Fundamenti

Shtet-ndërtimi në Kosovë nuk ka dështuar, do të sillte kthimin në dhunë!

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Nga Burim Ramadani – Çështja që shtrohet, në një rast të dështimit, është tejet përmbajtjesore: Si do të zëvendësonte konsociacionalizmin një model tjetër? Çfarë modeli do të ishte më demokratik, pa vendosur masa imponuese ndaj grupeve tjera, etnive në rastin e Kosovës?

Kosova është shtet i brishtë, por nuk ka dështuar në shtet-ndërtim. Të qenit shtet i brishtë nënkupton sfidim të shtet-ndërtimit, por jo domosdoshmërisht dështim të tij. Dështimi i i tillë do të mund të sillte kthimin në dhunë. Çështja thelbësore është nëse duam të eliminojmë dallimet etnike apo të menaxhojmë dallimet etnike në Kosovë?

Ky dallim është konceptual dhe sipërfaqet përmes bindjeve ideologjikë më shumë sesa metodologjisë së përdorur politike.

“Qeverisjet e dobëta komprementojnë sovranitetin”

“Thelbi i shtetit është zbatimi”, argumenton Francis Fukuyama, bazuar në definimin që Max Weber i bën shtetit si “komuniteti njerëzor që kërkon (suksesshëm) monopolin e përdorimit të ligjshëm të forcës fizike brenda një territori të caktuar”.

Dhe, aftësia bazë e shtetit mbi procesin e vendimmarrjes politike dhe mbi zbatimin e vendimeve e klasifikon termin funksional mbi funksionet kyç të tij.

Sikurse Ulrich Scheneker ka argumentuar, funksionet kyç të shtetit janë: 1) Siguria; 2) Mirëqenia; dhe 3) Sundimi i ligjit me legjitimitet.

Në secilën prej këtyre funksioneve kyç të shtetit, Kosova karaketizohet nga indikatorë që argumentojnë të qenit shtet i brishtë, por pothuajse në asnjërin prej indikatorëve nuk mund të shtjellohet argumenti se “shtet-ndërtimi ka dështuar”.

Është e qartë, besoj për studiuesit dhe ideologët, se, sikurse ka argumentuar Fukuyama, “shtet-ndërtimi, që nënkupton krijimin e institucioneve të reja qeveritare dhe forcimin e atyre ekzistuese, është çështje kruciale për komunitetin botëror në ditët e sotme”.

Pra, nuk është çështje apo rast i izoluar shteti i Kosovës. Është një trend global që shtetet e brishta kanë ndikuar jo vetëm në situatat e brendshme të tyre, por edhe në eksportimin e sfidave jashtë kufijve të tyre. Sigurisht se Kosova nuk mund (nuk ka arritur ende!) të krahasohet në këtë aspekt “eksportimi të sfidave jashtë saj” me shtetet tjera të brishta në rajone të ndryshme të botës. Porse, të qenit në një gjendje të këtillë të vazhueshme, shteti i Kosovës, bashkë me shtetet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, as nuk ka ndihmuar në arritjen e një shkalle tjetër të demokratizimit në këtë rajon.

Tashmë, dallimi konceptual në këtë mes kryesisht shtrohet midis pyetjes nëse:

“Kosova është shtet i brishtë për shkak të vetvetes apo për shkak të Serbisë?”. Në bindjen time, secila ka pasur ndikim të caktuar. Prandaj, thjeshtëzimi i shpjegimit në njërin apo tjetrin faktor, është interpretim ekstremist.

Fukuyama argumenton se qeverisja e dobët e komprometon parimin e sovranitetit mbi të cilin është ndërtuar rendi ndërkombëtar sipas sistemit Vestfalian. E bën këtë, sipas tij, sepse problemet që krijojnë shtetet e dobëta për veten e tyre dhe për të tjerët rrisin konsiderueshëm mundësinë që dikush tjetër në sistemin ndërkombëtar të ndërhyjë në çështjet e tyre të brendshme në kundërshtim me dëshirat e tyre, për ta zgjidhur problemin.

Tash, a nuk është kështu edhe me Kosovën e pavarur?

Dhe, këtu, me fjalën “i dobët” ai i referohet forcës së shtetit dhe jo shtrirjes së tij. Pra, do të thotë një mungesë kapaciteti institucional për të zbatuar politikat, shpesh e shtyrë nga një mungesë themelore e legjitimitetit të të gjithë sistemit politik.

A ka arritur që Kosova të ketë kapacitetin institucional për të zbatuar politikat? Jo.

A e ka ndaluar dikush Kosovës që të rris kapacitetet e veta në mënyrë të plotë? Jo plotësisht.

A ka qenë/A është e aftësuar Kosova të ndërtojë kapacitetet e veta institucionale në mënyrë të pavarur? Jo plotësisht.

Mund të merren qindra raste që e dëshmojnë këtë, shembuj se si kapacitetet e Kosovës për të ndërtuar administratë publike efiçiente janë provuar të mangëta, apo kapacitetet për të ofruar shërbime publike si të mira kolektive, apo kapacitetet për mirëqenie e të ngjashme, apo ofrimin e sundimit të ligjit me legjitimitet në komunat veriore të Kosovës.

Mobi Casa

A ka ndërtuar funksionalitetin e sistemit politik, sikurse e zbërthen David Easton, të një “shpërndarje me autoritet të vlerave në shoqëri”? Qoftë të vlerave jetësore, vlerave materiale, atyre statusore apo vlerave me kusht?

Sipas modelit të zbërthimit të Easton-it, nëse analizohet Kosova, atëherë mund të konludohet se nuk është arritur të konsolidimi i funksioneve kyç të Shceneker-it, as siguria, as mirëqenia dhe as sundimi i ligjit me legjitimitet.

Sërish, kjo nuk e bën të dështuar shtet-ndërtimin. Sepse, Kosova nuk ka dështuar si shtet, jo deri më tash.

Dështimi i demokratizimit kthen dhunën, konsociacionalizmi të vazhdojë

Çështja thelbësore është nëse duam të eliminojmë dallimet etnike apo të menaxhojmë dallimet etnike në Kosovë?

Eliminimi i dallimeve etnike nuk bëhet në formë demokratike në rastin e Kosovës. Menaxhimi i tyre mund të jetë i suksesshëm, nëse arrijmë të kemi qeverisje të mirë dhe të kalojmë në një stad kur Kosova bëhet shtet i qëndrueshëm (jo më shtet i brishtë).

Është e qartë se shoqëria kosovare mbetet edhe më tutje, megjithëse në nivel të përmirësuar, një bashkësi e grupeve të ndryshme etnike, komunikimi i të cilave nuk arrin nivelet përgjithësuese.

Porse, arritja e nivelit të kënaqshëm dhe të qëndrueshëm të demokracisë është proces dhe jo akt.

Dështimi i shtet-ndërtimit në Kosovë mund të sjellë kthimin e dhunës. Kështu është parë edhe në shtete tjera.

Sidoqoftë, një model shtet-ndërtimi nuk garaton suksesin e plotë. As konsociacionalizmi (modeli i shtet-ndërtimit në Kosovë) nuk siguron vetvetiu formulën për sukses afatgjatë demokratik dhe se ai duhet të evoluojë me qëllim që të bëhet demokraci.

Konsociacionalizmi shihet si diçka më shumë sesa një fazë transitore në procesin demokratik. Seymour Lipset argumenton se “Demokracitë e reja duhet të institucionalizohen, të konsolidohen dhe të bëhen legjitime për shkak se transicioni demokratik nuk përkthehet automatikisht në mbijetesë demokratike”.

Arend Lijphart, themeluesi i teorisë së konsociacionalizmit, thotë se kjo ka për qëllim të bëjë të mundur funksionimin e demokracisë në shoqëritë me ndarje të thella. John McGarry, thotë se “qëllimi i konsociacionalizmit është t’i jep secilit grup në shoqëritë seriozisht të ndara një ndarje të drejtë të pushtetit, kështu që këto grupe nuk janë të armiqësuara nga institucionet shtetërore”

Megjithatë, nuk ka garancë apo jo?

Lijphart, në një intervistë personale në vitin 2006, kur shkruaja temën e Masterit, thotë se “konsociacioni është një parakusht i domosdoshëm, por jo një kusht i mjaftueshëm. Pra, kjo është e domosdoshme, por nuk do të thotë se kjo patjetër do të funksionojë”.

Nëse analizohet taksonomia e tetë formave makropolitike të rregullimit të konflikteve etnike, të shtjelluara nga John McGarry dhe Brendan O’Leary, sikurse janë: 1) Gjenocidi; 2) Shpërngulja masive e popullatës me forcë; 3) Ndarja dhe/ose secesioni; 4) Integrimi dhe/ose asimilimi; 5) Kontrolli hegjemonik; 6) Intervenimi i palës së tretë; 7) Kantonizimi dhe/ose federalizmi; dhe 8) Konsociacionalizmi ose ndarja e pushtetit, atëherë del se konsociacionalizmi është forma më demokratike.

Çështja që shtrohet në vijim, në një rast të dështimit, është tejet përmbajtësore:

Si do të zëvendësonte konsociacionalizmin një model tjetër?

Çfarë modeli do të ishte më demokratik, pa vendosur masa imponuese ndaj grupeve tjera, etnive në rastin e Kosovës?