UBT

Shtruar për veriun

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic kanë hapur çështjen e Veriut dhe të strukturave paralele të martën në Bruksel. Përveç një fotografie të re të dy Kryeministrave, Bashkimi Europian nuk dha detaje rreth negociatave. Takimet ndërmjet zyrtarëve të Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojnë sot.

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic nuk kanë arritur asnjë marrëveshje në ditën e parë të takimit të pestë, që po zhvillohet në Bruksel.

Por, dy Kryeministrat nuk do ta kenë të lehtë që një gjë të tillë ta bëjnë edhe gjatë ditës së mërkurë, kur pritet të vazhdojnë bisedimet për Veriun e Kosovës.

Ndërkohë, gjatë ditës së martë, Lehtësuesja e dialogut, Baronesha Catherine Ashton ka takuar fillimisht ndaras Thaçin e Dacicin për të vazhduar me takimin e përbashkët. Pas orës 17 është mbajtur një pauzë, ndërsa takimet kanë vazhduar me njoftimin se të gjitha detajet do të jepen gjatë ditës së dytë të takimeve.

Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijancic ka deklaruar se të mërkurën BE do të dalë me deklaratë në lidhje me takimin.

Takimi i pestë mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit konsiderohet më i vështiri prej se kanë filluar bisedimet mes dy vendeve.

Për herë të parë Prishtina dhe Beogradi po diskutojnë për çështje të brendshme të Kosovës, duke u nisur nga largimi i strukturave paralele serbe në Veri dhe zëvendësimin e tyre me institucionet të reja.

Palët po ashtu kanë diskutuar edhe çështjen e zyrtarëve ndërlidhës, që do të dërgohen në Prishtinë dhe Beograd.
Pas takimit, Kryeministri Thaçi ka thënë se dita e dytë është vendimtare për takimin dhe ka konfirmuar se do të bisedohet me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës.
“Kemi biseduar për ato çështje që kanë qenë të diskutueshme, të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u zgjidhur. Jemi dakorduar që përsëri nën udhëheqjen e Baroneshës Ashton të takohemi nesër në mënyrë që proceset që dakordohemi të finalizojmë këtë proces”, ka thënë ai.

Ndërkohë, zyrtarët qeveritarë kanë thënë se edhe nëse arrihet marrëveshje në Bruksel, zbatimi i marrëveshje do të marrë javë ose muaj.

Burime të Express kanë thënë se gjatë ditë së dytë të takimeve, Baronesha Ashton do të prezantoj planin e BE për Veriun.

Sipas burimeve, Plani parasheh integrimin e Veriut në mekanizma europian dhe rajonal.

Ndryshe, gjatë ditës, Kryeministri Thaçi është takuar me Presidentin e Këshillit Europian, Herman van Rompuy, ndërsa ky i fundit duke potencuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës theksoi se institucionet e Kosovës duhet t’i përfundojnë punët që ende kanë mbetur pa u bërë.

KKVITI

Thaçi në konferencën për media pas takimit me Rompuy tha se Kosova po konsolidohet dhe po forcohet çdo ditë në procesin demokratizues dhe integrues evropian në të gjitha aspektet.

“Jemi duke punuar për të implementuar të gjitha reformat demokratike në legjislacion, ekonomi, në politikë. Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha autoritet evropiane në Kosovë, me EULEX-in, bashkërisht për të punuar për rend dhe ligj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas tij, e ardhmja e Kosovës është e sigurt, është e ardhme europiane, shkruan express.

Presidenti i Këshillit Europian, Herman van Rompuy, tha se ka rikonfirmuar perspektivën evropiane të Kosovës.

“E theksova se shtetet anëtare të BE-së kanë caktuar një agjendë ambicioze për vitin 2013, që i mundëson perspektivë të mirë Kosovës. Kosova duhet të përmbushë prioritetet afatshkurta të dala nga Studimi i Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, siç janë sundimi i ligjit, tregtia, administrate publike dhe mbrojta e minoriteve”, u shpreh Rompuy.

Ai kërkoi që Kosova të bashkëpunojë me Misionin Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Megjithëkëtë, Kryeministri Thaçi ka takuar edhe me Zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit nga Byroja për Çështje Europiane dhe Euro-aziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA’së, Philip Reeker.

“Në takim po ashtu u diskutua për vizionin e Kosovës për t’u ballafaquar me sfidat e ardhshme, me theks të veçantë në ato që lidhen me aspiratat euroatlantike të Kosovës. Në këtë kontekst, të dy palët janë pajtuar që dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë është një pikë kthese e rëndësishme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

“Reeker vuri në pah rëndësinë e dialogut në të ardhmen e afërt dhe e përgëzoi Kryeministrin Thaçi për sukseset e arritura deri më tash dhe e inkurajoi Kosovën që të vazhdojë të luajë një rol aktiv në këtë proces”, thuhet në kumtesë.
Shefi i Qeverisë kosovare ka takuar edhe zyrtarin për zgjerim të BE’së, Shtefan Fule.

Këtij zyrtari, Thaçi i ka thënë se në pesë vjetët e pavarësisë, Kosova ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret afatshkurtra nga Studimi i Fizibilitetit dhe po vazhdon punën për të arritur një Marrëveshje për Stabilizim dhe Associim me BE’në.

Ai ka kërkuar shpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave.
“Lëvizja e lirë pa viza është çështje e një dimensioni njerëzor dhe nuk duhet lejuar krijimin e një vrime të zezë në Ballkan. Kosovarët meritojnë shansin e tyre dhe duhet të gëzojnë një trajtim të drejtë dhe të ngjashëm me fqinjët e tyre, dhe nuk duhet paguar për dështimet e tjerëve”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij, komisionari i BE-së për zgjerim, Stefan Fule e ka përgëzuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për qasjen e tij të drejtë europiane në raport me bashkëpunimin rajonal.

Fule theksoi se institucionet e Kosovës do ta kenë gjithë përkrahjen e duhur në procesin e integrimit europian të Kosovës.(express)