Si organizohej dita e tregut në Gjilan dhe panairet

Gjilan – Gjilani si qendër kryesore zejtare e tregtare e Anamoravës kishte ditën javore të tregut, në fillim ditën e enjte (sipas disa të dhënave të martën), kurse më vonë si edhe tani ditën e shtunë ku dominonin prodhimet vendore si zejtare ashtu edhe bujqësore, e blegtorale si drithi, leshi, lëkurat, prodhime metalike, pëlhurat, veshmbathjet dhe bulmetet.
Mirëpo në gjallërimin e ekonomisë fshatare dhe qytetare, pos ditëve të tregut, vend të rëndësishëm zinin panairet. Kështu mungesën e zhvillimit të tregtisë Gjinollët filluan ta kompensonin me vendosjen e dy panaireve në 15 maj dhe 20 qershor dhe zgjatnin nga dy ditë.
Si ditët e tregut ashtu edhe panairet mbaheshin kryesisht në qendër të qytetit, në afërsi të dyqaneve zejtare e tregtare, ku edhe zhvillohej tregtia e qytetit thuhet pos tjerash në librin e historianit Aliriza Selmani:”Gjilani qendër e Anamoravës nga themelimi deri në gjysmën e parë të shekullit XX”./rajonipress/