Mobi Casa

Sinani: Ka kaluar koha e komandantëve, Limaj e Krasniqi s’e dëmtojnë PDK’në

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Largimi i Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit asgjë nuk e dëmton PDK’në. Secili duhet ta kuptojë se ka kaluar koha e komandantëve dhe njerëzve që thirren në të kaluarën. I kam trashëguar rreth 350 mijë euro borxhe nga udhëheqja e kaluar. Ujin dhe kanalizimet do t’i rregullojë brenda mandatit. Shaip Surdullin e ka kapur stresi dhe nervoza për sukseset e Komunës. Shpenzimet do të shkurtohen për 50 për qind e këtu hyn edhe shitja e xhipit. Kërkesat për largimin e Ramadan Mujës nga pozita e Kryetarit të Prizrenit janë ambicie të sëmura politike. Kryetari i Kamenicës, Begzat Sinani, flet për Express.

Express: Si e keni gjetur Komunën e Kamenicës katër vite pas rikthimit në pushtet?

B. Sinani: Së pari duhet të pranohet një realitet që si në çdo komunë tjetër, pas një mandati bart obligime dhe probleme të ndryshme. Edhe Komuna e Dardanës nuk i ka shpëtuar devijimeve të ndryshme sa i përket punëve që e kanë përcjellë një kryetar të mëparshëm. Unë po them në mënyrë jotendencioze, por detyrën e kryetarit e kam marrë me shumë mangësi.

Express: Cilat janë ato mangësi?
B. Sinani: Janë të ndryshme siç janë për shembull jo efikasiteti i administratës. Pastaj, stërmbushja e administratës me punësime. Kur jam larguar në vitin 2009 nga pozita e Kryetarit, shërbimi civil ka numëruar 170 punëtorë. Kur kam ardhur tash i kam gjetur 230 të punësuar. Kjo është një mbingarkim i shërbimit civil komunal.

Express: Çka do të bëni me këta punëtorë që e kanë mbingarkuar shërbimin civil?
B. Sinani: Si hap i parë, që unë e kam marrë është identifikimi i problemeve. Identifikimi i aktiviteteve që duhet të më përcjellin në një afat optimal. Kam evidentuar rreth 40 probleme që kam trashëguar, duke përfshirë edhe borxhet.

Express: Sa janë borxhet që i ka lënë Shaip Surdulli?
B. Sinani: Për çdo ditë nxjerr diçka. Edhe pse është bërë një prerje, por si duket s’ka qenë reale. Para katër ditësh kam pranuar një borxh i vitit 2012 për derivate në vlerë prej 16 mijë e 400 euro. Është një aktivitet që unë nuk e kam planifikuar në këtë tremujor. Çështja tjetër që kemi hasur se nuk ka pasur mbikëqyrje rreth ujësjellësit Kopernicë-Koloneq-Shipashnicë e Epërme që tash komuna i ka borxh kompanisë rreth 83 mijë euro pa ndonjë mbulesë

Express: Sa është borxhi total i Kamenicës i lënë nga Kryetari i kaluar?
B. Sinani: Nuk kërkoj dhe nuk kam kërkuar dhe nuk kam paraqitur para mediave këto çështjet e prerjeve të buxhetit. Por, bëhet fjalë për diku 350 mijë euro që për Komunën e Dardanën, Kamenicës është mjaft. Kemi probleme rreth kërkesave të ndryshme të qytetarëve. Unë ia kam vënë vetës një përgjegjësi që do të përballem edhe me këto sfida.

Express: Disa Kryetar të Komunave kanë dërguar dosje nëpër Prokurori për ish-udhëheqjet. A keni gjetur ju dokumente me të cilët duhet të merren organet e hetuesisë?
B. Sinani: Ky është obligim i çdo qytetari që për informacionet që mund t’i ketë të informojë organet e hetuesisë për shkeljet e ligjit. Përkundrazi, Kryetari i Komunës që është zgjedhur, në këtë rast unë – unë krejt orientimin e kam prej 19 dhjetorit kur e kam marrë përgjegjësinë e Kryetarit të Komunës. Periudha katërvjeçare fort nuk më ka interesuar. Janë organet kompetente që merren me çështje e hetuesisë dhe këto mua nuk më interesojnë fort. Mua më intereson puna nga dita kur e kam marrë mandatin e këtej. Jam plotësisht i vetëdijshëm se çdo komunë e përcjellin dobësi dhe mangësi. Ende nuk kemi arritur t’i përmbushim disa standarde që kërkohen nga faktori ndërkombëtarë. Po t’i arrinim ato standarde do ta kishim liberalizimin e vizave. Këto i shoh i çështje të vakuumit që është duke na përcjell.

Express: Cila janë tri projektet që do të mbaheni mend nga qytetarët e Kamenicës kur ta përfundoni mandatin?
B. Sinani: Objekti im ka qenë konstituimi i qeverisjes lokale. Këtë e kemi përmbyllur mirë. Pastaj konstituimi i organeve të Kuvendit Komunal. Krahas këtyre punëve kemi bërë edhe identifikimin e problemeve dhe aktiviteteve për këtë periudhë dhe për t’i zgjidhur këto probleme në kohë sa më të shpejt. Kam identifikuar më shumë se 40 probleme. I kemi sqaruar radhazi në Këshillin e Drejtorëve në tri mbledhjet e kaluara. Tash, jemi në rrugë të mirë që ato probleme që i takojnë Kuvendit Komunal t’i adresojmë në Kuvendin Komunal. Ato që i adresohen Ekzekutivit t’i zgjidhim ne. Çështja e projekteve që Kryetari dëshiron të identifikohet brenda një mandati të Kryetarit është çështja e furnizimit me ujë të pijshëm. Ekziston një projekt qe 35 vite për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit dhe për fshatra. Është një projekt i quajtur “Kremenata”. Kam pas kontakt me Ministrinë e Pushtetit kanë gjetur mirëkuptim dhe kanë vizituar Kryetarin. E kam siguruar projektin e detajizuar. Bashkërisht me Qeverinë dhe donatorët do të realizojmë këtë projekt madhor për qytetarët e Kamenicës. Projekti i dytë, është penda mbi fshatin Shipashnicë dhe një pendë tjetër në fshatin Hogosht, që do të siguronte ujë të mjaftueshëm për pije dhe ujitje. Projekti tjetër është ai i trajtimit të ujërave të zeza ose impianteve… Kryerja e këtyre projekteve do të pasqyrohen si sukses i një Kryetari brenda një mandati. Hap tjetër kemi bërë edhe ngritjen e Drejtorisë së Zhvillimit dhe Diasporës që do të merret me çështjet e zhvillimit ekonomik.

Express: Çka ka bërë Qeveria e Kosovës për këto shtatë vite për Kamenicën?
B. Sinani: Dua të flas vetëm për mandatin që e kam pasur 2007-2009 ku kam krijuar një raport të shkëlqyeshëm. Atëherë kemi arritur të sjellim në Dardanë 8.5 milionë euro investime në infrastrukturë, shkolla, kanalizime, ujësjellës. Jam shumë i kënaqur me këtë. Prej fillimit të mandatit tim kam filluar të ndërtojë raporte të shkëlqyeshme me Qeverinë pavarësisht se kush është Kryeministër.

Express: Shumëkush kritikon Qeverinë se e ka anashkaluar jo vetëm Kamenicën por tërë Anamoravën?
B. Sinani: Unë si kryetar i Komunës dua ta ndryshoj këtë koncept. Nuk jam kryetar që vetëm ankohem. Unë e kam qasjen ndryshe. Unë udhëhiqem nga ajo që mos të ankohem.

Mobi Casa

Express: Çka kërkoni prej Qeverisë?
B. Sinani: Kërkoj dhe kam kërkuar që të realizojmë projektet që i përmenda. Nëse arrijmë bashkë me Qeverinë t’i realizojmë këto projekte, atëherë unë jam i kënaqur. Mos të flasin tash për investimet ose për projektet me një kapacitet më të vogël. Dje kam nënshkruar një kontratë me një Ministri për investime në një kanalizim… ose tash pritet të nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës për një rrugë që do të lidhë gjithë pjesën e malësisë që kushton 1 milion e 200 mijë euro.

Express: Ish-Kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli, para pak ditësh, ka thënë se mirë është qyteti kush po e udhëheq. Cila është përgjigja juaj?
B. Sinani: Nuk merrem me opinionet e humbësve në këto zgjedhje. E di që ai ka probleme në partinë e tij. Është një shqetësim dhe nervozë për sukseset e Komunës. Sukseset shihen te qytetarët. Normalisht, kundërshtarët politik janë në stres dhe në nervozë.

Express: Çka do të ndodh me xhipin e blerë nga ish-Kryetari

B. Sinani: S’di pse po e përmendni Shaipin, sepse s’është inati te Shaipi. Unë e shoh një kryetar të Komunës të afërt me qytetarët. Momentin që një kryetar i nivelit si Kamenica, por jo si Prishtina e Gjilani, shëtitet me xhip nëpër qytet ke krijuar një hapësirë mes qytetarëve dhe kryetarit. Xhipin do ta shesim gjithsesi. E kam proceduar në Kuvendin Komunal dhe është aprovuar kërkesa ime. Kam filluar procedurat për ta shitur. Kryetarit të Komunës nuk i duhet një xhip i tillë. Kryetarit të Kamenicës i duhet një auto modeste për të kryer shërbimet e nevojshme për nevojat e komunës. Nuk është modeste nëse një veturë brenda një viti shpenzon diku 17 mijë euro derivate. Nuk është e udhës të kem një veturë e cila harxhon për 100 kilometra 13 litra naftë. Edhe në Këshillin e Drejtorëve e kam potencuar se shpenzimet do të shkurtohen për 50 për qind si në karburante, telefoni…

Express: Cili Kryetar të Komunës e keni model në Kosovë për ta udhëhequr Kamenicën?
B. Sinani: Unë dua të jem unikat. Nuk imitoj askënd.

Express: Cili është mendimi juaj për Kryetarin e Prizrenit i dënuar dhe i cili ka pezulluar pozitën e kryetarit?
B. Sinani: Nuk është e udhës që të vlerësoj diçka të tillë. Vendimi i gjykatës është vendim i gjykatës. Pak disa gjërat po nguten. Ose janë të shtyrë prej ndonjë subjekti politik, po them troç, që gjërat të shkojnë pa u përtypur. Protestat në Prizren janë hap që nuk po përtypet. Duhet të pritet vendimi i formës së prerë. S’po di kujt po i ngutet. Kjo është luftë për pushtet. Sa më shpejt me heq atë me ardhë unë. Kjo është ambicie e sëmurë e njerëzve. Kjo që po ndodh në Prizren është bërë model prej Universitetit të Prishtinës. Është bërë model se kush proteston u krye puna. Organizohen 15 veta dhe u krye puna.

Express: A e keni një mendim se çka është duke ndodhur në PDK në Qendër?
B. Sinani: Unë jam i informuar bash mirë për rrjedhën si subjekt politik. Është duke shkuar shumë mirë. Nuk po flas politikisht, por e kam bindje se fituese e këtyre zgjedhjeve do të jetë PDK’ja.

Express: Po shkon mirë edhe me largimin e Limajt e Krasniqit?
B. Sinani: Nuk dua t’i përmendi ata. Po them se PDK’ja në krye me Hashim Thaçin Kryeministër është ka bënë atë që unë kam ideuar dhe kam menduar se duhet të ndodh në PDK. Njerëzit që pak a shumë janë harxhuar, pak a shumë s’u ka mbetur energji. Njerëzit që janë thirrur në ish-komandantë të UÇK’së, njerëzit që janë thirr pak a shumë te të burgosurit politik duhet të ndalen pak. Sepse njerëzit janë lodhur. Edhe elektoratin e kanë lodhur. Duhet njëherë e përgjithmonë të hiqet logjika e komandantit, sepse kjo kohë ka kaluar. Nuk po përmendi emra.

Express: Sa e dëmton PDK’në largimi i Limajt e Krasniqit?
B. Sinani: Asgjë hiq. Asgjë. Hiq e zbeh fitoren dhe aktivitetet e PDK’së. PDK ka kuadro dhe njerëz që janë të zotë. Ka energji të mjaftueshme që të tejkalojë këto sfida. Ka energji të njerëzve që t’i fitojmë zgjedhjet. Po e marrë shembull kabinetin që e kam këtu. Është zonja magjistre e shkencave ekonomike, tjetri është Zëdhënës në Fakultetin e Drejtësisë. Është tjetri gazetari në zyrën për informim që i ka tri çmime në Bruksel te Chatherine Ashton. Bëhet fjalë për një strukturë që del shumë e fuqishme për zgjedhjet nacionale.

Express: Në zgjedhjet e fundit PDK ka humbur Gjilanin, Lipjanjn, Mitrovicën…?
B. Sinani: Pikërisht tash janë ka kujtohen se ç’ndodhi në Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë edhe mos me përsërit gabimet. Besoj se nuk do t’i përsëritin gabimet. Pse fitoj Kamenica? Fitoj pikërisht në rrugën që e ka Hashim Thaçi, duke futur elektrone të reja që i shti në lëvizje tërë makinerinë dhe fituam. Nëse mbështetemi dhe thirremi në bagazhin e të kaluarës dihet e se e pret fati i Gjilanit dhe fati i Mitrovicës.