UBT

Sinjalet memoristike në poezinë e Xhevat Latifit

/ 9 minuta lexim

Gjilan – Fatmir Terziu – Kur kujtesa i jep dimension artit të fjalës

Kultura e memorjes në poezinë e poetit nga Gjilani, Xhevat Latifi e bën këtë analizë një arsye më shumë për tu ndalur. Një ndalesë e diktuar nga vargje të tilla “Baba Xhemë një jetë njeriu me plis të hollë/tha t’ruash mullirin natën o mesele n’vete/e n’daç me kuptue Babën Beqë mullisin prekja ujin në jaz/që copëtonte bukën e kallamoçit t’Nazifes me/duar të përvjelura tuj e ndjekë tej ‘n’hudut Bugarin e Parë” (Bliri i Uglarit); apo edhe nga vargjet e poezisë “Ma jep lotin e hatrit” ku gardhi i vjetër dhe era luajnë lojën dhe filozofinë e poezisë duke na dhënë mesazhin e qartë se ku pikëlidhet memorja dhe

Floçka e poetit krijojnë atë kujtesë të aftë për të krijuar forcën e mendimit: “gardhi i vjetër/pret ta rrëzojë era/ty Floçka ime mos t’u preftë gërsheta…”. Është kjo lidhje strukturore, mes një gjuhe të përzgjedhur, një gjuhë poetike që rrëmon thellë tek popullorja, por që e kthen këtë popullore në një melos komunikues të qetë e të ëmbël poetik.

Kështu funksioni i vargut merr jetë dhe jetësohet deri në dihatjen më tërheqëse. Bëhet prekës dhe mes kësaj prekjeje vjen edhe ‘Projekt i një prekjeje” me veçorinë e thjeshtësinë e saj që flet shumë e shumë: “nën/hijen e trëndafilit/inventari iri/ti/ dhe rruga e shtratit/ora/pesë e njëzetëepesë.”

Në këtë prekje edhe vetë fjala prek, prek deri në thellësi të shpirtit, prek me dashurinë që lidh ndjenjën e shfaqur mes një kursimi të gjetur fjalësh, prek me filozofinë dhe figuracionin e saj. pastaj kjo prekje udhëton, madje këtë udhëtim e gjen edhe tek “Udhëtimi me tren” ku poeti shton se ‘me tren më së miri është/të udhëtosh i dehur tapë/të mos gjesh dot kupenë/të mos dish as ku vete/ta mësosh gjeografinë/në variantin C duke përfolë/galilenë dhe trojën/të bësh dashuri/në çdo kufi shengen/të hudhësh eko-brekushe/nga dritarja”.

Më thoni pra a nuk e shijoni vargun e poetit? A nuk është kjo një lidhje poetike që vjen mes kujtesës dhe tërë teknikave të saj në vargun poetik? Le ta analizojmë më tej.

Poetikja, memorja dhe funksioni poetik

Poezia që vjen mes teknikave të prodhuara nga metoda e kujtesës është një nga format poetike më të veçanta. E veçanta e saj nuk është thjesht një stil, por është fjala e artit që ndërtohet në vargun e lirë kur ajo, pra fjala mesazhiere e artit vjen në veshin dhe mendjen e lexuesit mes mënyrës së riprodhimit të mesazhit dhe detajeve që lidhen me fatin e një arsyeje të largët në kohë, hapësirë dhe vend. Kështu funksionon edhe poezia e poetit shqiptar nga Kosova, Xhevat Latifi.

Poezia e tij, dhe jo pak por gati 100 poezi, në vëllimin e tij poetik “Shi në flokun tënd” (2004), sjellin kohëhapësirën e jetikes së tij mes kujtesës së Gjilanit, vendlindja e tij, që përshkohet në itinerarin kohor të lindjes 28 Maj të vitit 1968, dhe që më pas hyn në detaje të tjera të profesionit të tij arsimtar, gazetar i “Radiotelevizionit 21”, apo edhe gazetar i ditores “Lajm Ekskluzive”.

Në një kënd të kësaj hapësire poetike memorja si devizë më vete na pikëtakon shkrimet letrare të poetit që kanë zanafillën e tyre vitet 90-të. Atëherë, kur pikërisht “Jeta e Re” në Prishtinë do të botonte në vitin 1996 vëllimin me poezi “Vdekja kushton shtrenjtë”.

Kështu vetë poezia e nisur me vrullin e kohës, por edhe me risinë e re, melosin e memorjes në thelbin e saj, e ka bërë poetin të jetë jo vetëm një anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, por edhe një penë që fiton zemrat dhe vlerësimet e të tjerëve duke marrë disa çmime dhe shpërblime të ndryshme të konkurseve letrare.

Në fund, dhe jo sipas listës, është edhe familja e tij, tre fëmijët jeta dhe vepra e tij që mishërohet në Gjilanin historik dhe patriotik shqiptar. Kështu në këtë udhëjetë poetike, diskursi i memorjes, i riprodhuar mes teknikave të veçanta dhe efikase të kujtesës, zgjojnë një interes të veçantë tek ky poet, tek poezia e tij.

Si i tillë vëllimi poetik i poetit Xhevat Latifi, “Shi në flokun tënd”, vjen me një përkujdesje të mirë të “ARS poetica”, ku dora e Ardiana Mehmeti Bajramit ka lënë gjurmët e saj të merituara për një financim të merituar të këtij botimi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

RCCOLA

Vëllimi ndahet në pesë kapituj. Secili kapitull është një teknikë e prodhuar nga metoda e kujtesë. Kapitujt “Shitësja e luleve të verdha”; “Nëse e ke harruar Zotin”; “Njeriu vizaton bardhë e zi llahtarinë”; “Kronikë zhvarrimi”; “Shënime nga pavijoni C” janë në vetvete grumbullime të tematikave të poezive që në fakt kanë hallkat lidhëse mes tyre për të plotësuar të tërën e mesazhit në memorjen e poetit.

Funksioni i memorjes në poezi

Poezitë e këtij vëllimi si “Afsh i cifluar”; “Ardhja e Primadonës’; “Murale me sfond të verdhë”; “Janë ca gjëra që nuk i merr zjarri”; “Lëfarem”; “Lajmësi” “Vjeshta në ninëzën tënde”; “Sprovë për të bërë matematikë”; etj plotësojnë postulatin me të cilin memorja funksionon në poezi.

Me këtë postualat le të sqarojmë në fillim kuptimin e tij dhe pastaj të shohim më në detaj vargjet që flasin me këtë gjuhë.
“.. në fund, e gjitha që ka rëndësi me të vërtetë nuk është te gjërat që ju bëni, por efektet e saj sot, jo njohuria që ju keni mësuar, por se si ju e keni aplikuar atë, jo fjalët që ju thoni, por se si ata ju kanë bëri të ndiheni, dhe mbi të gjitha, jo në momentin e shfaqjes, por si tani vetëm një pjesë e kujtesës sonë, një grimë e saj na çon tek derivati: Çdo ditë, ne kemi bërë kujtime .. bojë dhe shkrime në celuloide dhe në foto, në kujtesë dhe në jetë.

Le të jetojmë me ato lumturi dhe trishtime, me ato brenga dhe … shënime .. ” Kështu do të duhej të kuptohej më së miri moria e teknikave me të cilat prodhohet funksionaliteti i kujtesës në varg, qoftë nga njohuria e qoftë nga shënimi apo memorja jonë.

Poezitë Afsh i cifluar”; “Ardhja e Primadonës’; “Murale me sfond të verdhë”; “Janë ca gjëra që nuk i merr zjarri”; “Lëfarem”; “Lajmësi” “Vjeshta në ninëzën tënde”; “Sprovë për të bërë matematikë” janë jo të vetmet që flasin me këtë argument.

Për shembull poezia “Në Shën Naum” merret si e tërë: “zhurma e bretkosave gumëzhin/nuk ndalet barka lëkundet ngadalë/një trup dy shpinë dashuria shtrin këmbët/ku nuk mbërrijnë valët as rrjetë merimange/që ka mëni seksin/Zoti bekoi virgjërinë në solemnitet rasti/i thuri poezinë më të zjarrtë i dha rimë/rimojmë tinguj.. për rifillimin e dashur.”. në këtë poezi memorja është sforcim e detyruar që riprodhon ‘një trup dy shpinë’ një lidhje e bukur, ku vetëkuptohet memorja, kujtesa që flet dhe riprodhon strukur dashurinë, mes zhurmave të bretkosave që gumëzhijnë.

Në vend të mbylljes dhe mesazhit

Të gjitha sa thamë më lart janë bartje të vargëzuara mes sinjaleve të memoristikës. Bartje të tilla që marrin ushqim nga historia, jeta, e prekshmja jetike, natyra, gjeografia e prekshmja dhe e ndjeshmja natyrale, dhe që pikëtakohen në kohë dhe në hapësirë për të thënë e dhënë elementet e duhura të vendit, jo thjesht si gjeografi por si një dimension filozofik. Poezia “Prolog” nga kapitulli “Kronikë zhvarrimi” është një model në këtë pikë: “gjaku ku rodhi Dhe u bënë gozhdat/as që kanë mundur të bëhen tjetër”.

Dhe më tutje poezia e vendosur mes kllapave nga vetë autori “(Terapia gjenetike apo takim në laboratorin e klonimit)” ka domethënien e saj: “këtu në/një pikë spermë/fillon një jetë që kushton pesë cent/në fetus futet Alkimia e vjetër Beduini plak merr/abdes në detin e vdekur/sistemi i ri gozhdimi të njeriut…”

Lidhja mes vetë asaj që ne njohim dhe asaj që mësojmë në këtë kuadrat të memoristikës poetike, vjen pa sforco mes fjalëve “Alkimia”; “Beduini”; apo edhe mes togfjalëve si ‘kushton pesë cent’ dhe abdes në detin e vdekur’.

Nëse do të kemi parasysh atë që Brodsky e shpreh për këtë lidhje mes poezisë ne padyshim kuptojmë se ‘poezia nuk është vetëm një koncizitet i lidhjeve të jetës për të shpjeguar eksperiencën njerëzore, por ajo gjithashtu është për të afruar standartet më të larta e më të mundshme për një operim më të duhur gjuhësor”.

Dhe ky operim i nevojshëm gjuhësor është ajo veçori me të cilën sillet kujtesa në vargun e këtij poeti. Xhevat Latifi është poet, që nuk vret me fjalën e tij artin e vargëzimit, por i jep jetë atij edhe kur fjalën e ngre nda dhebalta, apo dhemyku i egërsuar shekujve të jetëvargut. (marrë nga albaniannews)