FIDANISHTJA

Shukrije Ramadani: Kujtesa e gjallë e heroizmit dhe ëndrrës së lirisë së Kosovës

/ 15 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Shukrije Ramadani është një nga figurat më të njohura të kujtesës sonë kolektive, jo për shkak të një roli institucional, por për shkak të misionit moral që ka marrë mbi vete, ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë së bashkëshortit të saj, heroit të Kosovës Agim Ramadani.

Në historinë e sakrificës shqiptare, ka emra që qëndrojnë në ballë të betejave dhe ka figura që mbajnë peshën e dhimbjes dhe të kujtesës me një forcë po aq të madhe. Shukrije Ramadani është një prej tyre. Devotshmëria e saj nuk u shfaq në vijën e frontit, por në përballjen e heshtur me humbjen, në qëndrueshmërinë morale dhe në misionin e përditshëm për ta mbajtur të gjallë idealin për të cilin ra Agim Ramadani.

Ajo përfaqëson sakrificën që nuk shihet gjithmonë në fotografitë e luftës, por që jeton në përditshmërinë e një nëne, në kujdesin për familjen dhe në ruajtjen e dinjitetit përballë dhimbjes së pakthyeshme. Me përkushtim të qetë, por të palëkundur, Shukrije Ramadani e ka shndërruar dhimbjen personale në forcë morale, duke u bërë simbol i qëndresës, besnikërisë dhe kujtesës së gjallë të një epoke që vulosi fatin e kombit.

Pas rënies së tij në Betejën e Koshares, më 11 prill 1999, jeta e Shukrijes mori një kthesë të pakthyeshme. Nga një bashkëshorte dhe nënë në një familje që jetonte mes mërgimit dhe idealit për atdheun, ajo u shndërrua në një dëshmi të gjallë të sakrificës dhe qëndresës. Por përtej dhimbjes personale, ajo zgjodhi rrugën e dinjitetit dhe të përkushtimit ndaj kujtesës historike.

Në intervista dhe paraqitje publike, Shukrije Ramadani ka ndarë kujtime të ndjera për jetën me Agimin, për letrat, për bisedat e fundit, për ëndrrat dhe idealet që i bashkuan. Rrëfimet e saj nuk janë thjesht kujtime familjare, ato janë pjesë e një narrative më të gjerë kombëtare, që lidh sakrificën personale me fatin kolektiv të një populli. Ajo ka publikuar dorëshkrime dhe kujtime të tij, duke e sjellë figurën e Agim Ramadanit jo vetëm si luftëtar, por edhe si intelektual, poet dhe njeri me ndjeshmëri të thellë.

Përgjatë viteve, ajo ka qenë e pranishme në aktivitete përkujtimore, akademi solemne dhe iniciativa që synojnë ruajtjen e kujtesës së luftës çlirimtare. Qëndrimet e saj publike shpesh kanë bartur mesazhe reflektuese për shoqërinë dhe institucionet, duke theksuar nevojën për respekt, unitet dhe përgjegjësi ndaj gjakut të derdhur për liri.

Figura e Shukrije Ramadanit mishëron forcën e gruas shqiptare përballë humbjes dhe sfidës historike. Ajo nuk është vetëm bashkëshortja e një heroi, por një zë i kujtesës, një mbartëse e trashëgimisë shpirtërore dhe morale të një epoke të dhimbshme e krenare.

Përmes përkushtimit të saj, historia e Agim Ramadanit vazhdon të jetojë jo vetëm në libra e përvjetorë, por në ndërgjegjen e gjeneratave që rriten me rrëfimet për sakrificën dhe idealin e lirisë.

Misioni i Shukrije Ramadanit: Një betejë e pandalur për vlerat e UÇK-së dhe kundër harresës kolektive

Shukrije Ramadani është një nga ato figura që nuk e përkufizon dot vetëm një dimension i jetës. Përtej sakrificës personale dhe dhimbjes së përjetuar, ajo ka zgjedhur të mos tërhiqet në heshtje, por ta shndërrojë përvojën e saj në mision publik. Rruga e saj është rrugë e qëndresës morale, e përkushtimit qytetar dhe e një angazhimi të vazhdueshëm në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Pas peripecive të rënda jetësore, Shukrije Ramadani nuk u dorëzua. Ajo e vazhdoi betejën në një formë tjetër, përmes shërbimit dhe solidaritetit. Kontributi i saj në shërimin e qindra ushtarëve të UÇK-së përbën një kapitull të veçantë humanizmi në historinë e pasluftës. Për më tepër, në angazhimin e saj si këshilltare në Ambasadën e Zvicrës, ajo është shquar për gatishmërinë e përhershme për komunikim dhe ndihmë, duke mishëruar një virtyt të rrallë: pamundësinë për të thënë “jo” kur bëhet fjalë për nevojën e tjetrit.

Vetë ajo e përkufizon kështu boshtin e misionit të saj:
“Ajo që përbën unin tim për të mos iu dorëzuar dhembjes, është lufta e vazhdueshme në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe kundër harresës kolektive.”

Në thelb, angazhimi i saj më i gjatë dhe më i strukturuar lidhet me projektin humanitar “Shpresa”, përmes të cilit, për afro dy dekada, janë sjellë në Zvicër qindra ushtarë të UÇK-së për trajtime dhe ndërhyrje kirurgjikale që nuk mund të realizoheshin në Kosovë. Bëhet fjalë për rastet më të rënda, djem që kishin lënë gjymtyrë në fushëbetejë për lirinë e atdheut dhe që kërkonin një shans të dytë për jetë dinjitoze.

Ndihma e saj nuk është kufizuar vetëm në kuadër të projektit “Shpresa”. Ajo ka qenë e angazhuar edhe përmes Brigadës 138 “Agim Ramadani”, si dhe në bashkëpunim me shoqëri dhe familjarë të ish-luftëtarëve, duke krijuar një rrjet solidariteti që ka tejkaluar kufijtë institucionalë.

Në këtë proces, siç shprehet vetë, ajo ka zgjeruar rrethin e familjes së saj:
“Sot jam motër e shumë vëllezërve anembanë trojeve tona”, thotë ajo, duke theksuar mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të bashkëpunëtoreve të saj, Aneliesse Schneller dhe Valdete Hoti, me të cilat ka ndarë vite të tëra angazhimi në ndihmë të të plagosurve të luftës.

Figura e Shukrije Ramadanit përfaqëson një model të rrallë të ndërthurjes së kujtesës historike me veprimin konkret. Ajo nuk e sheh të kaluarën si një kapitull të mbyllur, por si një përgjegjësi morale që kërkon vigjilencë të përhershme. Në një shoqëri ku rreziku i harresës kolektive është gjithmonë i pranishëm, misioni i saj mbetet një thirrje për ndërgjegje, për kujtesë dhe për përkushtim ndaj vlerave që sollën lirinë.

“Ëndërruam bashkë që një ditë Kosova ta ketë ushtrinë”

Shukrije Ramadani, bashkëshortja e Heroit të Kosovës Agim Ramadani, e ka cilësuar pamjen e qindra ushtarëve në Kazermën “Adem Jashari” si përmbushje të një ëndrre shekullore të shqiptarëve. Sipas saj, krijimi dhe konsolidimi i forcave të armatosura të Kosovës është realizim i një ideali për të cilin breza të tërë sakrifikuan.

Gjatë vizitës në Kazermën Adem Jashari, me rastin e Ditës së Forcës, Ramadani u shpreh e mbushur me emocione, duke theksuar se ndonëse mungesa e bashkëshortit është plagë e përhershme, ndjenja e krenarisë për arritjet e vendit e bën të ndihet e përmbushur shpirtërisht.

“Kjo për mua është plotësim i një ëndrre shekullore, një ëndërr që e kemi ushqyer ndër breza. Sot, edhe pse më mungon pjesa ime më e dashur, ndjehem thellësisht krenare. Është realizimi i dëshirës së çdo shqiptari që ka ëndërruar këtë ditë – ta kemi ushtrinë tonë, një forcë mbrojtëse të sigurisë, të konsoliduar e të modernizuar, që ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes dhe garantimit të sigurisë për gjeneratat që vijnë”, është shprehur ajo.

Ramadani ka ndarë edhe një kujtim personal nga bisedat me bashkëshortin e saj gjatë kohës së luftës. Sipas saj, Agim Ramadani kishte bindje të palëkundur se Kosova do të kishte forcat e veta të armatosura.

“Njëherë, kur e pyeta në telefon, më tha me vendosmëri: ‘Ne do t’i kemi forcat tona mbrojtëse, do t’i kemi forcat tona të armatosura’. Dhe kur NATO nisi sulmet ndaj forcave serbe, më telefonoi sërish dhe më tha: ‘Dëgjoje, ky është zëri i lirisë, ky është zëri i sigurisë sonë që do ta kemi në Kosovën e lirë’. Ai besoi në këtë ideal para luftës, gjatë saj dhe deri në momentin e fundit”, rrëfen Ramadani.

Ajo thekson se besimi në lirinë e Kosovës dhe në mbështetjen ndërkombëtare ishte i palëkundur, duke përmendur rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve evropiane në përmbylljen e një kapitulli historik.

“E kam besuar sepse ishte ëndërr e shumë gjeneratave para nesh. Kur erdhi mbështetja nga ShBA-ja, Evropa dhe vendet liridashëse, e dija se ky do të ishte momenti vendimtar për ta përmbushur ëndrrën tonë shekullore”, përfundoi ajo.

Në fjalët e saj, përmbushja e kësaj ëndrre mbetet jo vetëm një arritje institucionale, por një amanet moral i atyre që sakrifikuan për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Bashkëshortja e Agim Ramadanit: “Pa ty, asgjë nuk është siç ishte më parë

Në përvjetorët e rënies në altarin e lirisë të komandant Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, ka përkujtuar me dhimbje dhe mall heroin e Kosovës, duke ndarë me publikun një reflektim të thellë për humbjen që nuk zbutet nga koha.

KKVITI

“Vitet bëhen thjesht numra, e dhimbja konstante e mungesës tënde zgjohet kryeneçësisht, duke sfiduar durimin dhe krenarinë edhe pas kaq shumë vitesh. Dromcat e lumturisë përzihen me ëndrrat, dëshirat dhe premtimet e këputura. Asgjë nuk është siç ishte më parë,” shkruan ajo, duke përshkruar me fjalë të thjeshta por të goditura thellë atë boshllëk që vetëm sakrifica e lirisë mund ta lërë.

Mes fjalëve të saj, del qartë përkushtimi i palëkundur ndaj kujtesës së bashkëshortit dhe përgjegjësia morale që ndjen për ta ruajtur trashëgiminë e tij. Ky përkujtim nuk është thjesht një reflektim personal; është një dëshmi e gjallë e një historie që bashkon dhimbjen personale me krenarinë kombëtare, duke treguar se sakrifica e komandant Katanës vazhdon të jetojë në zemrat e atyre që e njohën dhe e çmuan.

Shukrije Ramadani rikthen përmes fjalëve të saj se, pavarësisht viteve, kujtimi i Agimit mbetet i gjallë, i paharrueshëm dhe i pandashëm nga përpjekja e vazhdueshme për të ruajtur idealin e lirisë së Kosovës.

“Ai luftoi për një Shqipëri të bashkuar, tash po shoh përçarje”

Shukrije Ramadani, bashkëshortja e ish-komandantit të njohur Agim Ramadani, ka folur me ndjenja të thella për amanetin dhe vizionin e bashkëshortit të saj

Sipas saj, ëndrra e Agimit dhe e gjithë heronjve të kombit ka qenë gjithmonë një Shqipëri e bashkuar – një ideal që sot po sfidohet nga përçarjet mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Agim Ramadani dhe gjithë heronjtë e kombit kanë luftuar për një Shqipëri të bashkuar. Mua më dhemb që, pas kaq vitesh, shoh një përçarje më të madhe mes neve dhe Shqipërisë. Ëndrrat e shumë brezave, ëndrrat tona, po shkelën. Kjo është e papranueshme për mua”, ka thënë Ramadani, duke shprehur dhimbjen për situatën e sotme dhe legacimin historik që ka mbetur pas.

Ajo rikujtoi vitet në diasporë, ku bashkëshorti i saj mbante organizime të rinisë shqiptare, duke mësuar moralin luftarak dhe unitetin kombëtar. “Edhe pse jetonim larg vendit, festat e Nëntorit na bashkonin. Ai mblidhte të rinjtë dhe të rejat, fliste për moralin luftarak që duhet të kenë të gjithë shqiptarët. Ishte energjia që na bashkonte dhe na bënte të jemi më të fortë, më të bashkuar”, tregoi ajo.

Shukrije Ramadani kujtoi gjithashtu daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, një moment që sipas saj ishte kulmi i përgatitjeve të gjatë dhe fillimi i një kapitulli të ri. “Kur UÇK-ja doli para një popullate kaq të madhe dhe foli edhe për ne në diasporë, kuptuam se lufta kishte filluar dhe secili nga ne duhej të ishte gati për t’i përgjigjur asaj”, tha ajo.

Gruaja e ish-komandantit përshkroi vizionin dhe motivimin e Agim Ramadanit, i cili gjithmonë përcillte mesazhin e gatishmërisë për të dhënë gjithçka për atdheun: “Parulla e tij ‘Ejani pas meje’ tregon se ai ishte gati të vdiste para çdo ushtari, të jepte shpirtin e tij për Kosovën.”

Në përfundim, Shukrije Ramadani kujtoi vuajtjet nën okupim dhe sakrificat e mëdha që brezat e rinj nuk i dinë: “Gjeneratat e reja nuk e dinë sa kemi vuajtur, nuk e dinë tmerrin e orëve policore, tanket në rrugë, dhunën e sekreteve. Për ta, kjo duket si një përrallë, por për ne ka qenë realiteti i përditshëm.”

Në fjalët e saj, përveç dhimbjes, shfaqet edhe një mesazh i fuqishëm për unitet dhe përkujdesje ndaj trashëgimisë historike: kujtesa e Agim Ramadanit nuk është thjesht një kujtim personal, por një amanet për çdo shqiptar.

“Nuk është kjo Kosova për të cilën ai ka luftuar”

Shukrije Ramadani, shprehu me dhimbje se Kosova e sotme nuk përputhet me idealin për të cilin luftoi bashkëshorti i saj.

“Fatkeqësisht, ende jo. Shpresoj që gjeneratat e reja do të mund ta përjetojnë një Kosovë për të cilën ëndërruam. Por, shpesh ëndrrat nuk mund të bëhen realitet. Liria ka ardhur falë gjakut të familjes Jashari, falë gjakut të mijëra Agimëve që dhanë më të çmuarën e tyre,” tha ajo, duke theksuar sakrificën e jashtëzakonshme të heronjve të kombit.

Ramadani kujtoi se ish-komandanti ishte një njeri që e donte jetën më së shumti, por idealet e tij e bënë të pavdekshëm: “Nuk ka qenë vetëm Agim im, por kanë qenë mijëra Agim – të gjithë ata që dhanë shpirtin për lirinë e Kosovës.”

Ajo shtoi se harresa e sakrificave është e rrezikshme për të ardhmen e vendit: “Nëse sot shkelim mbi gjakun e tyre dhe harrojmë idealin e tyre, ne kemi harruar ku kemi qenë, ku jemi dhe ku po shkojmë.” Kur u pyet nëse shqiptarët po e harrojnë këtë trashëgimi, ajo u përgjigj me dhimbje: “Fatkeqësisht, po. Atë ditë kur i pashë në Parlament duke grushtuar njëri-tjetrin, shpirti më dhimbte dhe më vinte të bërtisja në kupën e qiellit.”

Fjalët e Shukrije Ramadanit janë më shumë se një reflektim personal; ato janë një apel i fuqishëm për kujtesë dhe përkushtim ndaj vlerave për të cilat ranë dëshmorët e Kosovës, një kujtesë se liria kërkon respekt dhe përgjegjësi për çdo brezi.

“Agimi ishte strateg i lartë, por gjithmonë para vetes vuri ushtarët”

Shukrije Ramadani, bashkëshortja e Agim Ramadani, ka folur me krenari dhe emocione për strategjinë dhe përkushtimin e bashkëshortit të saj gjatë luftës.

“Ai dinte kur të mos fusë ushtarët drejt plumbave, ka qenë strateg i lartë. I ka vrarë oficerët serbë në dhomë gjumi dhe është tërhequr pa asnjë humbje. Çdoherë u thoshte ushtarëve ‘Ejani pas meje’ – asnjëherë nuk i vuri përpara vetes,” rrëfen ajo, duke nënvizuar lidershipin dhe përgjegjësinë morale që e karakterizonte.

Shukrije Ramadani ka ndarë gjithashtu kujtime nga koha kur Agimi i shkruante poezi dhe libri i tij i pasur me tri vëllime poezish, që la para se të nisej për luftë, përbën një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së tij kulturore. “Agimi ka lënë shumë vargje të bukura. Do të ishte mirë që gjeneratat e reja të njihnin më shumë atë që ka shkruar dhe ka lënë pas,” tha ajo.

Në rrëfimin e saj, Shukrije ka theksuar frikën dhe realitetin e tmerrshëm të luftës, që vetëm ata që e kanë përjetuar mund ta kuptojnë. “Nuk e di vendin e sigurt ku ka rënë, kam qenë në luftë dhe kam parë se çdo moment mund të jesh i vrarë. Vetëm ai që ka luftuar e kupton aksionin e luftës, sidomos frikën e humbjes së më të dashurve dhe të pak vlerave që kuptuam pas luftës,” ka shtuar ajo, duke rikthyer përjetimin e dhimbshëm dhe heroik të kohës së luftës.

Trashëgimia e përjetshme

Figura e Shukrije Ramadanit mishëron forcën e gruas shqiptare përballë humbjes dhe sfidës historike. Ajo nuk është thjesht bashkëshortja e një heroi; ajo është një zë i kujtesës, mbartëse e trashëgimisë morale dhe shpirtërore të një epoke.

Përmes përkushtimit të saj, historia e Agim Ramadanit vazhdon të jetojë jo vetëm në libra dhe përvjetorë, por edhe në ndërgjegjen e gjeneratave që rriten me rrëfimet për sakrificën dhe idealin e lirisë./rajonipress/