UBT

Shqipëria me “samba” e bën prapë historinë, shkon në Berlin

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Shqipëria tashmë edhe zyrtarisht mund të nisë ftesën për kualifikimin e dytë në histori në një Kampionat Evropian.

Të udhëhequrit nga braziliani Sylvinho sonte siguruan një biletë në mesin e 24 kombëtareve më të mira, që do të garojnë vitin e ardhshëm në “Euro 2024”, që do të mbahet në Gjermani – shkruan Gazeta Express.

Shqipërisë i mjaftoi sonte një pikë përballë Moldavisë, për të arritur kualifikimin e dytë.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zimbru” përfundoi me rezultatin 1:1.

“Kuqezinjtë” e dominuan pjesën e parë, me ç’rast edhe shkuan në pushim me epërsi minimale.

RCCOLA

Sokol Cikalleshi ishte ai që ia dhuroi epërsinë Kombëtares shqiptare në minutën e 25-të, me golin e shënuar nga penalltia.

Pjesën e dytë më mirë e nisën moldavët, teksa Shqipëria po provonte të ruante rezultatin që i nevojitej. Etrit Berisha bëri paraqitje fantastike gjatë këtyre 45 minutave, pasi bëri disa pritje vendimtare.

Gjithsesi, vendasit ia dolën të barazonin rezultatin përmes Vladislav Baboglo (87’) – por, futbollistët kuq e zi ia dolën të marrin një pikë tejet të vlefshme.

Shqipëria pas kësaj fitore ka grumbulluar 14 pikë pas shtatë xhirove dhe kryeson në Grupin I, me një bilanc fantastik prej katër fitoreve, dy barazimeve dhe vetëm një humbjeje.

Kombëtarja e Shqipërisë pas tri ditësh do të zhvillojë ndeshjen e ardhshme ndaj Ishujve Faroe, në stadiumin “Air Albania”, ndeshje në të cilën pritet të ketë një festë madhështore. /Gazeta Express/