Shtresa politike kosovare nuk e dëshiron liberalizimin e vizave?

/ 11 minuta lexim

Nga Reshat Sahitaj – Çështja e liberalizimit të vizave është një temë që më së shumti e preokupon popullsinë tonë të papunësuar e të punësuar, por gjatë takimeve me zyrtarë të BEsë kjo nuk është në agjendat e personaliteteve politike kosovare. Politikanët tanë liberalizimin e vizave e përdorin për konsum të brendshëm politik, duke e fajësuar BE-në se ata po e penguakan lëvizjen e qytetarëve tanë qëllimisht e disa të tjerë pa asnjë turp e akuzojnë Evropën se këta nuk e dëshirojnë integrimin e Kosovës në Evropë, pasi që popullsia jonë është më shumicë myslimane, siç deklaroi paturpësisht avokati Tomë Gashi.

Liberalizimi i vizave dhe “pengesat”

Ekzistojnë një numër i madh faktorësh të jashtëm e të brendshëm që ndikojnë në liberalizimin e vizave për Kosovën, e që shefat e partive politike ua fshehin popullit tonë qëllimisht. Kushtet për plotësimin e kritereve që BE-ja i ka kërkuar vendit tonë janë secili më i rëndësishëm se tjetri e që në lexim të parë ne i konsiderojmë të lehta e të realizueshme, si p.sh. pas liberalizimit të vizave qytetarët tanë nuk kanë të drejtë të kërkojnë strehim politik dhe nuk mund të qëndrojnë më shumë se tre muaj. Vetëm kjo pikë ka shumë nën pika tjera për të cilat Qeveria e Kosovës duhet të marrin përgjegjësi serioze. Kur një qytetarit tonë do t’i kalojë afati i qëndrimit, organet kompetente evropiane do ta kthejnë në Kosovë, mirëpo shpenzimet e këtij personi janë të kushtueshme nëse ai nuk kthehet me dëshirë e më pak i kushtueshëm do të jetë kthimi me dëshirë, për të cilët fatura duhet t’i paguajë shteti ynë. Në këto nënpika po ashtu parashihet edhe problem i personave, të cilët shkojnë në Evropë për qëllime të ndryshme si: shitje të drogës, prostitucion, terrorizëm islamist që viteve të fundit është aktualizuar, martesa të kurdisura, vjedhje…, e shumë parregullsi të tjera, sepse në çdo popull ekzistojnë edhe persona të tillë, të cilët dëshirojnë të pasurohen brenda ditës.

Këto dhe shumë probleme të kësaj natyre janë të rëndësishme e që Kosova ende i quan të parëndësishme. Pas këtyre problemeve janë kushtet tjera po ashtu që kanë peshë të madhe siç është siguria, e që ne shqiptarët mendojmë që siguria në Kosovë është në nivel të lartë e në fakt qytetari ynë nuk është i mbrojtur në asnjë aspekt si: jeta në Kosovë nuk është e sigurt, nuk ka sigurim shëndetësor, nuk ka gjyqësi të pavarur nga politika ku i varfëri dënohet e të pasurit me aktakuza të rënda lirohen të pafajshëm, e drejta pronë- sore e barabartë, pavarësisht gjinisë, e drejta e fëmijëve të mitur e shumë e shumë parregullsi të tjera që e kanë pllakosur Kosovën gjatë dekadës së fundit. Pengesat për lëvizje të lire në Evropë nuk vijnë nga Perëndimi, por nga mospërmbushja e standardeve që kërkohen për çdo shtet që ka dëshirë t’i bashkëngjitet familjes evropiane. Pengesa kryesore nga BE-ja është se vitet e fundit i kanë ashpërsuar kriteret për zgjerim, sepse tanimë janë mësuar nga gabimet e së kaluarës kur ngutshëm kanë futur disa shtete, edhe pse nuk i plotësonin kushtet sipas standardeve evropiane, por ato afruan për qëllime tjera që janë ekskluzivisht politike ku u futën nën ombrellën evropiane shtetet e dala nga Pakti i Varshavës, që ishte një domosdoshmëri që ato vende të mos i ribashkoheshin Rusisë. Një lehtësim të tillë ia kanë bërë edhe Serbisë, duke u përpjekur t’i joshin serbët që të mos anojnë nga Rusia, por në BE.

Evropa është krejtësisht e vetëdijshme se Serbia është aleate e Rusisë dhe se Marrëveshja e nënshkruar serbo-ruse në Moskë, është në dëm të vendeve perëndimore, mirëpo në Serbi ende ka hapësirë për të diskutuar dhe për t’i joshur sidomos në aspektin ekonomik. Mosintegrimi i një shteti evropian (përveç Anglisë) në BE, në një të ardhme të afërt do të ndikojë negativisht në zhvillimin dhe ngritjen e atij vendi deri në një shkallë sa që gjendja ekonomike e vendit që nuk i takon BE-së rrezikon të varfërohet skajshmërisht.

Ngritja e standardit ekonomik është kusht i domosdoshëm i secilit shtet, andaj Serbia edhe pa dashje është e detyruar t’i bashkohet familjes evropiane. Serbia aktualisht përballet me kushtin kryesor të vënë nga BE, e që është se pa njohjen e Kosovës dhe instalimin e relacioneve paqësore në mes të dy shteteve tona, Serbia nuk ka mundësi praktike të jetë anëtare e BE siç janë Sllovenia etj. Siç përballohet Kosova më kërkesa e kushte të vështira të vënë nga BE-ja, po ashtu ballafaqohet edhe Serbia, por që ato janë të natyrës tjetër e në disa raste janë të njëjta si për shembull: Serbia duhet të zbeh mitin e atentatorit Gavrillo Principit dhe t’ia shembin përmendoren nga se nga evropianët ky konsiderohet vetëm si një atentator. Zbardhja e dosjeve sekrete është kusht edhe për Serbinë siç do të jetë po ashtu për Kosovën. BE-ja zhvillon një strategji ekonomike afatgjatë si dhe një stabilitet afatgjatë të instalimit të paqes në Evropë. Ne shqiptarët këto kushte i quajmë pengesa, ndërsa BE i quan standarde që duhet t’i plotësojmë, nëse dëshirojmë t’i bashkohemi familjes evropiane dhe qytetarëve tanë t’u sigurojmë jo vetëm lëvizje të lire, por edhe jetë të qetë e të lumtur. Nga kjo nuk duhet nënkuptuar se nga momenti që pranohet Kosova, në vendin tonë do të përfundojë varfëria. Kudo në botë ka varfëri, por çdo qytetar i pa punë do të ketë të ardhura minimale sa për të jetuar denjësisht, kurse ata që punojnë mund të pasurohen nga se kjo është politika e kapitalizmit bashkëkohor.

Uji Dea

Politikanët tanë qëllimisht e mashtrojnë popullin lidhur me liberalizimin

Që nga koha kur BE-ja i ka dërguar formularët për aplikim, klasa politike në pushtet ende pa i lexuar kërkesat, deklaronte se qytetarët tanë se shpejti do të udhëtojnë pa viza në tërë Evropën. Kur i plotë- sonin formularët dhe ua dërgonin BE-në, përsëri klasa politike deklaronte se gjoja i plotë- suam kushtet dhe brenda pak muajve do udhëtonim të gjithë lirshëm për në Evropë. Kurrë nuk e kam ditur nëse politikanët tanë ishin naivë apo rrenacakë. Më shumë kam menduar se janë naivë, sepse këta i kanë detyruar zyrtarët e tyre t’i plotësojnë ato letra shumëfaqëshe duke menduar se puna ka përfunduar vetëm me plotësimin e letrave pa e shikuar edhe punën në terren. Në ato formularë të mbushur nga qeveria jonë ku duhet të plotësohet lidhur me korrupsionin, ne e kemi plotë- suar -korrupsioni zero, e që në fakt korrupsioni ishte dhe ende është në lulëzim. Për çdo plotësim të atyre shkresave nga BE, ne vërtet i kemi plotësuar të gjitha dhe asnjë pike nuk është kthyer në Bruksel pa u plotësuar, por në jetën reale të qytetarëve tanë asgjë nuk qëndron ashtu siç janë plotësuar formularët, sepse drejtësia ende është e varur nga politika, shprehja e lirë e gazetarëve ende cenzurohet nga politika etj. Duke i mbushur vetëm letrat nuk nënkuptohet se ne po hymë në BE e pastaj ta akuzojmë Evropën se qëllimisht po e pengojnë liberalizimin e vizave siç kishte deklaruar vitin e kaluar Hashim Thaçi se evropianet na kanë mashtruar. Demarkacioni asnjëherë nuk ka qenë kushti bazë për liberalizim të vizave, por ishte një kusht siç janë edhe shumë kushte të tjera që ne duhet t’i përmbushim me seriozitet.

Madje, BE-ja nuk e ka pasur kusht që Kosova t’ia falte Malit të Zi 8 mijë hektarë tokë apo të mos ia falte, kjo është dashur të zgjidhet nga pala shqiptare, gjithnjë duke u bazuar në kufirin e vitit 1974. Demarkacioni ka qenë një problem i krijuar nga pala shqiptare për kalkulime politike dhe kalkulime të tjera të fshehta që ne qytetarët e thjesht nuk i dimë. Asociacioni nuk është kusht i domosdoshëm që të aprovohet siç ka dëshirë Serbia, por është një kusht që duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët Prishtina dhe Beogradi, pa i dëmtuar interesat shtetërore të asnjërit vend. Në këtë rast, Serbia nuk ka çka të humbë asgjë, por Kosova do të humbte shumë nëse Asociacioni Komunave Serbe do të aprovohej ashtu siç e ka nënshkruar Edita Tahiri, e cila në qendër të Kosovës e ka krijuar një mini Serbi, pa e detyruar as Evropa e as SHBAja. Kush e ka detyruar Editën të nënshkruante këtë asociacion që ajo me vetëdije të plotë e krijoi një shtet brenda shtetit?! BE-ja nuk do të na detyrojë që ne ta pranojmë Asociacionin e Komunave serbe të nënshkruar sipas Edita Tahirit, përkundrazi para pak javësh kundër këtij asociacioni u ngritën BE si dhe NATO-ja që e kritikuan ashpër. Kosova duhet të lejojë ekzistimin e një asociacioni të serbëve, por duke e njohur shtetin tonë. Qëllimi i klasës politike kosovare është që popullin ta mbajnë të robëruar e të mos kenë mundësi jo vetëm të lëvizin lirshëm në Evropë, por t’i pengojnë që askush të mos ketë mundësi të zhvillojë as tregti të vogël. Liberalizimi nënkupton se qytetarët tanë përveç vizitave turistike, do të zhvillojnë edhe biznese të vogla e të mesme. Në momentin e zhvillimeve të këtyre bizneseve, automatikisht Serbisë dhe Turqisë do t’i zvogëlohen shitjet e mallrave ne drejtim të Kosovës. Liberalizimi ka edhe shumë avantazhe tjera për popullsinë tonë që janë të panumërta, por që qëllimisht pengohen nga vetë politikanët tanë.

Pse pengohet qëllimshëm liberalizimi nga vetë shqiptarët?

Një numër i madh i deputetëve dhe ministrave tanë kanë biznese të ndryshme. Liberalizimi do ua zbret dukshëm përfitimin e këtyre bizneseve ku mallrat e tyre do lirohen patjetër e më këtë lirim ata nuk do fitojnë siç kanë fituar. Liberalizimi nënkupton edhe sigurinë e qytetarit dhe të biznesit të tij, ku më askush nuk do të detyrohet të paguajë haraç për asgjë. Që nga paslufta e deri në këto momente, askush në Kosovë nuk zhvillon biznes pa e dhënë një pjesë të fitimit haraç, në të kundërtën s’ka punë. Liberalizimi nënkupton hapjen e vendeve te reja të punës dhe thithjen e kapitalit perëndimor. Pjesa më e madhe e firmave që mbajnë mbishkrime gjoja gjermane, amerikane etj. janë firma shqiptare ose shqiptaro-serbe. Gjermania ende nuk ka ardhur të investojë në Kosovë me fabrika gjigante, siç nuk kanë ardhur as shumë vende evropiane , nga pasiguria që është instaluar nga politikanët tanë. Çka u duhet viza deputetëve të Kosovës? Çka u duhet viza ministrave të Kosovës?! Pse këta t’ia lehtësojnë popullit lëvizjen e lirë?! Personalitetet politike i kanë vizat të shkojnë lirshëm në tërë Evropën, andaj pse të lodhen për popullin e tyre të robëruar nga vetvetja?! Deputetët e Kosovës nuk janë të çmendur të votojnë kundër vetvetes, sepse pasi që Kosova të bëhet pjesë e familjes evropiane e barabartë me tjerat, në Kosovë duhet të burgosen shumë deputetë, shumë ministra e shumë mafiozë politikë. Kjo është arsyeja që politikanët tanë nuk e dëshirojnë liberalizimin e në anën tjetër e akuzojnë Evropën vetëm sa për t’u arsyetuar para opinionit.

(Kosova Sot)