Shqipëria, me ndeshje emocionale dhe me shpresë për sukses
Shqipëria do të ketë punë me kundërshtarë shumë të njohur në Grupin A të Kampionatit Evropian të futbollit. Shorti i tërhequr të shtunën mbrëma ka bërë që Shqipëria në kuadër të Grupit A të përballet me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë.
Me të tri përfaqësueset, kuqezinjtë kanë bilanc negativ, por megjithëkëtë ka shpresë për sukses, përkatësisht për të kaluar grupin.
“Euro 2016” është ngjarja e parë e madhe e futbollit në të cilën paraqitet Shqipëria. Shqipëria ishte në vazon e fundit dhe llogaritet ndër autsajderet e Evropianit që mbahet verën e ardhshme në Francë. Shqipëria ndeshjen e parë e luan në Lens më 11 qershor nga orë 15:00, kundër Zvicrës, shkruan sot Koha Ditore. Në Marseille më 15 qershor nga ora 21:00 luan ndaj Francës, ndërsa ndeshjen e fundit në grup e zhvillon më 19 qershor në Lyon kundër Rumanisë. Tifozët e Kombëtares shpresojnë që ajo të mos jetë edhe ndeshja e fundit në evropian.
Me Francën, Kombëtarja ka pasur dy ndeshje të mëdha së fundi. Në miqësoret që luheshin gjatë fazës kualifikuese në kuadër të grupit I, Shqipëria pati dy paraqitje të mira ndaj francezëve. Më 14 nëntor të vitit të kaluar Mërgim Mavraj shënoi gol në barazimin 1:1 me Francën, në Rennes. Ndërkohë, më 13 qershor të këtij viti, Franca humbi 1:0 në Elbasan. Golin e vetëm e shënoi Ergys Kaçe.
Më herët Franca ka fituar të gjitha katër ndeshjet me Shqipërinë, të gjitha eliminatore për evropian. Në vitin 1990 fitoi 1:0 në udhëtim, në vitin 1991 fitoi 5:0. Francezët ishin më të mirë edhe në vitin 2011 duke fituar 2:1 në udhëtim dhe 3:0 në shtëpi. Të përzgjedhurit e Giani de Biasit shpresojnë për shifra më të mira në evropian.
Ndeshja me Francën do të jetë e veçantë, sidomos për kapitenin e kombëtares, Lorik Cana. Cana është duke luajtur për Nantesin në Francë, ndërsa ka kujtime prej më të mirave prej stadiumit në Marseille ku do të zhvillohet përballja me Francën.
http://koha.net/?id=6&l=88866

