RCCOLA

Shqipja e sotme mes dy taborëve

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Nga Qemal Murati- Me gjithë arritjet e pakontestueshme, gjuha shqipe sot, ndodhet përpara dy sfidave të mëdha: së pari, përpara sfidave për ta ruajtur këtë vlerë të madhe nacionale, dhe së dyti, përpara denigrimit të kësaj gjuhe që ia shkaktojnë vetë shqipfolësit.

Me shqipen në cilësinë e kompetentit sot merren të gjithë!

“Nga pikëpamja gjuhësore dhe simbolike, dy ngjarjet më të rëndësishme për standardizimin e gjuhës shqipe në shekullin e njëzetë kanë qenë Kongresi i Manastirit në vitin 1908 dhe Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972. Që të dyja ishin ngjarje me efekte edhe jashtë Ballkanit” – shprehet albanologu dhe ballkanologu i shquar amerikan Viktor Fridman (Shqipja standarde në Amerikë: Studime shkencore, pedagogjike dhe planifikimi gjuhësor, te Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, Tiranë, 11-12 nëntor, 2002, ASHSH, Tiranë, 2003, 155). Ndërsa Kongresi i Alfabetit i unifikoi shqiptarët në grafi të njëjtë, Kongresi i Drejtshkrimit i unifikoi shqiptarët të komunikojnë me një formë gjuhësore të përbashkët kombëtare. “Historia e kulturës sonë në tërësi, jo vetëm e asaj shkrimore, nuk ka asnjë vepër që mund të krahasohet me Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” (Shpëtim Çuçka).

Kongresi i Drejtshkrimit, 41 vjet më parë, u dha kompetencë kompetentëve të gjuhësisë, të përfundojnë përpjekjet për unifikimin e gjuhës shqipe, dhe Kongresi vetëm sa e përshëndeti këtë, – shprehej një dashamir i shqipes në një blog të internetit. Ndërkaq, koha e sotme u ka dhënë “liri” inkompetentëve të gjuhës që të gdhendin pa mëshirë mbi atë që është ndërtuar me shumë mund e sakrifica.

Me gjithë arritjet e pakontestueshme, gjuha shqipe sot, ndodhet përpara dy sfidave të mëdha: së pari, përpara sfidave për ta ruajtur këtë vlerë të madhe nacionale, dhe së dyti, përpara denigrimit të kësaj gjuhe që ia shkaktojnë vetë shqipfolësit, me gërryerjen e normave gjuhësore standarde, me përdorimin e kësaj gjuhe me fjalor të varfër e me gramatikë dhe sintaksë të zbërdhulët. Animozitetet, tundimet, bastardimet, huazimet, hibridizimet, mëtimet për rikthimin e standardit në dialekte, përbëjnë atë korpusin e problematikave me të cilat përballet gjuha shqipe sot.

Gjuha shkon gjithmonë “tue ba ndryshime” – thoshte gramatikani i shquar Justin Rrota. Pra, si të thuash “Gjuha ndryshon, por nuk ndryshohet” (Helena Grillo), që do të thotë se gjuha ka zhvillimin e saj të natyrshëm. Ndryshon me evolucion, por atë nuk mund ta ndryshojë askush me revolucion, me përdhunë.

Denotimet dhe konotimet gjuhë standarde – dialekt

Format shprehëse të gjuhës: standardi letrar e dialektet, kanë një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet tyre, ngaqë standardi mbështetet mbi dialektet, por kanë dhe denotimet e konotimet specifike. Nocioni civilizues gjuhë standarde denoton diferencimin funksional, kurse konoton përdorimin e përgjithshëm në shoqëritë moderne dhe varietetin e prestigjit; termi dialekt, që tradicionalisht i takon rrafshit horizontal, d.m.th. e folura karakteristike e një regjioni ose lokaliteti, është i ngarkuar me konotacione negative të ambientit rural, të prapambeturisë – dhe kësisoj në mënyrë eksplicite ose implicite kontraston me varietetet standarde ose letrare që janë me prestigj të lartë (Ranko Bugarski, Evropa u jeziku, Beograd, 2009: 92).

Në marrëdhënien gjuhë standarde – dialekt, identiteti gjuhësor krijon dhe identitetin shoqëror, tribal, nacional etj. Prandaj duhet të kihet parasysh gjithmonë ky fakt relevant: t’i jepet standardit atë që i takon standardit, dhe t’i jepet dialektit atë që i takon dialektit, e jo të bëhen këto kaçamak e kryelanë, të përfshfaqim identitetet tona tribale a krahinore edhe aty ku nuk do të duhej.

“Ne të gjithë kemi një identitet tonin tribal, e secili është ndoshta po aq krenar për këtë identitet, e për rrjedhojë secili mund ta theksojë e demonstrojë si e sa të dojë këtë identitet. Asnjë e keqe nuk na vjen prej kësaj; përkundrazi. E keqja na vjen prej sublimimit të këtij identiteti në kurriz të një identiteti më të madh, atij nacional, të cilin kemi rënë dakord ta mbrojmë e ta zhvillojmë, pasi e shohim si një mënyrë për t’u bërë më të mbrothët e më të mbrojtur në botën ku jetojmë. Dhe përsëris e saktësoj, që e keqja nuk është theksimi e manifestimi i identitetit lokal; e keqja është sublimimi i tij në një kontekst nacional, dhe një nga mënyrat për ta sublimuar është dhe qëndrimi përçmues që mbahet ndaj gjuhës zyrtare, standardit pra, në majë të institucioneve nacionale”, – shprehet Mustafa Nano,- duke iu referuar normëshkelësve që janë madje në krye të institucioneve.

UBT

Si i bëhet me ata që, edhe pse janë zgjedhur në krye të institucioneve nacionale, nuk e flasin dot standardin? Në këtë rast nuk ke se çfarë të bësh. Duket pak e pamundur, në fakt, që dikush që ka një marrëdhënie gati zero me standardin të ngjitet deri lart në maja institucionesh, pasi standardi, duam s’duam, përbën një stekë që duhet kaluar prej të gjithë atyre që duan të marrin grada në hierarkinë shtetërore e nacionale. Secili prej nesh ka mbeturina të të folmeve tribale, të cilat i demonstrojmë gjatë ditës në të gjitha rrethanat e mundshme.

Mendësia jonë gjuhësore tribale e pakundshoqe në botë

Në vendet e tjera me qytetërim të konsoliduar, qytetarë dhe zyrtarë nuk mund të sillen në këtë mënyrë e banalisht me gjuhën: standardin zyrtar domosdoshmërisht do ta përdorin aty ku e ka vendin, në institucionet publike e shtetërore, kurse mund t’ia dredhin në dialekt në ambiente private, familjare, miqësore e rurale. Albanologu gjerman Prof. Hermann Ölberg sjell si shembull rastin e Austriakëve e të Bavarezëve që flasin në shtëpi bavarishten, por në veprimtarinë shoqërore e shtetërore përdorin gjermanishten e lartë (standarde), pa kërkuar që “të bavarizojnë” ndonjë pjesë të sistemit të saj. Në kulturat e mëdha perëndimore, shtetari Zhak Shirak përmes mbrojtjes së gjuhës fitonte epitetin e liderit, që mbron interesat e kombit; ai aq shumë e mbronte gjuhën frënge, pa pyetur se mbi ç’bazë dialektore është formuar ajo, saqë asnjëherë, me një përjashtim të një interviste në BBC në vitin 1998, nuk ka pranuar të fliste publikisht anglisht, edhe pse thoshte se e fliste rrjedhshëm dhe një pjesë të studimeve i kishte bërë në Amerikë (Augustin Paloka, Shikim nga Brukseli: Agim Çeku më i moderuar se Jacques Chiracu!, Koha Ditore, 27. 3. 2006). Kurse ne, edhe në elementin gjuhë dallojmë nga Evropa e nga evropianët si nata me ditën e si delja e zezë, jemi shumë larg nga të qenit evropian kulturalisht e gjuhësisht; sado që gjithë ditën e lume shtiremi e gajasemi se jemi të orientuar nga Perëndimi, evropianisht, ne vazhdojmë sillemi lindorsisht, të rendim pas dialektit tonë krahinor e pas pseudofilologëve akademikë, që kanë marrë sot në dorë flamurin e krahinorizmit gjuhësor pandan shqipes standarde a zyrtares! Dhe të fërkojmë duart: kur do të bëhet kongresi i ri i drejtshkrimit, të krijojmë standarde të reja të shqipes, shqipen neostandarde, e marrëzira të ngjashme ordinere! Jemi të pakundshoq e veç dynjasë, siç thotë populli, sepse dhe në mendësinë tonë gjuhësore po profilizohen rryma a taborë që nuk i gjen te asnjë popull dhe te asnjë gjuhë e botës, si: “e majta gjuhësore” dhe “e djathta gjuhësore”! “enverizmi gjuhësor” etj. (M. Kraja, Enverizmi gjuhësor dhe të tjera marrëzi, Shekulli Online, 15 korrik 2012).

Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar! Në kuptimin e asaj se gjuha u takon të gjithëve, një dallojë tjetër që na karakterizon është dhe kjo, se tek ne me gjuhën merren më shumë diletantët, pseudofilologët, njerëz jo të zanatit, të cilët nuk kanë asnjë vepër për të qenë. Kundër pseudofilologëve që kishin ngritur krye këtu e afro një shekull më parë, gjuhëtari i madh prof. Eqrem Çabej shprehej me zemëratë:

“Sot secili në Europën e qytetëruar, para se të merret me shkrime filologjike, i shkon mjaft vjet në bankat e universitetit, atje ku gjuha studiohet e analizohet me exaktitudë matematike, duke qenë se filologjia është një nga dituritë më të shtrëngueshme (severe) e më exakte që mund të jetë në botë…! Kurrkush nuk ka të drejtë të shkruajë mbi gjuhë pa u pat marrë vjet me radhë me studimin e vërtetë të saj! Kurrkush! Se gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar!…Kush do të shkruajë mbi shqipen, më parë duhej të jetë marrë me studimin e gjuhëve indoevropiane përgjithësisht, e pastaj duhet të ketë studiuar gjithë shkrimtarët shqiptarë e gjithë albanologët e huaj, numri i të cilëve është aq i madh, sa studimi i tyre lyp vjet me radhë pune të pareshtur…” (Eqrem Çabej, Kundër pseudofilologëve, Graz, 1929, botuar në Bota shqiptare, 2008).

Ky do të duhej të ishte një mësim i mirë edhe për këta pseudofilologët tanë të sotëm, t’i rreken mirëfilli filologjisë, e të lënë anësh verbëritë krahinoriste.

Edhe një albanist i klasit dhe personalitet shumë i veçantë, me erudicion të pashoq, Prof. Selman Riza, ishte një armik i përbetuar i diletantizmit, i gjysmëdijes që promovohej si dije, – i kësaj sëmundjeje foshnjore nga e cila shqiptarët nuk janë shëruar mjerisht as sot e kësaj dite. Për këtë ai qysh në vitin 1938 botoi te revista e famshme “Përpjekja shqiptare” artikullin programatik e me peshë “Dilletantismi dhe zanati”, për një dukuri të atillë kur gjithkush pretendonte se mund të merrej me punë gjuhësie pa e mësuar e pjekur mirë më parë këtë zanat. “Dilletantismin e gjejmë pa fjalë në çdo vend të botës së qytetëruar edhe në çdo lëmë të diturive e të mjeshtërive. Mirëpo mua s`më besohet që dilletantismi të lulëzojë gjëkundi gjetkë si ç`lulëzon përgjithësisht në Shqipëri edhe n`albanologji posaçërisht”. Kur merr e vështron edhe sot se kush merret e si merret me gjuhën, ky gjykim lapidar i Rizës vjen sikur ta kishte thënë sot. Thënia e intelektualit dhe shkrimtarit të madh gjerman Gëte: “Secili që flet, kujton se mund të flasë edhe mbi gjuhën”, gjen shprehjen e vet sidomos tek ne shqiptarët.

Hebrenjtë sillen ndaj Izraelit vetëm si hebrenj, jo si ithtarë të ndonjë partie politike (Ilija Milçin, Jazikot na mediumite, Skopje, 2001, 53). Të sillemi dhe ne shqiptarët ndaj gjuhës standarde shqipe vetëm si shqiptarë, jo si “e majtë gjuhësore” a si “e djathtë gjuhësore”, si “enveristë” a si “antienveristë”, si “gegë” a si “toskë”, si “të jugut” a si “të veriut”, si “shqiptarë” a si “kosovarë”, sepse gjuha shqipe është një dhe e përbashkët dhe shumë e vogël që të mërgohet e të katandiset në kaq shumë ndarje e nënndarje. Kjo kohë të kujton ato vargjet e pavdekshme të poetit vlonjat Ali Asllani: “Koha është e maskarenjve/ Po Atdheu është i shqiptarëve!” Kjo kohë është kohë e shqipes standarde dhe nuk është kohë e standardofobëve, që kujtojnë se kanë fatet e gjuhës shqipe në dorë dhe mund të bëjnë ç’të duan me të! Problemi i standardit të shqipes është zgjidhur njëherë e mirë, njëjtë sikurse e kanë zgjidhur dhe gjuhët e tjera indoevropiane: në mënyrë të logjikshme, të suksesshme dhe përfundimtare.

(Revista Shenja)