Uji Dea

Skënderbeu në Barcelonë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

‘Skanderbeg – L’heroi, el mite’ (Skënderbeu – heroi dhe miti) titullohet ekspozita me libra për heroin shqiptar që është hapur në Bibliotekën Kombëtare në Barcelonë.

Nuk është vetëm dashuria e shqiptarëve për ekipin futbollistik të Barcelonës e vetmja nyje që i lidh këta dy popuj. Në të kaluarën shqiptarët kanë pasur një bashkëpunim të mirë më katalonasit. Shembull mund të merret miqësia e heroit shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me mbretin e Aragonit, Alfonsin e Madh.

Për të shënuar këtë miqësi dhe raportet ndërmjet tyre si dhe për të shënuar njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Otomane, në Bibliotekën Kombëtare të Katalonisë në Barcelonë është hapur, para pak ditësh, një ekspozitë me libra për heroin shqiptar, të cilët janë marrë nga fondacioni i Patricia Nugee, e cila ka në dispozicion një fond bukur të madh të librave që janë shkruar për Skënderbeun.

Me këtë ekspozitë në Barcelonë, të organizuar nga Instituti Europian i Mesdheut, Sekretariati i Punëve të Jashtme i qeverisë së Katalonisë dhe Ambasada shqiptare në Spanjë, nëpërmjet librave që datojnë nga shekulli 16 deri në shekullin 18, pasqyrohet roli historik dhe kulturor i Skënderbeut.

Përpos ekspozitës, janë mbajtur edhe debate mbi historinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me Kataloninë dhe hapësirën e Mesdheut.

Në websajtin e Institutit Europian të Mesdheut, që është një prej organizatorëve të ekspozitës, thuhet se në njëqind vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, kemi mundësinë të zbulojmë një hero që u bë mit nëpër Europën Perëndimore.

“Ky është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i njohur më shumë nëpër dokumentet mesjetare që ekzistojnë në Arkivin e Kurorës së Aragonit si Jordi Castriota (1405–1468), zoti i Krujës, i cili arriti të mundë turqit dhe të mbajë Shqipërinë të pavarur nga Perandoria Otomane për rreth tridhjetë vite. Kjo ekspozitë nxjerr në pah lidhjen e tij të afërt me Mbretërinë e Aragonit në kohën e Alfonsit të Madh, periudhë kjo që kishte sjellë një garë ndërmjet Venedikut dhe Turqisë për kontroll ekonomik dhe social por edhe politik të tërë Mesdheut Qendror”, thuhet në informatën lidhur me ekspozitën, e cila është hapur në Bibliotekën e Katalonisë (Biblioteca de Catalunya) më 27 qershor dhe do të zgjasë deri më 22 korrik.

Gjithashtu, për të shënuar njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, është mbajtur edhe një tryezë e rrumbullakët me temë “Shqipëria dhe Mesdheu prej Skënderbeut deri te Bashkimi për Mesdheun”.

Eco Higjiena

Heroi, miti

Në shekullin 15, Mesdheu ishte bërë arenë në të cilën fuqitë e kohës – republikat e Venedikut dhe Gjenovës, Mbretëria e Aragonit dhe Perandoria Otomane që po lindte – po tentonin të impononin influencën e tyre ekonomike dhe politike. Megjithatë, ka qenë gjithashtu periudha në të cilën u shfaqen shumë identitete kombëtare, të cilat më vonë u ndeshën me ambiciet ekspansioniste të perandorive të mëdha.

Gjenerali shqiptar Gjergj Kastrioti, i njohur më shumë si Skënderbeu, u bë kampion i lirive kombëtare të shqiptarëve kundër Perandorisë Otomane, e cila u paraqit në Ballkan. Aktet heroike të tij dhe aleancat politike do ta kthenin atë në mit në shëmbëlltyrën kolektive të Krishterimit Europian dhe do ta poziciononin Shqipërinë në skenarin gjeopolitik të Mesdheut.

Në përvjetorin e njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Otomane, figura e Skënderbeut është referencë e qartë e ndërtimit bashkëkohor kombëtar të Shqipërisë.

Shqipëria dhe Mbretëria e Aragonit

Aleanca ndërmjet Skënderbeut dhe Alfonsit të Madh kishte të bënte me interesat e vjetra të Mbretërisë së Aragonit (shekujt 13 dhe 14) në sigurimin e prezencës në Mesdheun Lindor dhe në Shqipëri. Alfonsi, trashëgues i atyre aspiratave dhe konflikteve me Venedikun për epërsi në Detin Adriatik dhe në Mesdheun Qendror, zhvilloi një politikë për frenimin e avancimit të otomanëve.

Ky ka qenë konteksti i aleancës të cilën ai e zhvilloi me Skënderbeun dhe nënshkrimin në vitin 1451 të Traktatit të Gaeta-s. Në traktat, Skënderbeu e pranonte Alfonsin si zot të tij dhe ky i fundit dërgoi trupa nën komandën e Bernat Vaquer, që u vendos në Krujë. Mbrojtja e hapësirave të banuara nga shqiptarët nga Mbretëria e Aragonit e arriti kulmin e saj me arritjen e nënmbretit Ramon d’Ortafa në vitin 1454 për të mbështetur Skënderbeun, i cili arriti të ruante autonominë e tij.