ARKATANA

Shteti zhvillimor dhe social

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Ibrahim Rexhepi – Qeveria që do ta bënte Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë një problem thelbësor. Shteti social e zhvillimor dhe pjesëmarrja e madhe e shtetit në ekonomi kërkojnë shumë para. Këtu nuk ka përgjigje të qartë as programi i saj parazgjedhor.

Të pasurit paguajnë më shumë tatim se sa të varfrit. Duket në rregull, meqenëse ata kanë para. Por, kjo qasje në programin parazgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje më shumë insiston kah barabarësia sociale – apo, të gjithë të pasur, ose të gjithë të varfër. Nëse kemi parasysh tatimin në paga, është në rregull se ata me pagë minimale nuk paguajnë fare tatim, ndërsa ata që marrin mbi 1.700 euro, 30 për qind të tyre duhet t’i paguajnë në arkën e shtetit.

Mirëpo, është edhe një detaj, paksa i fshehur, i cili tregon se pa marrë parasysh fitimet, tatimi në paga do të jetë për 3 pikë të përqindjes më i lartë se normat që propozohen. Kjo del kur kësaj norme i shtohen edhe tre për qind, përmes të cilit secili punëtor në mënyrë solidare do të kontribuojë për fondin pensional. Ky tre përqindësh nuk kthehet, e as që mund të llogaritet si kursim për pensionin individual.

Ndonëse, nga aspekti social dhe human duket krejt në rregull, mirëpo, mund të ketë kundërshtime, meqenëse kjo krijon ngarkesë shtesë në paga, por njëherit nga qeveria e VV-së mund të kërkohet që të gjejë forma që të kthehet fondi pensional i plaçkitur nga Serbia.

Këto politika përmbajnë edhe një detaj shumë të mirë, i cili ka të bëjë me tatimin në pronë: Kush nuk e punon tokën, paguan më shumë tatim. Pa xhelozi, këtë qasje duhet ta ketë secila parti politike që formon qeverinë e ardhshme.

Uji Dea

Ndërkaq, problemet e tjera duken kur kemi parasysh konceptin e kësaj lëvizje për stimulimin e prodhimit vendorë, financimin e zhvillimit dhe investimet në sektorin publik. Është krejtësisht në rregull që prodhimi vendor të përkrahet me të gjitha masat e mundshme, madje, edhe të financohet me paratë publike. Mirëpo, që ai të ketë potenciale për eksport dhe për të zëvendësuar importin, duhet kohë dhe fillimisht kërkohet një cikël investues, përderisa ai të jetë mbështetje e sigurt për të hyrat buxhetore. Kjo kërkon kohë dhe para, prandaj, pa dyshim, se për një kohë, edhe më tutje të hyrat do të sigurohen nga kufiri, pra përmes importit. Mirëpo, kjo lëvizje këtu duhet të gjejë modalitet që importi të jetë më i kontrolluar, në mënyrë që ai të mos e ngufatë rritën e prodhimit të brendshëm.

Vetëvendosje insiston për prani më të madhe të shtetit në treg, kryesisht përmes ndërmarrjeve publike. Posaçërisht në energjetikë, miniera e metalurgji, në industrinë kimike dhe në infrastrukturë (duke nënkuptuar edhe telekomin). Pra, përkujdesja, si edhe investimet në këta sektorë, janë një ngarkesë e madhe për buxhetin. Kjo duket qartë në programin e saj parazgjedhor, meqenëse thuhet se projektet do të bashkëfinancohen nga paratë publike, kreditë afatgjate nga prodhuesit e teknologjisë dhe fondet e BE-së për mjedis. Në këtë kombinatorikë, buxheti mbetet burim kryesor, pasi që kreditë dhe fondet janë të mundshme, por tash vështirë mund të planifikohet se a kanë këtë disponim huadhënësit, si edhe fakti se këto kredi sa janë të “buta”, e sa të “forta“. Po ashtu, secila kredi, rrit borxhin publik, i cili mund të jetë i kontrollueshëm, mirëpo, ai gjithsesi se duhet të paguhet me paratë e tatimpaguesve.

Vetëvendosje nuk do të lë jashtë kontrollit as sistemin bankar. Mekanizëm kryesor i saj do të jetë banka qendrore, e cila duhet të ketë ndikim më të madh te bankat e nivelit të dytë, duke përcaktuar normat e interesit dhe duke kontrolluar sasinë e parasë në treg. Masa e parë mund të rregullohet në formë arbitrave, por do të dobësonte konkurrencën dhe investimet në këtë treg. Prandaj, barra e financimit do të bartet te banka me kapital shtetëror dhe te fondet publike. Ndërkaq, masa e dytë është vështirë të përmbushet,meqenëse Kosova nuk ka valutë,e për këtë nuk insiston as kjo lëvizje, meqenëse “duhet të fillojë planifikimin dhe negociatat me Republikën e Shqipërisë për adaptimin e valutës së përbashkët të dy shteteve”. Me këtë zgjidhje, kontrolli i parasë do të bartet nga BE-ja te Banka Shqiptare.

Marrë në tërësi programi i Lëvizjes Vetëvendosje është atraktiv, posaçërisht pse ai nuk është i ngarkuar me shifra të mëdha rreth rritjes së BPV-së, kapaciteteve të buxhetit, apo për numrin e vendeve të reja të punës. Ai insiston në zgjidhje, e jo në parametra fizikë. Mirëpo, duhet të jetë shumë më e qartë mënyra e financimit të secilës zgjidhje, si edhe qëndrueshmëria e buxhetit. Kjo duket edhe më e nevojshme kur merret parasysh se shteti social dhe zhvillimor janë koncepte të pranueshme edhe për situatën aktuale në të cilën është vendi.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)