Hidromorava

Shtatorja e Presidentit Rugova lartësohet në Prishtinë

/ 3 minuta lexim

Prishtinë – Shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka arritur, mbrëmë vonë, në Prishtinë. Pak para mesnate, ajo është vendosur në bazamentin e ngritur në Sheshin e Pavarësisë, i cili e mban emrin “Ibrahim Rugova”.

Edhe në ato orë të vona, aty ishin mbledhur qindra qytetarë, të cilët ndiqnin së afërmi vendosjen e shtatores në bazament.

Rrugëtimi i shtatores nga Tirana në Prishtinë është shoqëruar nga pjesëtarë të ushtrisë e të policisë së Shqipërisë dhe nga pjesëtarë të FSK-së dhe të policisë së Kosovës.

Shtatorja ka përshkuar rrugën e kombit dhe autostradën që mban emrin e presidentit Rugova, i cili këtu e njëzet vjet më parë kishte qenë ideatori i realizimit të këtij projekti madhor që e lidh Kosovën me Shqipërinë.

Ai thoshte se me ndërtimin e autostradës qytetarët e Kosovës do të shkojnë në Tiranë, për një kafe, e do të kthehen në Prishtinë për pak kohë. Dhe anasjelltas.

Në vendkalimin kufitar midis Shqipërisë e Kosovës, në Vërmicë, kishte dalë për ta pritur edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili është shprehur i entuziazmuar me realizimin e projektit.

RCCOLA

“Është emocion i veçantë ta kemi Rugovën afër, një simbol të qëndresës, një simbol të burrërisë, një simbol të marrëveshjeve, një njeri që u angazhua dhe tërë jetën iu përkushtua pavarësisë së Republikës së Kosovës”,ka thënë Mustafa

Shtatorja e liderit historik të Kosovës është prej bronzi dhe ka lartësi prej 4.20 m. Ajo është punuar nga skulptori shqiptar Julian Muqollari dhe ndihmësit e tij, në një kohë rekord, për vetëm 15 ditë.

“Jam i emocionuar. Kam dhënë maksimumin për ta përjetësuar këtë figurë të madhe të kombit shqiptar” shprehet skulptori Muqollari, me të mbërritur në pikën kufitare të Vermicës.

Shtatorja e Ibrahim Rugovës do të përurohet sot, në mesditë, me një ceremoni shtetërore, të organizuar nga komuna e Prishtinës, me mbështetjen e Presidencës së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për të nderuar personalitetin e Presidentit Rugova, në ceremoni do të jetë e pranishme Garda e nderit e FSK-së. /koha/