UBT

Shtatzëna: Im shoq tentoi të më digjte me dy fëmijët

/ 4 minuta lexim

Histeria e krimit në familje nuk ka të ndalur. Rastet e dhunës ndaj grave riciklohen nga dita në ditë në qendra urbane dhe rurale të vendit tonë. Dje, policia e Durrësit parandaloi një krim që mund të kishte përmasa të frikshme në familjen Hoxha, banuese në lagjen nr.9 të këtij qyteti. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bëjnë me dije se mesditën e djeshme, rreth orës 12:00, kanë arrestuar 37-vjeçarin Asllan Hoxha teksa po i vinte zjarrin banesës së tij, brenda së cilës ishte bashkëshortja e tij shtatzënë 3-muajshe dhe vajza e tyre 15-muajshe.

Mësohet se Hoxha, për motive xhelozie dhe për shkak të problemeve ekonomike ka rrahur barbarisht gruan e tij dhe më pas ka tentuar ta djegë atë të gjallë, me foshnjën që kishte në bark dhe me vajzën tjetër të mitur.

Sipas policisë lokale, ka qenë Enkelejda Hoxha që ka kërkuar ndihmë në numrin 129. Burimet e mësipërme sqarojnë se 34-vjeçarja kishte denoncuar edhe 2 herë të tjera bashkëshortin e saj. Gruaja shtatzënë me origjinë nga Kukësi është dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ka qëndruar së paku 3 orë, nën mjekim e vizita. Më pas ajo ka dëshmuar para bluve, se i shoqi e dhunonte sistematikisht.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” , Enkelejda Hoxha tregoi me detaje rreth konflikteve me burrin e saj.

Enkelejda, mund të më thuash se si ndodhi ngjarja?

Bashkëshorti im, sot (dje) nuk po dilte për në punë si zakonisht. Ne kemi një punishte të vogël, ku unë bëj akullore dhe peta byreku, ndërsa ai i tregton rrugëve apo në plazh. Kishte folur me vëllezërit e tij, dhe erdhi në shtëpi. Ne jetojmë në katin e katërt të banesës, ndërsa vëllezërit e tij në të dytin dhe në të tretin. Mori shishen me benzinë dhe spërkati shtëpinë. Bënte sherr. U mata ta parandaloja, por im shoq më goditi me shkelm në këmbë, më nxiu. Më pas spërkati muret e shtëpisë, ndërsa unë dhe vajza qanim. Mora në celular policinë. Atëherë ai më qëlloi edhe më fort me shkelm dhe mua më ra të fikët. Kur u zgjova në spital, u trondita. Mirë që e kishin kapur, se burri do të na digjte të gjallë mua dhe vajzën.

Eco Higjiena

Përse bashkëshorti juaj ishte aq agresiv, kishit konflikte në çift?

Ne jemi martuar 4 vjet më parë dhe gjithnjë kemi pasur konflikte. Më rrihte vazhdimisht, por unë nuk bëja zë. Një herë ika nga shtëpia dhe shkova te prindërit e mi, por u ktheva se e kisha vajzën shumë të vogël. Më tha motra “ik tek burri se e ke vajzën të vogël”. Kur u ktheva pas dy ditësh, vajza kishte një të çarë të madhe mbi sy, kemi ndenjur tri javë në spital. Duket që është rrëzuar ose u ka rënë nga dora, nuk ishin kujdesur për të. Për vajzën u ktheva. Burrin e kam denoncuar dy herë në polici.

Pse nisën konfliktet mes jush?

Konfliktet nisën që kur u martuam. Ai u kthye pa asnjë lek nga emigrimi. Kishte punuar për 10 vjet në Londër, dhe të gjitha paratë ua kishte dërguar vëllezërve dhe babait të tij. Ata kishin ndërtuar vilën trekatëshe. Në kat të parë bënë dyqane, në dy të tjerët jetojnë vëllezërit e tij të martuar. Kur erdhi ky, nuk kishte më asnjë lek. I mori borxh tim vëllai 20 milionë lekë dhe ndërtuam katin e katërt, aty ku banojmë. Mori borxhe dhe ishte në depresion. Të gjithë stresin ma nxirrte mua, ndërsa edhe vëllezërit e tij mua më shanin. Asllani ishte dhe shumë xheloz.

Pse thoni që ishte xheloz?

Për dy vjet nuk patëm dot fëmijë. Pas tre vjetësh na erdhi vajza në jetë. Tani unë jam prapë shtatzënë në muajin e tretë. Im shoq më thoshte se “me kë i ke fëmijët, se unë nuk bëj fëmijë”. Unë jam grua e ndershme, vij nga familje e mirë, me tradita dhe me zakone, dhe ta marrin vesh këtë problem vëllezërit e mi e shfarosnin fare. Unë gjithë ditën brenda në shtëpi rri. Bashkëshortin tim e nxisin vëllezërit dhe motrat e tij, të cilët i hëngrën paratë dhe e zhytën në borxhe. /Telegrafi/