FIDANISHTJA

Shumë larg BE-së

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian përfunduan këtë javë. Edhe pse shumica e çështjeve që u negociuan konsiderohen të jenë të karakterit teknik (kryesisht çështje tregtare), ato të gjitha esencialisht prekin mirëqenien e qytetarëve. Jo rastësisht, çështjet ekonomike e tregtare përbëjnë thelbin e këtij procesi negociues, sepse shtetet që synojnë Bashkimin Evropian duhet të kenë të ndërtuar dhe fuqizuar jo vetëm sistemin politik e juridik por të jenë të gatshme të përballen edhe me rregullat ekonomike të BE-së.

Një numër i madh i marrëveshjeve të negociuara si pjesë e MSA-së, megjithatë, pritet të hyjnë në fuqi vetëm pas disa vitesh, prandaj efekti i MSA-së nuk do të vërehet menjëherë. Por vetë nënshkrimi i MSA-së në mes të Kosovës dhe BE-së tashmë akoma mbetet një pikëpyetje për shkak të qëndrimit të shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe pse, siç pritet, për Kosovën do të ketë procedurë të veçantë, pra jo ratifikim në parlamentet e shteteve anëtarë të BE-së, prapë se prapë nuk dihet çfarë qëndrimi këto shtete do të mbajnë në Këshill, në momentin kur votohet për nënshkrimin e MSA-së me Kosovën.

Një proces tjetër që është po ashtu në pikëpyetje është liberalizimi i vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës akoma përballen me vështirësi të shumta që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes në vendet e listës Schengen. Arsyetimi kryesor që vazhdimisht e kemi dëgjuar nga përfaqësues të qeverisë është se komisionet vlerësuese të BE-së nuk vijnë me kohë në Kosovë për ta konstatuar progresin e arritur. Por e vërteta është se sa herë kanë ardhur nuk ka pasur shumë progres për të konstatuar. Në fakt, shumë prej kritereve që duhet plotësuar për liberalizim vizash tashmë vlerësohen nga Komisioni Evropian çdo vit në Raportet e Progresit. Dhe ashtu siç e konfirmoi edhe Raporti i fundit i Progresit, korrupsioni, krimi i organizuar, ndikimi politik në institucione të pavarura, ndërhyrja në gjyqësor, mungesa e reformës së administratës publike, ekonomia jokonkurruese etj., mbesin shqetësime të paadresuara dhe tregojnë paaftësinë e kësaj qeverie për të ndërmarrë reformat e kërkuara, duke rrezikuar kështu procesin e integrimit evropian. Ngecjet në këto aspekte u konfirmuan edhe nga një sërë organizatash të tjera ndërkombëtare.

Hidromorava

Të gjitha këto dëshmojnë që Kosova mbetet shumë larg BE-së dhe rruga e shtetit tonë drejt integrimit në këto struktura është ende shumë e gjatë. Përderisa përfitimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën sa i përket procesit të integrimit ishin shumë të qarta, për Kosovën u dhanë shumë premtime të paqarta. Sot Serbia po negocion kapitujt e anëtarësimit si shtet kandidat, ndërkaq Kosova akoma nuk e ka nënshkruar MSA-në. Avancimi i rrugës evropiane, megjithatë, nuk duhet të pritet nga një qeveri që vazhdimisht është treguar shembull i mospërmbushjes se detyrave të përcaktuara nga BE. Esenciale vazhdon të mbetet sundimi i ligjit, dhe në veçanti luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit si fenomene që kjo qeveri i ka avancuar dhe ka qenë vetë e përfshirë në to. Prandaj, në mënyrë që Kosova të bëjë hapa konkret në këtë proces, vendit i duhet një qeveri që del nga vullneti i lirë i qytetarëve, që udhëhiqet nga njerëz me duar të pastra dhe që kanë guximin të luftojnë korrupsionin e krimin.

(Autorja është deputete e LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)