Shqiptarët, serbët dhe romët në jug të Serbisë i bashkon mjerimi dhe varfëria

Nga Zoran Stankoviq – Kur flasim për komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes, duhet ti referohemi si një pjesë të Serbisë e cila ka rëndësi strategjike, pasi aty kalon korridori 10, rrjeti i rrugëve dhe hekurudha e cila ka rëndësi të veçantë vitale. Situata në këto hapësira është stabile dhe nuk ka fërkime ndëretnike.
Megjithatë, sistemi është i lënë pas dore, nuk respektohen ligjet, papunësia është e madhe, problemet ekonomike janë të grumbulluara ndërsa politika “lulëzon”.
Vërtetë, në këto hapësira, dallimet janë të dukshme, por serbët, shqiptarët dhe romët ka diçka që i bashkon, e kjo është situata e vështirë materiale në të cilën të gjithë janë të barabartë.
Politika e qeverisë së Republikës së Serbisë dhe trupit koordinues është e koncentruar për zgjidhjen e problemeve themelore të njerëzve të zakonshëm dhe prosperitetin e tyre si dhe për një jetë më të mirë. Nuk është sekret që njerëzit atje shpesh abuzohen për qëllime politike. Rregullisht i vizitoj të gjitha vendet në të tri komunat dhe bisedoj me njerëzit sy më sy. Të gjitha problemet e tyre janë të lidhura me zgjidhjen e çështjes që çon në një jetë më të mirë.
Qëndrimi im është se askush nuk do të jetojë më mirë nëse ngriten lapidare, politizimi, ngritje të tensioneve nacionale, kërkesa të vazhdueshme për zgjidhjen e çështjes politike, pasi me këtë nuk përmirësohet cilësia e jetës dhe nuk hapen vende të reja të punës. Ndoshta nga kjo jeton një numër njerëzish që kanë interesa personale, mirëpo popullata është e papunë dhe në rrethana të tilla lehtë mund të manipulohet. Është e nevojshme që njerëzit të masin se a është prioritet që të merren me çështjet nacionale dhe politike ose të gjithë të përqendrohemi tek çështjet e përparimit. Është e mundur që disave nuk i shkon për dore një orientim i tillë të qeverisë së Serbisë, pasi pozicionin e viktimës duhet të plasohet për shkak të interesave personale. Përkundër këtyre pengesave, ne jemi të vendosur që të ndryshojmë kartën sociale në jug të Serbisë dhe të ngrisim kualitetin e jetës, pasi kjo është e vetmja rrugë e cila çon drejt integrimit të pakicës shqiptare.
Këto tre komuna nuk mund të mburren me statistikat të cilat tregojnë se të gjitha kompanitë që punojnë në jug të Serbisë punojnë me humbje të mëdha.
Në Preshevë papunësia është 56%, në Medvegjë 47% dhe në Bujanoc 43%. Kjo dukje na jep një pamje që duhet të ndërmerren masat e nevojshme, e ajo është investimi. Vitin e kaluar kemi ndarë 40 milionë dinarë për subvencion për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, edhe atë 17 milionë në Bujanoc, 15 në Preshevë dhe 8 milionë në Medvegjë. Përveç kësaj është arritur marrëveshja për bursimin e 300 nxënësve të shkollave të mesme që kanë nevojë materiale. Me donacion të ambasadës së Britanisë së madhe, 240 shqiptarë kanë filluar të mësojnë gjuhën serbe, dhe së shpejti duhet të filloj ndërtimi i fakultetit ekonomik në Bujanoc.
Ka përfunduar edhe faza e parë e maternitetit në Preshevë dhe punët po vazhdojnë. Plani jonë është që të vazhdojmë me investimet dhe punësimin në bazë të mundësive tona, si dhe të tërheqim një numër sa më të madh të investitorëve që do të investojnë në këtë pjesë të Serbisë. Megjithatë, para së gjithash është e nevojshme që të krijohet klima që është stabile, pasi ai që investon të holla nuk dëshiron të rrezikoj.
Në lidhje me këtë në fund të muajit prill do të mbahet edhe Panairi i parë i potencialit investues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në dhomat e tregtisë së Serbisë. Do të provojmë që të tërheqim sa më shumë investitorë për të filluar që të ringjallim këtë pjesë të vendit tonë. Besoj se kjo është e arritshme dhe nuk kam frikë se Serbia mund të mbetet pa këtë pjesë të territorit të saj. Unë konsideroj se për këtë kemi marrë mësime nga ngjarjet e mëparshme që kanë ndodhur në ish Jugosllavi.
Ne si shtet obligohemi që të respektojmë të drejtat e pakicave nacionale në përputhje me ligjin, gjithashtu duke i respektuar edhe konventat ndërkombëtare, por gjithashtu edhe pakicat kudo nëpër botë, po edhe tek ne, duhet të respektohen ligjet që vlejnë për të gjithë qytetarët pa dallim. Sistemin që duhet të krijojmë në këto tri komuna nuk duhet çdo herë që të na kthejë sikur rrota e historisë.
Bisedimet janë të nevojshme dhe është e vetmja mënyrë që mund të arrijmë deri tek zgjidhja. Prioriteti ynë është që të kuptojnë shqiptarët se sot deri tek punësimi vihet shumë vështirë pasi edhe vet shteti gjendet në pozitë të keqe materiale, dhe se nuk është e mundur që të jetosh dhe të kesh lindur në një shtet ku nuk e flisni gjuhën amtare të atij shteti në të njëjtën kohë edhe të kërkoni punë. Gjithashtu edhe regjistrimi i popullatës është që na detyron ligjërisht. Me Bojkotimin e regjistrimit të popullatës ata vet i kanë prishur të drejtat e tyre themelore, gjegjësisht i kanë pamundësuar organeve shtetërore që në mënyrë të duhur të sigurojnë realizimin e tyre.
Është e rëndësishme që njerëzit që jetojnë atje të kuptojnë se nuk janë në kurrfarë dizavantazhi dhe se për ne të rëndësi të njëjtë kanë të gjithë banorët e këtyre komunave dhe askush nuk mund të tregoj me gisht apo të imponojë idenë e ndarjes ose prioritetet sipas përkatësisë kombëtare. Për ne të gjithë qytetarët janë njësoj të rëndësishëm dhe për të gjithë jemi të angazhuar në mënyrë të barabartë.
Në pjesën e “tortës” është ajo që ne përballemi, dhe janë të hapura shkolla, ambulanca, punësime, investime, infrastruktura, çështja e simboleve kombëtare dhe shumë çështje të tjera që duhet të zgjidhen në mënyrë paralele. Kjo kërkon përkushtim dhe nuk është aspak e lehtë, dhe suksesi nuk mund të arrihet shpejt. Për secilin gjejë kohë që të takohemi dhe të bisedojmë, mirëpo unë kërkoj sinqeritet, mirëkuptim dhe transparencë për bashkëpunim pasi të gjithë jemi në të njëjtën linjë. Preokupimi i qeverisë së Serbisë dhe trupit Koordinues për komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes është prosperitet ekonomik, dhe dorën e zgjatur, kurrë mos e moho.
/Autori është kryetar i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë/