Si mund të realizohet bashkimi Kosovë-Shqipëri?

Nga Bashkim Muça – Shqiptarët duhet të zgjedhin njërën nga të dyja: ose me dy shtete në Evropë, e për pasojë edhe me dy kombe, ose me një shtet nëpërmjet një marrëveshjeje me palën në konflikt, me mbështetje ndërkombëtare, në mënyrë që të mos e festojmë datën e pavarësisë së Kosovës edhe prej Shqipërisë, por datën e çlirimit të saj dhe atë të bashkimit me Shqipërinë.
Në kulmin e një atmosfere nacionaliste shqiptarët festuan 5-vjetorin e njohjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës, të fituar qysh prej vitit 1999. Pavarësia, siç është tani, erdhi si një kompromis mes shqiptarëve dhe faktorëve ndërkombëtarë, pas një lufte në të cilën u përfshi NATO-ja, forca më e madhe ushtarake botërore. Ajo çka vazhdon ta mbajë situatën të komplikuar është se Serbia nuk u përfshi në këtë kompromis, duke e lënë procesin të hapur për një zgjidhje përfundimtare.
Shqiptarët ndodhen sot përpara zgjedhjes së njërit prej dy projekteve madhore: projektit të filluar të ndërtimit të një shteti të dytë, për të cilin SHBA-ja dhe Evropa deri tani kanë investuar shumë dhe projektit të bashkimit në një shtet të Kosovës me Shqipërinë. Projekti i parë bart dy rreziqe: së pari, reduktimin e kombit shqiptar për shkak të orientimit të kombësisë drejt shtetformimit të ri dhe, së dyti, kërcënimin e pandalshëm të paktën për shkëputje të veriut të Kosovës, pa asnjë kompensim. Me gjithë investimin e bërë ky projekt ka treguar se është asnjëherë plotësisht i realizueshëm, për arsye të goditjeve nga të dyja anët, shqiptarët që kërkojnë bashkimin në një shtet dhe serbët që kërkojnë të paktën shkëputjen e veriut.Le të flasim në detaje për projektin e dytë që bazohet në një marrëveshje shqiptaro-serbe, për shkëmbimin e territoreve, marrëveshje kjo që do t’i jepte fund, njëherë e mirë, konfliktit të gjatë midis dy popujve. E para gjë që mund të thuhet, në fazën ku ndodhemi, është se të dyja palët e mbështesin idenë e këmbimit të territoreve. Por asnjëra prej tyre nuk ka marrë ndonjë iniciativë zyrtare për ta kërkuar.
Një nga arsyet se përse shqiptarët hezitojnë ta kërkojnë realizimin e këtij projekti është frika se mund të humbasin territore, duke shpresuar të pamundurën, se mund të bashkohen në një shtet edhe me veriun brenda. Nga ana tjetër, serbët shpresojnë të shkëpusin veriun, pa asnjë kompensim territorial. Duke siguruar fillimisht një status vetëqeverisjeje e më pas shkëputje.
Në këtë tërheqje, në kahe të kundërta, këmbimi pjesor i veriut me Luginën do të ishte kompromisi që mund të sillte ekuilibër të plotë nga i cili do të përfitonin të dyja palët, shqiptarëve do t’u hapej rruga për bashkim në një shtet (asgjë s’do ta pengonte këtë), ndërsa serbët do të mbyllnin përfundimisht problemet me kufijtë në jug.
Kompromisi që do të sillte një zgjidhje të madhe konsiston në këmbimin reciprok të 2-3 komunave, të cilat kanë sipërfaqe të përafërta. Nga një analizë në detaje na rezulton se tri komunat e veriut të Kosovës, me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan kanë një sipërfaqe prej afro 889 km2 dhe një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh mbi 90% e të cilëve janë serbë, ndërsa mbi 95 % janë joshqiptarë. Më konkretisht, Zubin-Potoku është një territor me sipërfaqe 335 km2 dhe ka një popullsi prej rreth 15 mijë banorë nga të cilët 93 % janë serbë, Leposaviqi është 450 km2, me një popullsi rreth 20 mijë banorë 97 % e të cilëve janë serbë, Zveçani 104 km2, më popullsi 16 mijë banorë, nga të cilët 75 % serbë, ndërsa vetëm 2% janë shqiptarë, pjesa e mbetur janë minoritete të tjera.
Në krahun tjetër tri komunat e Luginës së Preshevës së bashku kanë një sipërfaqe prej 1244 km2 dhe një popullsi prej rreth 84 mijë banorë mbi 65 % e të cilëve janë shqiptarë. Më konkretisht Presheva ka një sipërfaqe prej 264 km2 dhe popullsi 34 mijë banorë prej të cilëve 92% janë shqiptarë (mbi 31 mijë shqiptarë), Bujanoci 461 km2 me popullsi 43 mijë banorë prej të cilëve 55 % janë shqiptarë (mbi 23 mijë shqiptarë), Medvegja 524 km2 me një popullsi mbi 7 mijë banorë, 70% e të cilëve janë serbë.
Dy problemet më të mëdha në rast diskutimi për këmbim të territoreve mbeten pjesa veriore e Komunës së Mitrovicës dhe Komuna e Medvegjës që rezulton me shumicë dërrmuese serbe. Që do të thotë se mund të realizohet ruajtja kompakte e qytetit të Mitrovicës brenda territorit të Kosovës duke sakrifikuar ndoshta Komunën e Medvegjës, një rajon i banuar dikur në shumicë shqiptarësh etnikë.
Zgjidhja më optimale që mund të kënaqte të dy palët do të ishte këmbimi i 3 komunave të veriut me shumicë serbe me dy komunat e Luginës me shumicë shqiptare. Që do të thotë në këmbim të tri komunave në veri me sipërfaqe 889 km2 dhe popullsi 50 mijë banorë 95% e të cilëve janë jo shqiptarë, dhe të merren dy komunat e Luginës me sipërfaqe 725 km2 dhe popullsi prej 77 mijë banorë me mbi 70% shqiptarë. Shqiptarët do të linin territore që e kanë të pamundur ti marrin (Medvegjën) por do arrinin të përjashtonin ndarjen në lumin Ibër, ndërsa serbët do të përfitonin një rajon më të madh në sipërfaqe. Ajo që mund të ndodhë me Medvegjën ka ndodhur në rajone shumë më të mëdha si në Shkup, Manastir (Bitola) etj., në Maqedoni, ku shqiptarët historikisht kanë qenë shumicë, ndërsa sot janë në pakicë të theksuar.
Dëshirat dhe realitetet janë në shumicën e rasteve larg njëra-tjetrës. Të gjithë shqiptarët do ta donin Shqipërinë një shtet të fuqishëm në Ballkan me më një pozicion gjeografik të favorshëm që do të kishte disa herë më shumë mundësi të ecte përpara. Por punët janë ngatërruar aq thellë në histori sa që sot është e pamundur të realizohen dëshirat. Shqiptarët duhet të shkojnë drejt zgjidhjeve të pranueshme, në mënyrë që problemet të marrin fund dhe njerëzit të mendojnë për prosperitet dhe jo për luftë. Serbët e bënë gabimin e mbajtjes së Kosovës me dhunë për gati një shekull dhe ja ku erdhën.
Për të gjithë ata që mbështesin opsionin e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën duhet të jetë e qartë se ky opsion është i pamundur të arrihet paqësisht me kufijtë ekzistues. Këmbimi i territoreve është një debat i gjerë, i thellë dhe i guximshëm, por që do të çonte në një kompromis në favor të dy palëve. Balanca duket e mundur: dy territore me sipërfaqe të përafërta, me numër po të përafërt popullsie në anë të kundërta. Më e rëndësishmja është se ndërkombëtarët nuk do ta refuzonin një marrëveshje ekuilibri, në interes të dy palëve.
Marrëveshja shqiptaro-serbe është e vetmja mundësi paqësore për bashkim të shumicës së shqiptarëve në një shtet të vetëm. Të gjithë ata që artikulojnë bashkimin përtej kësaj, ose nuk ia kanë idenë se çfarë bëhet, ose konsumojnë politikë boshe për interesa çasti. Shqiptarët duhet të zgjedhin njërën nga të dyja: ose me dy shtete në Evropë, e për pasojë edhe me dy kombe (është vetëm një marketing ideja e bashkimit në Evropë, e hedhur në kohën kur politikanët shqiptarë nuk kishin guximin të flisnin hapur as për pavarësinë e Kosovës), ose me një shtet nëpërmjet një marrëveshjeje me palën në konflikt, me mbështetje ndërkombëtare, në mënyrë që të mos festojmë datën e pavarësisë së Kosovës edhe prej Shqipërisë, por datën e çlirimit të saj prej Serbisë dhe atë të bashkimit me Shqipërinë.