Mobi Casa

S`lëshojnë pe

/ 5 minuta lexim
KKVITI

LDK’ja ka vazhduar ta kërkojë dorëheqjen e Atifete Jahjagës dhe zbatimin e Marrëveshjes PDK – LDK –AKR. Shefi i Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri thotë se për këtë çështje, Kryeministri Thaçi do të thirret edhe në interpelancë. Paraprakisht, partia më e madhe opozitare do të kërkojë llogari nga Ministri Enver Hoxhaj për çështjen e njohjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Atifete Jahjagës që ajo të logohet për t’u lëshuar rrugë reformave zgjedhore dhe kushtetuese.

Por, Partia e Isa Mustafës vazhdon të thotë se përgjegjës për moszbatimin e marrëveshjes së vitit të kaluar PDK-LDK-AKR është Kryeministri Thaçi.

Për moszbatim të marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli, LDK’ja ka paraparë të thërrasë në interpelancë Kryeministrin. Por, partia e dytë ka vendosur që para Thaçit në Kuvend për të dhënë llogari të thërrasë Ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në lidhje me skandalet e njohjeve, sidomos atë të Malit.

“Nuk ka pasur ndonjë renditje të asaj se kush do të thirret i pari. Arsye se pse më herët e kemi thirrur interpelancën me Ministrin e Jashtëm, e kemi nisur duke e parë se çka po ndodh me njohjet, gjegjësisht mosnjohjeve që po ndodhin në politikën e jashtme”, ka thënë Beqiri, për Express.

“Jemi duke përgatitur edhe interpelancat e tjera që janë disa, por që tash nuk mund të t’ju tregoj, pa marrë qëndrim në parti”, ka shtuar ai.

Ndryshe, LDK’ja ka braktisur komisionet për reforma kushtetuese dhe zgjedhore dhe ka kushtëzuar kthimin në ato grupe me zbatimin e marrëveshjes për largimin e Jahjagës, mbajtjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm.

Këto kërkesa janë hedhur poshtë nga Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi.

Jahjaga ka thënë se nuk largohet nga Presidenca, përderisa nuk merren vesh ata që e kanë emëruar në krye të shtetit, ndërsa Thaçi ka përsëritur disa herë se nuk do të ketë zgjedhje të përgjithshme para afatit kushtetues – vitit 2014.

Ismet Beqiri thotë se LDK’ja do të vazhdojë të kërkojë largimin e Jahjagës dhe njëkohësisht zbatimin pikë për pikë të marrëveshjes, e cila ishte ndërmjetësuar nga amerikanët.

“Nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit sa i përket Presidentes dhe marrëveshjes. S’kemi asnjë arsye të ndryshojmë qëndrimin”, ka thënë ai

Ai ka drejtuar gishtin kah partia e parë për moszbatimin e marrëveshjes së vitit të kaluar.

RCCOLA

“Nuk është adresa kryesore Presidentja pse nuk po respektohet marrëveshja. Adresa kryesore është Hashim Thaçi dhe PDK’ja dhe pastaj Presidentes po i konvenon ky qëndrim sikur nuk e obligon marrëveshja dhe rezoluta të largohet. Prandaj, adresa e përgjegjësisë për të gjitha këto që po ndodhin është Kryeministri Hashim Thaçi dhe PDK’ja”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk është problem vetëm largimi i Jahjagës, edhe zbatimi i afateve për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe përfundimi i reformës zgjedhore dhe asaj kushtetuese.

I pyetur se cilat janë pritjet e ndërkombëtarëve për LDK’në, Ismet Beqiri ka thënë se askush deri më tash nuk ka kërkuar ndryshimin e qëndrimit.

Ai ka thënë se qëndrimi i LDK’së nuk mund të ndryshojë, pasi marrëveshja e vitit të kaluar është bërë ligj në Kuvendin e Kosovës.

“Ne i mbajmë kontaktet, por ne nuk i bisedojmë se a duhet të ndryshojmë qëndrimin a jo. Në kontaktet që i kemi me ndërkombëtarët, ua kemi thënë qëndrimin tonë dhe ky qëndrim mbetet i pandryshuar. Asnjëherë nga ne nuk është kërkuar që ne të heqim dorë nga kërkesa për respektimin e marrëveshjes. Është absurde të kërkohet të heqim dorë nga një kërkesë legjitime nga një marrëveshje që është bërë mes tri subjekteve politike me ndërmjetësimin e amerikanëve”, ka thënë ai.

Beqiri ka thënë se partia e tij ende beson se marrëveshja do të respektohet nëse ekziston vullneti politik dhe vullneti për të respektuar rezolutën e Kuvendit.

“Marrëveshja është shndërruar në rezolutë dhe është obligative dhe besojmë se kjo mund të realizohet nëse ka gatishmëri dhe vullnet. Ne jemi të gatshëm për të gjitha opsionet, por jo të tërhiqemi nga marrëveshja dhe rezoluta nuk vjen në shprehje”, ka shtuar ai.

Ndryshe LDK’ja, edhe pse në opozitë, ka qenë pjesë e marrëveshjes së vitit të kaluar me PDK’në dhe AKR’në për të zgjedhur Presidenten Atifete Jahjaga.

Isa Mustafa pati arritur marrëveshje me Hashim Thaçin e Behgjet Pacollin, duke injoruar AAK’në dhe Vetëvendosjen, për të zgjedhur Atifete Jahjagën në krye të shtetit.

Por, zbatimi i marrëveshjes është komplikuar prej momentit të publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se largimi i Presidentit nuk mund të bëhet me ndryshime kushtetuese.

Në favor të zbatimit të vendimit të Gjykatës, ka dalë Jahjaga, PDK’ja dhe ndërkombëtaret, ndërsa LDK’ja dhe AKR’ja kanë kërkuar zbatimin e marrëveshjes dhe mbajtjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale.