KKVITI

Mustafë Shala atdhetar dhe humanist me zemër të madhe

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ismet Rashiti – Mustafë Shala, u lind më 14 prill të vitit 1954 në fshatin Ponesh të Gjilanit. Vitet e pesëdhjeta ishin vitet më të rënda për popullin shqiptar, i cili padrejtësisht kishte mbetur nën sundimin serb. Mustafa i vogël lindi vetëm një dekadë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pasojat e të së cilës ende po rëndonin mbi kurrizin e shqiptarëve. Gjendja e vështirë ekonomike, mungesa e shkollave fillore, të mesme dhe veçmas mungesa e universitetit dhe shkollave të larta, në masë të madhe kishin lënë pasoja në arsimimin e shqiptarëve.

Mësimet e para, Mustafë Shala i mori në oden e njohur të Ismajl Poneshit. Aty, Mustafa ka filluar formimin si atdhetarë dhe ka ushqyer shpirtin e tij të njomë me rrëfimet e pleqve për masakrat serbe dhe rezistencën e shqiptarëve ndër shekuj në këto troje.

Mustafë Shala, mësimet e para i filloi në shkollën fillore “Zenel Hajdini” të fshatit Bresalc, fshat ky shumë afër Poneshit. Moshatarët e tij e përshkruajnë si fëmijë të urtë, të sjellshëm dhe shumë principiel. Ndikim të madh në formimin e tij të parakohshëm, sigurisht kishte bërë edukata e shëndoshë familjare dhe oda e njohur e familjes Shala. Këto virtyte të larta njerëzore reflektoheshin edhe në rrethin shoqëror. Mustafa shtatshkurtër e fjalëpak, ishte bërë ndër nxënësit më të besueshëm në shkollë dhe më gjërë. Falë pjekurisë së tij, mësimdhënësit patriotë, e mbanin afër dhe bisedonin për probleme të rëndësishme që lidheshin me jetën e vëshirë të malësorëve të kësaj ane dhe vazhdimin e përpjekjeve të patriotëve shqiptarë për avancimin e çështjes kombëtare.

Pas mbarimit të shkollës fillore, Mustafë Shala, ishte regjistruar në gjimnazin e Gjilanit që mbante poashtu emrin e dëshmorit nga Tupalla e Medvegjës, “Zenel Hajdini”. Edhe si nxënës i shkollës së mesme, Mustafa shoqërohej me rininë përparimtare të kohës. Ashtu i heshtur merrte pjesë në organizimet kulturore e sportive që kishin karakter kombëtar. Gjithnjë modest, i afërt me të gjithë, human dhe i fjalës. Gjithnjë ka dashur të dëshmohet me punë e rezultate konkrete. Në asnjë rast nuk i pëlqenin ata që bënin fjalë të mëdha, e punë të vogla ose nuk bënin asgjë. Kjo mënyrë e jetës dhe e veprimeve konkrete, e kishte bërë të respektuar. Mbi të gjitha dallohej për shpirtin e tij human, bamirës e solidarizues me të gjithë ata që kishin nevojë.

Për shkak kushteve të vështira, atdhetari, Mustafë Shala emigron në Gjenevë të Zvicrës. Aty krahas punëve të ndryshme që bënte, ndonëse me kujdes shumë të madh, filloi merrej me veprimtari patriotike: Lexonte dhe shpërndante gazeta e libra të ndaluar për kohën. Pas demonstrative në Kosovë për Republikën e Kosovës, merrte pjesë dhe shpërndante thirrje edhe pse përcillej nga spiunët si nip i atdhetarit të Shqipërisë Etnike, Hajrullah Tërpeza dhe i patriotit, Ismajl Poneshi. Pastaj ishte kryetar i Këshillit për Grumbullimin e 3%, të cilin për një kohë e kishte udhëhequr me sukses.

Gëzimin më të madhe e kishte pasur kur ishte takuar me dajën, Hajrullah Tërpeza, për të cilin si fëmijë i kishte folur nëna. “Ishte një gëzim I papërshkrueshëm. Disa ditë më pare nuk më zinte as gjumi. Doja t’a takoja sa më shpejtë edhe pse një takim I tillë ishte me rreziqe të mëdha”, thoshte Mustafa.

Pas kthimit në Kosovë, falë zgjuaresisë së tij dhe familjes së përkushtuar, filloi të merret me biznes dhe u tregua shumë i suksesshëm. Krahas biznesit, ai ishte future i tëri në shërbim të kauzës kombëtare. Ndihmonte të gjitha subjektet politike me mjete financiare, grupet kulturore e sportive si dhe nevojtarë të shumtë.

KKVITI

Kontribut të veçantë kishte dhënë gjatë kohës së luftës çlirimtare. Mustafa ishte bërë një mbështetës i madh me gjithë potencialin financiarë që kishte Atdhetari Mustafë Shala, njihej edhe si afarist i suksesshëm, mirëpo mbi të gjitha e kishte lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. “Pa liri nuk .na duhet asgjë”, thoshte sa here që bisedonim. Krahas luftës së bëhej në malet e Karadakut, në qytet funksiononte Këshilli i Emergjencës, i cili grumbullonte mjete financiare, gjëra ushqimore, strehonte popullsinë dhe mobilizonte rezistencën popullore. Mustafa ishte bërë një shtyllë e forte dhe ndihmonte parezerva aty ku e kërkonte nevoja.

Babai i Mustafës, Selim Shala vendosë që të hollat e haxhit t`i jep për UÇK-në. Ky gjest atdhetar në ato ditë të vështira, sa kishte ndihmuar materialisht, disa herë më shumë kishte ngritur moralin dhe besimin e qytetarëve për çlirimin e Kosovës. Ndërkaq për Mustafën dhe gjithë familjen Shala, ishte edhe një obligim më tepër për një angazhim më të madh në të gjitha fushat ushtarake, institucionale, partiake e humanitare, ndërkaq që shtëpia e Mustafës ishte shndërruar në një bazë të forte ushtarake, ku hynin e dilnin veprimtarë të shumtë.

Pas luftës, Mustafë Shala nuk ka pushuar për asnjë çast së kontribuari për forcimin e institucioneve komunale dhe stetërore. Një kohë ishte nënkryetar dhe për një kohë edhe kryetar i shoqatës “Miqtë e TMK-së”. Kontribut të madh kishte dhënë në rregullimin e kazermës së TMK-së në Gjilan. Ishte anëtar i Këshillit Qendror për Financim dhe bashkëpjesëmarrës në investime për ndërtimin e kampusit të shkollave në Gjilan.

Mustafë Shala ishte i afërt me të gjithë dhe nuk i interesonte partia. Më rëndësi për Mustafën ishte të forcohet shteti, FSK-ja, shkollat, drejtësia dhe shëndetësia.

Mustafë Shala, ndërroi jetë, duke lënë mbrapa një veprimtari të dendur patriotike. Ai do të kujtohet gjithnjë si një mik i mire, si një atdhetar I kulluar që fliste pak e punonte shumë!

Për Mustafë Shalën, vitin e kaluar është botuar një monografi me titull “Liria mbi të gjitha” nga autori, Ismet Rashiti./rajonipress/