RCCOLA

S’ia varin kryeministrit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Vendimi i Qeverisë që e ndalon organizimin e seminareve jashtë shtetit me para të buxhetit të Kosovës, është në fuqi nga viti 2008, por si i tillë, ai thuajse nuk po respektohet fare. Në vendimin e siguruar nga gazeta thuhet se me qëllim të kursimit të buxhetit të konsoliduar të Kosovës, të gjitha seminaret dhe uorkshop-et, që organizohen me mjetet e buxhetit të Kosovës, të mbahen vetëm brenda territorit të Kosovës.

Por, pesë vjet pas këtij vendimi, seminaret jashtë Kosovës, nuk ndalen, madje ato shfaqen edhe publikisht, shumicën prej të cilave mund t’i shihen edhe në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ku qyteti i Durrësit në Shqipëri është destinacioni më i frekuentuar. Para pak ditësh,Qendra kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka shpallur tender për dhënie të kontratës për një seminar në Durrës. Kjo qendër është më e shpeshta me organizime të tilla, ku shpenzimi më i vogël për to, është 10 mijë euro. Meqë Qendrat e Mjekësisë Familjare janë nën mbikëqyrjen e komunave, gazeta ka kontaktuar me komunën e Prishtinës, por ajo nuk ka kthyer përgjigjeje për disa ditë.

Me para të shtetit seminare jashtë vendit kanë organizuar edhe institucione tjera të larta shtetërore, shumica prej të cilave nuk bëhen as publike. Disa të kontaktuara nga “Zëri”, nuk kanë shprehur gatishmëri të flasin për këtë çështje, siç është Ministria e Administratës Publike (MAP), edhe pse janë pritur për përgjigje për më shumë se katër ditë. E kontaktuar direkt, Birsen Shufta, këshilltare e ministrit në MAP, nuk e ka pohuar por as mohuar se kjo ministri bën organizime të tilla. Ka premtuar se do t’i shikojë për disa raste, por më pas nuk është lajmëruar më.

Prej ministrive tjera, nuk ka hezituar të flasë vetëm Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, i cili ka thënë se ministria të cilën ai udhëheq nuk shfrytëzon paratë e buxhetit të Kosovës për organizime të tilla. I pyetur në përgjithësi për shkeljen e vendimit të Qeverisë nga ana e shumë institucioneve publike, Hajredin Kuci edhe pse është pjesë e kabinetit Thaçi, ka thënë se ai mund të flasë vetëm për Ministrinë e Drejtësisë. “Unë mund të flas vetëm për Ministrinë e Drejtësisë, ku seminaret jashtë vendit organizohen vetëm me donatorë, jo me para të buxhetit të Kosovës”, është përgjigjur shkurt.

UBT

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe zyrën e sekretarit të kryeministrit, por ka qenë e pamundur të marrë përgjigje.

Në anën tjetër deputet të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës thonë së institucionet organizojnë seminare jashtë vendit, vetëm e vetëm për të përfituar nga mëditjet. “Përderisa kemi këso qeveritarë që nuk kanë ndjeshmëri ndaj parasë publike që të mendojnë në shfrytëzimin racional të parasë së qytetarëve, sigurisht që mjerimi social që e ka kapluar këtë vend do të rritet dita ditës edhe më shumë”, thotë për gazetën “Zëri” Albana Fetoshi nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Edhe Alma Lama, po ashtu deputete në Kuvendin e Kosovës, thotë se kjo Qeveri jo vetëm për seminare, por edhe për udhëtime zyrtare, paranë publike e harxhon shumë më tepër se që ka nevojë, duke marrë shpesh herë me vete edhe staf të panevojshëm, vetëm për shkak mëditjeve. “Përveç që dëmtojnë buxhetin, po dëmtojnë edhe turizmin, sepse Kosova ka vende të bukura, hoteleri ku mund të organizojnë seminaret, por nuk e bëjnë, vetëm shkaku i marrjes së mëditjeve. Kjo është e tmerrshme duke marrë parasysh se sa e varfër është ekonomia e vendit”, tha ajo./zeri/