ARKATANA

​Shukri Buja lirohet nga të gjitha akuzat në Hagë

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, pas pesë vjet hetimesh, është liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo prokurori në mënyrë zyrtare.

Ai ka thënë se kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë e tij, por edhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së.

“Falë avokatëve të mi, Sir Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj, dhe insistimit të tyre për të mbyllur hetimet për mungesë provash, këtë javë mora konfirmimin zyrtar që gjithçka është mbyllur përfundimisht. Besoj se ky rast im do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejt”, ka shkruar Buja në Facebook.

Ai ka theksuar se lufta e shqiptarëve ka qenë një përpjekje e drejtë dhe legjitime për liri kundër okupatorit serbo-jugosllav, të cilët kanë kryer krime të rënda.

“Lufta jonë çlirimtare ishte e imponueshme dhe e drejtë. Ky realitet u vërtetua nga rasti im dhe shpresoj se do të vërtetohet gjithashtu edhe nga rasti i bashkëluftëtarëve tanë që po përballen ende me proceset në Hagë. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time për mbështetje të palëkundur gjatë këtyre viteve, për qytetarët e Republikës së Kosovës që më mbështetën dhe më besuan, si dhe për avokatët e mi për angazhimin dhe kontributin e tyre të pandërprerë deri në epilogun e këtij rasti”, ka përfunduar Buja.

Ndërkohë, edhe avokati i Bujës, Taulant Hodaj ka konfirmuar një zhvillim të tillë.

Uji Dea

“Pas një procesi të gjatë dhe sfidues, më në fund së bashku me kolegun tim avokatin Sir Geoffrey Nice kemi arritur të lirojmë klientin, luftëtarin e lirisë, z. Shukri Buja, nga të gjitha akuzat dhe hetimet e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë”, ka shkruar Hodaj në Facebook.

Hodaj thotë se ky proces, i cili zgjati mbi pesë vjet, përfshiu një numër të madh seancash në prokurori dhe gjykatë, duke e vendosur klientin në një pozicion të vështirë si të dyshuar dhe dëshmitar.

“Falë punës së palodhur dhe strategjive ligjore të qarta që zhvilluam së bashku me kolegun Sir Geoffrey Nice, arritëm të provojmë se akuzat ishin të pabazuara. Këtë javë, gjatë seancave në Hagë pas insistimeve të vazhdueshme, e mora konfirmimin zyrtar ku prokuroria mbylli të gjitha hetimet përfundimisht ndaj z. Buja, duke shënuar një moment të rëndësishëm për drejtësinë”, ka shkruar Hodaj.


Avokati thotë se ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të iniciaur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

“Ky është një rast i rëndësishëm për të gjithë ata që janë duke u përballur me akuza të ngjashme, dhe shpresoj që do të ndihmojë në krijimin e një rruge të qartë për ata që vazhdojnë të përballen me sfida të ngjashme në Hagë. Lufta për drejtësi është një përpjekje e vazhdueshme, dhe çdo rast që mbyllet në mënyrë të tillë është një hap përpara për të gjithë ne”, shtoi Hodaj./Telegrafi/