Fidanishtja

Si u dëbua popullata e Nasalës nga vatrat e tyre stërgjyshore

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Lufta është e keqe, ajo sjell tragjedi dhe kob. Njerëzit nuk e adhurojnë luftën. Ajo urrehet. Ajo nuk sjell të mira, por sjell fatkeqësi në njerëz. Dhe, këtë luftë barbare e përjetoi ynë populli shqiptar. Pse jo? Kur është gjuajtur fshati Llashticë nga forcat e errta serbe nga fshati Pasjan, më 27 mars (1999), lladovasit i madh e i vogël u gjenden në Nasalë. U gjenden në orët e vona të mbrëmjes. Edhe nasalasit u frikësuan nga kjo ikje e tyre. Ajo natë u kalua, por pa gjumë në sy. Erdhën me qerre e në këmbë, sa secila shtëpi i pati të strehuar nga dhjetëra vetë brenda.

Disa qytetarë lladovas natën e kaluan nga frika nëpër rrugët e fshatit Nasalë. Kjo ishte realitet. Ndjenin frikë gjer në palcë. Erdhën banorët e fshatit Lladovë në Nasalë. Pati gra, burra të moshuar, të sëmurë e të rinj. Dita e nesërme ishte Ditë Bajrami i vogël. Përsëri lladovasit, kur e kaluan një natë në ethe, në Nasalë, ata me 28 mars u kthyen përsëri në fshatin e tyre, Lladovë. Ishte ky kthim jo i sigurët. Jo i sigurtë, për faktin se, shumë forca të makinerisë serbe, të armatosur gjer në dhëmbë, ishin vendosën në hyrje të fshatit Zhegër, te kooperativa bujqësore, por u vendosën edhe në thellësi të fshatrave tjera të Karadakut.

Nga data 31 mars, edhe banorët e Nasalës ikën në Remnik e Gjylekreshte (Skyfter). Ikën, për faktin se këtu disa ditë me parë erdhën ushtarakë serbë dhe vërenin lëvizjen njerëzve të këtij fshati. Nga kjo “gjendje” nasalasit u frikësuan që të mos u ngjan ndonjë e keqe e papritur. Fshati u zbraz nga njerëzit, por nëpër shtëpia mbetën bagëtia pa njerëz, por pak ditë mbeti e vetmuar në shtëpi edhe plaka Nazmije Selimi, 92-vjeçare. Ajo ishte e paralizuar. Nuk kishte mundësi për kohën të mirrej me vete. Mendohej se kjo “gjendje” do të kalojë. Kjo plakë e moshuar, pas dy dite, nëpër kohë të rrezikshsme, u mor me qerre nga të afërmit e saj dhe vendoset në familjen e Gani Ibrahimi në Remnik. Ajo nuk mundi ta përballojë jetën dhe vdes në fshatin Remnik, më 9 prill 1999. Ishte një vdekje para kohe nga pasojat e luftës. Edhe sot trupi i saj prehet në varrezat e fshatit Remnik.
Më datën 31 mars 1999 është gjuajtur edhe fshati Nasalë nga Parteshi. Këtë barbari e ka bërë ushtria paramilitare serbe. Mezi kanë shpëtuar nasalasit nga plumbat e të gjitha llojeve të armatimit. Jo vetëm kaq.

Pak ditë pa filluar lufta në këto anë, nasalasi, Shaqir Veliu ishte sëmurë. Djali i tij, Emrushi me dy vendas e dërgon me makinë në Gjilan për shërim. Duke kaluar rrugën nëpër Budrigën serbe, ata fyhen dhe maltretohen keq nga serbët. E kalojnë rrugën me rrezik. Kur e vendosin Shaqirin në spital, më 24 mars 1999, në mbrëmje filloi bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe. Shaqir Veliun (1938) e ndalin mjekët në spital. Emrushi, djali i tij përshëndetet për herë të fundit me babanë. Emrush Veliu kthehet menjëherë në fshat, Nasalë. Kthehet, por me droje. Gjendja ishte e tendosur dhe e acaruar. Përsëri, kur erdhi data 26 mars, Emrushi mori rrugën për në Gjilan për ta parë baban e tij të sëmurë. Mezi kalon nëpër këtë fshat. Ai mëson se babanë ia kishin transferuar në Prishtinë. Kthehet në shtëpi, por me dhembje trupi. Pas kësaj date, më 29 mars (199) vritet në Zhegër Fitim Tahiri, ndërsa po me datën 30 mars (1999) vriten Ukshin e gruaja e tij, Miradije Ukshini nga fshati Nasalë.

Nasalasit ikën nga kjo kohë me “rrezik” jete. Ikën kah sytë-këmbët. Atë ditë kur ikin nga fshati i tyre, zihet në shtëpi (Nasalë) nga ushtarët serbë Emin Emini nga Nasala. Ate e pyesin:”Pse rrin këtu?” E, ai i përgjigjet: “I kam disa lopë dhe desha t’i lëshoj”. “Pse po groponi mbi fshat istikame kundër nesh”? E, ai iu përgjigjet: “Jo istikame, por dy varre se i kanë vra paramilitarët serbë në Zhegër”. Ata zihen ngusht, ndërsa Emini mezi i shpëton rrezikut nga këtë ushtarët serbë. Edhe ky ik kah Remniku dhe nuk vjen më në fshatin e tij.

Mobi Casa

Dhe, pas disa ditësh, mësohet se Shaqiri Veliu, i dërguar në spitalin e Prishtinës vdes 25 mars 1999. Ky fshatar është gjetur më vonë pas luftës në varrezat e Prishtinës. Varrimi i trupit të tij të pajetë është bërë në Nasalë nga familja e tij. Dhe, jo vetëm kaq.

Fshatarët nasalas, të cilët gjetën strehim në Remnik jetuan me skamje dhe droje. Jetuan pa gjumë e uri. Pati momente që u provokuan nga forcat e errta serbe.

Disa ditë remnikasit me nasalasit u gjenden ne mal. E “jetuan” jetën në mal dy javë nën qiellin e hapur. Pas dy jave ata kthyehen në vatrat e tyre. Por, më 15 prill (1999) në Gjylekreshtë erdhën forcat e errta serbe. Këtu, nga orët e mëngjesit filluan t’i djegin shtëpitë, por edhe t’i maltretojnë njerëzit e pafajshëm. Pra, një fat të rëndë e të keq e pati popullata e Gjylekreshtës me banorët e Nasalës, të cilët gjetën strehim në këtë fshat të komunës së Vitisë. Në ofensivën e 15 prillit (1999), këtu u vranë nxënësja e klasë së II-të, Shkurte Sadiku (9), mandej janë vrarë nga paramilitarët serbë, Malësore Sadiku (4), Sahide Ramadani, kurse është plagosur Drenushe Sadiku dhe Seniha e Ramize Ramadani. Por, në këtë ditë, më 15 prill, në pamundësi të ikjes, në fshat ngjau një masakër në njerëz, të cilët i vranë dhe i dogjën për së gjalli forcat e errta serbe, si janë: Mehmet e Selami Ismajli.

Në këtë ofensivë serbe e pësuan keq shumë nasalas. Ata u morën me kultivator dhe i dërguan gjer te rruga Gjilan-Ferizaj. Rrugës i rrahën, i detyruan të shtrihen për tokë dhe i plaçkitën gjer në fund. Më në fund, këta shpëtojnë nga xhelatët serbë, të cilët deshën t’i vrasin pa asnjë gjurmë te Ura e Ivës, afër fshatit Radivojc.

Sot nasalasit rrëfejnë dhe rrëfimet e tyre janë akoma të freskëta, por të dhimbshme e trishtuese që i kanë përjetuar ato momente të jetës gjatë luftës barbare serbe 1999. Këto ngjarje të luftës së fundit nuk do të harrohen lehtë./tefik selimi/rajonipress/