativ, ishin angazhuar maksimalisht dhe po shënonin ‘fitoren’ tjetër të radhës në sondazhin e dytë. Pas sondazhit të dytë, duhej ndodhur menjëherë një sondazh i tretë, por jo në distancë të madhe kohore me sondazhin e parë e të dytë, por distanca kohore në mes të sondazhit të dytë dhe të tretë, të jetë sa më e shkurtër.

Kështu që, sondazhi i fundit, ku Qemajl Mustafa triumfon karshi Zenun Pajazitit, tregon se ndonëse ka qenë synimi kryesor për të përçuar mesazhin te kryeministri se ky e meriton kandidimin, është edhe si kolateral, për të fituar bindshëm edhe kundrejt kandidatit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, LDK-së, AAK-së dhe kandidatëve tjerë të pavarur.

6) Sondazhi mbetet i dyshimtë sidomos kur shohim se si paska ardhur motivi aq i lartë prej një organizate nga Shtërpca, e cila sondazhin e parë nuk po e realizuaka në komuna të afërta të tjera, por direkt topi do të binte në Gjilan, e për të vazhduar në Prishtinë e gjetiu. Arsyetimi i organizatës se këtu ka qenë qendër e rëndësishme për të matur opinionin e gjerë publik rreth kandidatëve, nuk është fare arsyetim që vjen nga profesionistë të hulumtimeve empirike, sepse hulumtuesit me përvojë dhe ekspertizë, japin arsyetime të cilat kanë të bëjnë me karakteristika të rëndësishme të variablave të caktuara dhe kushteve aq të veçanta për korrelacionet pozitive apo negative, por jo edhe arsyetime të tipit tautologjik.

Mobi Casa

7) Sondazhi është vetë ankthi i PDK-së për humbjen në një qytet dhe komunë aq të rëndësishme si Gjilani, prandaj PDK-ja do të provojë t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet që Gjilanin, Prizrenin dhe disa vende të tjera, t’i mbajë gjithqysh. Sondazhi në këtë rast është ankth dhe ankthi është sondazh. Përmes sondazhit, provohet edhe krijimi i vetiluzionit perceptiv për të mobilizuar anëtarësinë e gjerë të PDK-së, e cila ka humbur mjaft shumë motivacionin që të punojë për PDK-në, sidomos edhe nga tensionet e fundit dhe pakënaqësitë e mëdha edhe në mesin e tyre.

8) Vetë organizata “Paqja”, me seli në Shtërpcë, në profilin e saj elektronik shkruan se fushat kryesore të aktiviteteve të saj janë: rini, ndërtim të paqes, avokim dhe lobim. Pra, duket se është shfrytëzuar si organizatë kinse joqeveritare, pa e marrë parasysh se kjo organizatë nuk e ka si fushë studimi matjen e opinionit publik, por aspektet e rinisë, ndërtimin e paqes, avokim dhe lobim. Ose, kjo e fundit po përshtatet në këtë kontekst: lobim për Qemajl Mustafën! (shih më gjerësisht: http://ëëë.cso-ks.org/?page=1,4#?1).

9) Sot është tepër e lehtë për të përfytyruar një anketim, ngase një anketë për t’u plotësuar mund të bëhet me 2 euro nga anketuesi. Shumë prej anketave kryhen edhe brenda një kafeterie, e cila rrezikon përfaqësimin real. Bie fjala, janë disa kafeteri të cilat njihen si ‘seli të grupeve të caktuar politike’ dhe nëse anketuesi gjendet në atë lokal, e huq totalisht mostrën përfaqësuese. Për një biznesmen ose parti që ka mjete të disponueshme financiare, madje edhe para të taksapaguesve, me një shumë të vogël mund të realizohet një sondazh, madje me dy anketues.

10) Po e konsiderojmë në mënyrë hipotetike se ky sondazh qenka real. Si mund të përcaktohen rezultatet e zgjedhjeve lokale pa i llogaritur edhe shumat e votave të listës së këshilltarëve komunalë? Si mund të mos kalkulohet profili, fuqia e ndikimit social dhe popullariteti që mund të gëzojnë disa nga asambleistët që do të jenë në listën e subjekteve politike në garën e zgjedhjeve lokale? Si mund të mos thuhet se edhe lista e këshilltarëve komunalë nga subjektet politike mjaft shumë e ndërron drejtimin dhe kahjen statistikore të votave? Pse atëherë subjektet politike përpiqen që ta bëjnë një listë me emra të pranueshëm në shoqëri që të jenë në listën e këshilltarëve komunalë dhe bartësit të listës, nëse nuk paska ndikim në rezultatin zgjedhor? Pra, këshilltarët mund ta fuqizojnë subjektin politik, por edhe ta dobësojnë atë, varësisht nga niveli i rejtingut të tyre në komunë.

11) PDK-ja do ta ketë vështirë shpëtimin edhe sikur ta ketë atë apo këtë kandidat, sepse pakënaqësia me qeverisjen lokale dhe qendrore është në nivele ekstreme. Para disa javësh, një organizatë kishte bërë hulumtimin në disa fshatra të komunës së Gjilanit, dhe mbi 90 përqind e respodentëve ishin të pakënaqur me këtë qeverisje lokale. Nëse marrim këtë hulumtim të bërë nga hulumtuesit që e njohin Gjilanin si frymon (aspekti kulturologjik dhe antropologjik në kërkime hulumtuese) dhe krahasojmë rezultatet e saj me rezultatet e organizatës nga Shtërpëca, rezulton se kemi të bëjmë me kundërthënie ekstreme të rezultateve të këtyre dy organizatave të shoqërisë civile.

Si është e mundshme që mbi 90 përqind e respodentëve gjilanas kanë qenë të pakënaqur me qeverisjen aktuale në komunë, ndërsa po të njëjtit të kenë kandidatin e tyre më të preferuar, kryetarin aktual të Gjilanit, me të cilin nuk janë të kënaqur shumica dërmuese e tyre?! Pra, ka kundërthënie të mëdha në mes të shumë sondazheve brenda periudhës njëmujore dhe që japin rezultate të ndryshme. E vërteta shkencore thotë se, edhe sikur të përsëritet testimi, duhet të prodhojë të njëjtin rezultat. Dhe me këto sondazhe jo vetëm që nuk po ndodh kjo, por dallimet po bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe më kontradiktore.

Sikur sondazhet të bëhen pa porosi

Organizatat hulumtuese duhet ta ruajnë pavarësinë investiguese, sepse kjo bënë që të humbet besueshmëria jo vetëm në hulumtimet e tjera empirike të këtyre organizatave, por edhe të humbet besimin në vetë sondazhet, si forma mjaft të rëndësishme të testimit të opinionit publik. Po të ishte organizata aq serioze, nuk do të duhej të ishte hulumtimi sporadik, por një matje longitudinale nëpër kohë, për të vrojtuar dhe shënuar të gjitha ndryshimet e opinionit publik nëpër kohë. Organizatat që kanë si qëllim kryesor realizimin e sondazheve, ato merren për një kohë të gjatë me sondazhe, njihen në publik për fusha të veçanta dhe nuk e bëjnë këtë vetëm në kushte të veçanta të tensioneve brenda një subjekti politik si PDK-ja në Gjilan.

Po ashtu, pyetjet në këtë sondazh, duket se kanë qenë në formë sygjestive, e që kjo do të thotë edhe humbje e besueshmërisë së vetë sondazhit, pasi që dihet se pyetjet me karakter sygjestiv tregojnë për rezultate që prodhojnë qëndrime të porositura dhe të dëshiruara të vetë anketuesit dhe hulumtuesit. Në secilin hulumtim serioz, profesional dhe shkencor, nuk lejohet që pyetjet të jenë sygjesitve, nuk lejohet që renditja e kandidatëve të bëhet në mënyrë që respodenti të ndikohet edhe nga vetë radha e opcioneve e të tjera gabime themelore të një sondazhi profesional. Po ashtu, nga ky sondazh shohim se të dhënat janë të nxjerrura me programe të thjeshta hulumtuese, që nuk lejojnë ndërlidhjen e të gjitha variablave të varura dhe të pavarura, e që të gjitha këto ulin validitetin e brendshëm dhe të jashtëm të rezultateve të një sondazhi.

Dhe ne përsërisim se pavarësisht rezultateve, sondazhet janë të rëndësishme dhe përbëjnë një prej mjeteve të nevojshme të opinionit publik, por vetëm nëse bëhen në mënyrë të pavarur, në kohë të ndryshme, të paporositura, me pyetje në formë josygjestive dhe pa karakter të dyfishtë semantik. Po ashtu, ne inkurajojmë organizatat që merren me hulumtimin e opinionit publik, që të merren në vazhdimësi me realizimin e sondazheve, sepse paraqesin vlerë të jashtëzakonshme në hulumtimet e opinionit publik.

Ne jemi të bindur se secila organizatë ka të drejtë të bëjë sondazhe dhe as pozita e as opozita, asnjë parti politike, nuk mund të ndalin sondazhet, por secila organizatë duhet të kujdeset për imazhin e saj dhe besueshmërinë, sepse ka pasur organizata edhe në të kaluarën në Kosovë, të cilat kanë bërë sondazhe të porositura dhe kanë humbur përgjithmonë kredibilitetin, prandaj, duhet të kenë kujdes në ruajtjen e profesionalizmit dhe pavarësisë, sepse në të kundërtën, ndikon jashtëzakonisht keq edhe në vetë besimin e qytetarëve në sondazhet. Bile, shumica e qytetarëve sa herë përmendet sondazhi, mendja e tyre asocion në “porositësin dhe porosinë”, dhe kjo ka pasoja të pariparueshme për besimin në hulumtimet empirike dhe në vetë shkencën që po synojmë ta ndërtojmë si shoqëri.

Ndërsa, jo të gjithë do të jenë të kënaqur me rezultatet, sepse sondazhet presupozojnë gjithmonë një fitues e një humbës, por të gjitha rrethanat e këtij sondazhi, konteksti, organizata, miqësia e disa aktivistëve të rinj të PDK-së me këtë organizatë, porositë e Qemajlit për ta diskualifikuar rivalin e tij brenda PDK-së, Zenun Pajazitin, na thonë se ky sondazh nuk ka asnjë vlerë për Lëvizjen VETËVENDOSJE, LDK-në, AAK-në, e iniciativa të tjera qytetare e kandidatë të pavarur, por kanë vlerë vetëm për Qemajl Mustafën. Pra, ky sondazh është dëshira personale e Qemajl Mustafës dhe e askujt tjetër. Madje, as sondazh i PDK-së, në fund të fundit!

Pavarësisht këtij sondazhi apo edhe sondazheve që do t’i kemi në vazhdimësi, ne konsiderojmë se do të ishte edhe më e rëndësishme kur subjektet politike as nuk merren me sondazhet që bëjnë organizatat e ndryshme apo individët, qofshin të porositur apo jo të motivuar komercialisht e në mënyrë klanore, por edhe vetë të bëjnë sondazhe pa nevojën për t’i publikuar edhe qofshin fituese, sepse ato duhet të shërbejnë për reflektim për atë që bëjnë dhe synojnë ta realizojnë në të ardhmen.

Subjektet politike duhet të ofrojnë alternativat e tyre dhe të mos shpenzojnë fare kohë me sondazhet, sepse një prej leksioneve kryesore që mësohet në metodat kërkimore sociale është se, për dallim nga dukuritë fizike dhe lëndore, nuk ka saktësi në parashikueshmërinë e sjelljes njerëzore, sepse nëse njeriu e shikon objektin me teleskop, objekti nuk lëviz pavarësisht kush e vrojton atë, ndërsa njeriu nëse e kupton që po vrojtohet nga një njeri tjetër, e ndërron sjelljen edhe për këtë shkak që po e dinë se vrojtohet në këtë çast. Prandaj, sondazhet jo vetëm që tregojnë për gjendjen në terren, por ato e ndryshojnë edhe vetë terrenin dhe paparashikueshmëria mbetet gjithmonë e pritshme.

Tek e fundit, çertifikimi i zgjedhjeve nuk do të bëhet me sondazhe, por nga numri i votave të qytetarëve. Kësaj radhe, opozita nuk besojë se do të lejojë legjitimitetin me vjedhjen industriale të votave. Nuk ka më si në vitin 2010, ku legjitimiteti merret me kuti të mbushura, vota lugetërish, me vaj, miell, kartela celulari e fotografim të detyrueshëm votash!

Përmbyllje në vend të reagimit

Të vetëdijshëm se subjektet politike duhet të stimulojnë shoqërinë civile dhe OJQ-të, pavarësisht edhe situatave kur mund të vijnë me motive të porositura, ne vetëm reflektuam me shkas sondazhin e fundit dhe shprehëm dyshimet rreth tij, por nuk deshëm që të bëjmë reagime. Përndryshe, roli i OJQ-ve në shoqërinë demokratike është rol i pazëvendësueshëm dhe urojmë që të kemi sa më shumë organizata që merren me hulumtime, por edhe me apelin më qëllimmirë, që të mos bien nën ndikimin e porositësve.

Tekembramja, a nuk ishin shumë OJQ që bënë sondazhe para fushatave në Kosovë e Shqipëri dhe kurrë nuk mundën të ngrihen më në këmbë nga humbja e besueshmërisë së opinionit publik?! Madje ka hulumtime që kanë mundur të jenë krejt të vërteta, por qëndrimet e votuesve të ndërrojnë radikalisht me afrimin e ditës së votimit, dhe krejt rezultatet kanë dalur qesharake pasi u krahasuan me rezultatet finale paszgjedhore. Prandaj, pasojat nga anketimet e opinionit publik janë se mund të rrezikojnë përgjithmonë besueshmërinë e hulumtimeve të një organizate apo instituti, e lëre më kur rënkon nga shumë dobësi metodologjike dhe parimore.