Skena politike vazhdon të jetë e përçarë

Përfundimisht dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje, nuk do t’i përgjigjen ftesës së kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për të diskutuar rreth procesit të dialogut me Serbinë. Veseli pos këtyre dy subjekteve tashmë ka ftuar edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinajn dhe ekipin negociator që të mërkurën e javës që vjen të ulen bashkërisht dhe të bisedojnë rreth procesit të negociatave me Serbinë, shkruan Zëri.
Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në kuadër të projektit për dialog ka thënë se spektri politik në Kosovë po vazhdon të mos jetë i bashkuar rreth dialogut, pavarësisht kërkesës së presidentit të SHBA-së Donald Trump që liderët kosovarë të flasin me një zë rreth këtij procesi.
“Në atë letër është kërkuar që udhëheqësit e partive politike në Kosovë të flasin me një zë të unifikuar rreth procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Fatkeqësisht në kundërshtim me këtë thirrje të presidentit amerikan, që është edhe partneri kryesor i Republikës së Kosovës, skena politike në vend po vazhdon të jetë e përçarë sa i përket një qëndrimi unik drejt dialogut Kosovë – Serbi”, është shprehur ajo për Zërin.
Kjo situatë sipas Haxhollit paraqet një problem, i cili i konvenon më së paku shtetit të Kosovës.
“Pra ne si KDI kemi kërkuar vazhdimisht që partitë politike të arrijnë një konsensus dhe të krijojnë një unitet sa i përket kësaj faze të dialogut me Serbinë. Por po shohim që një përçarje e partive politike ende po vazhdon”, ka potencuar ajo.
Megjithëkëtë, ftesa e kryetarit të Kuvendit drejtuar partive për të arritur unitet sipas saj është edhe një përpjekje e radhës për t’i ulur subjektet politike dhe për t’i bërë bashkë rreth bisedimeve Kosovë – Serbi.
“Ne po shohim që këtë qëndrim unik e ka arritur një pjesë e partive politike, e pamë atë me krijimin dhe me votimin e rezolutës në Kuvend për themelimin e ekipit negociator. Por ky ekip dhe kjo rezolutë nuk u votua nga dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka theksuar Violeta Haxholli. /ZERI