UBT

Skandaloze: Serbisë i pengojnë edhe kufomat e shqiptarëve

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Hetem Bediu mërgimtarë nga Dobrosini ka vdekur më 25 janar të këtij viti në Cyrih të Zvicrës. Amanetin e tij që të varroset në vendlindjen e tij në Dobrosin e pengoj policia serbe në pikat kufitare “Dheu i Bardhë” e Dobrosin. Familjarët janë të revoltuar nga ky gjest shumë i ulët dhe primitiv i policisë serbe dhe kanë paralajmëruar ankesa në të gjitha instancat ndërkombëtare. Hajredini djali i Hetemit thotë se kanë përjetuar vdekjen për së dyti të prindit të tyre, pasiqë nga të gjitha maltretimet e policëve serb prindin është dashur ta varrosin në Gjilan.

Hetem Bediu nga fshati Dobrosin i Bujanocit i moshës 61 vjeçare ka punuar e vepruar mbi 35 vite në Cyrih të Zvicrës. Vdekja natyrale e gjeti në njërin nga spitalet e këtij qyteti, por siç e donë zakoni i shqiptarëve ai kishte lënë amanet që të varroset në vendlindjen e tij në Dobrosin, raporton rajonipress.

Por kjo dëshirë e tij i pengoj autoriteteve policore serbe në pikën kufitare në Dobrosin. Siç rrëfejnë për rajonipress familjarët policia serbe nuk kishte lejuar të hyjë kufoma në Dobrosin më 28 janar me arsyetimin se kanë zbritur në aeroportin e Prishtinës.

Hajredin Bediu (foto) djali i Hetemit tha për rajonipress se kur ka ardhë kufoma nga Zvicra i ka pasur të gjitha dokumentet e rregulluara, edhe certifikatën e vdekjes, edhe dokumentin nga Komuna e Spitali. “Ata policët serb edhe pse fillimisht na lejuan të hapim varrin, kur shkuam me kufomën na detyruan që të shkojmë në pikën tjetër kufitare”Dheu i Bardhë”.

Mobi Casa

Por ironia bëhet edhe më e madhe kur në “Dheu i Bardhë”, policët na thanë se duhet të presim mjekët e Vranjës për të konstatuar vdekjen dhe për të bërë obduksionin. “Edhe pse pritëm mbi tre orë ata nuk erdhën dhe na sugjeruan që kufomën ta dërgojmë në Tabanocë, gjë që refuzuam kategorikisht” shprehet i revoltuar Hajredini.

Hajredini thotë se prindi i tij ka qenë shtetas i Serbisë dhe ka pasur edhe pasaportën e Serbisë.”Unë nuk e kuptojë këtë lojë të Serbisë. U detyruam që prindin ta varrosim në Gjilan, por unë do të ankohem në të gjitha instancat e mundshme ndërkombëtare. Do të ankohem edhe në Strasburg nëse është nevoja sepse është e drejtë elementare e një njeriu dëshira se ku donë të varroset. Paramendojeni sa afër ishim, vetëm 200 metra Dobrosini i ka varrezat afër pikës kufitare dhe nuk na lejuan të kryejmë ceremoninë” shprehet Harjedini.

Hajredini thotë se ky rast duhet të jetë një shembull edhe për Qeverinë e Kosovës dhe ekipet teknike që merren rreth menaxhimit të kufirit.”Mos të flas për liderët e Kosovës Lindore e shoqatat tona që veprojnë në Gjilan e Kosovë e që nuk po e ngrisin zërin ndaj këtyre padrejtësive” shprehet Hajredini./rajonipress/