Shumë pak angazhim në zhvillimin e kulturës…

Nga Rexhep Hasani – Jeta kulturore në Komunën e Kamenicës shkon drejt braktisjes. Siç ndodh në një provincë. Megjithëse ky qytet ka qenë dikur burim vlerash artistike e talentesh, aktualisht ka një jetë artistike inerte, e cila është larg jo vetëm asaj që duhej të ishte, por dhe asaj që ka qenë dikur.
Aktivitetet e pakta janë spontane dhe vijnë kryesisht si përpjekje të individëve artistë dhe jo si ngacmime të drejtuesve të artit, që duhet të jenë promotorët e tyre. Në Kamenicë mungon një strategji, një platformë Kulture. Komuna e Kamenicës duhet marr shembull pozitiv nga manifestimi shumekulturor i “Flakës së Janarit”, qe organizon qyteti i Gjilanit, ku për disa javë rresht ky qytet u shndërrua në një kryeqendër të kulturës shqiptare.
DKRS-ja disa vite përpiqet të angazhohet për të bërë diç në ngritjen e vlerave kulturore në këtë komunë, porse mjetet financiare e bënë këtë drejtori të t`kurr jetën kulturore pa dashje.
Porse, puna bëhet me inercion, dhe për këtë, kultura degradohet nga ajo e vërteta që quhet art. Unë shpresoj dhe kam dëshirë që drejtuesit e sektorit të kulturës ta kërkojnë e ta gjejnë çelësin e asaj që quhet art. Duke ditur se gjendja ekonomike e komunës dhe forcat financuese të tij nuk kanë bërë gjë për artin në këto vite, duhet që vetë institucionet artistike të vetadministrohen dhe vetorganizohen dhe kjo do të sjellë më shumë jetë artistike dhe vazhdimësi gjeneratash.
Sipas një matësi ka pasur ngecje në zhvillimin e kulturës si pasojë e neglizhencës nga ana e atyre që thirren se i takojnë kësaj lamie, për shkak të të cilave aktivitetet kulturore të Komunës së Kamenicës kanë rënë në hije. Kamenica, si qytet i skajshëm i Republikës së Kosovës, paraqet një potencial të paeksploruar sa duhet në funksion të zhvillimit të kulturës siç është zakonisht në qytetet tjera të Kosovës dhe kësisoj, format e bashkëpunimit në mes komunës dhe organizatave të kulturës duhet të jenë sa më afër njëra tjetrës.
Ndërkohë, duke pasur parasysh potencialin e artistëve në këtë komunë dhe ofrimit të aktiviteteve për këtë potencial, nuk është arritur akoma të bëhet një baraspeshë i tillë, por, pavarësisht kësaj është e lehtë të dihet që Komuna e Kamenicës akoma nuk ka arritur të zhvillojë potencialin kulturor për qytetarët e saj.
Në anën tjetër, ka shumë pak angazhim në përkushtimin e Komunës në zhvillimin e kulturës në këtë qytet. Kjo komunë ka tash e disa vite që bën investime të ndryshme në infrastrukturën e kulturës, sidomos në Trashëgiminë Kulturore, por duhet të shihen rrugët e bashkëpunimit në mes organizatave kulturore dhe komunës, aktivitetet e ndryshme kulturore kanë nevojë për mbështetje materiale, gjë që ka munguar një mbështetje e tillë.
Një matës intern (bisedë e sipër) me të rinjtë kamenicas që kanë të bëjnë me jetën kulturore që zhvillohet në qytet, ka nxjerrë në pah shijet kulturore të banorëve të qytetit, duke përfshirë institucionet që vizitojnë më shpesh dhe aktivitetet kulturore që do të dëshironin t’i kishin në dispozicion.
Strategjia për zhvillimin e sektorit të kulturës, është hapi i parë që Kamenica të bëhet model për tërë vendin. Kjo është dashur të bëhet më parë, por si duket tani janë krijuar kushtet që kjo çështje të shihet si interes i përgjithshëm, por edhe një hap i domosdoshëm. Fokus në këtë proces duhet të ketë fuqizimi i skenës së pavarur të kulturës dhe institucionalizimi i mbështetjes për institucione të pavarura kulturore.
Në kushte aktuale ajo është e diskriminuar nga praktikat dhe politikat aktuale të cilat përkrahjen institucionale e shohin të rezervuar vetëm për institucionet publike apo shtetërore të cilat i menaxhojnë. Për t`i përmbushur nevojat kulturore të të rinjve të komunës së Kamenicës, po kujdesen fortë bile, disko klubet e natës, të cilat deshe mos deshe janë hapësira ku frekuentohet më me dëshirë rina e kësaj ane.
Panoramën e vitit në qytetin e Kamenicës, pa ndonjë konkurrencë, e bëjnë panotë-posterat e këngëtarëve apo të grupeve që performojnë gjatë katër stinëve nëpër klube të natës. Dhe për “inat”, këto klube të natës, janë të vetmet hapësira ku rinia gjen qejf për t`u argëtuar, ashtu si dëshirojnë ata. Uroj që viti 2013, të jetë vit i angazhimeve rinore, vit i gëzimit dhe haresë, porse shumë më ndryshe nga ajo e kaluara!