Shpërthimi i Halimit, talenti kosovar që Jurgen Klopp ‘çmendej’ pas tij

Viti 2015 ishte një vit i jashtëzakonshëm për shumë futbollistë shqiptarë, por padyshim shkëlqimin më të madh e bëri Besar Halimi.
Betim Zeqiri
Djaloshi nga Gjilani nuk po luante në një ligë të madhe, por ishte liga e tretë e Gjermanisë, kur me driblimet e tij, asistimet e golat i bëri gjithë për veti.
Ylli i sotëm i Manchester Cityt, Kevin De Buryne ishte asistuesi më i mirë në gjithë Gjermaninë me 23 asistime, ndërsa pas tij menjëherë ishte talenti i jashtëzakonshëm kosovar, Besar Halimi që kishte bërë 15 asistime.
Kjo mjaftoi që pas tij të vihen shumë skuadra të njohura evropiane, si Benfica, Portot, Ajax,Dortmund Werder Bremen si dhe në Angli nga Brentford.
Viti 2015-të për të ishte i jashtëzakonshëm, pasi arriti të realizoi ëndrra të mëdha, të nënshkruajë kontratë në Bundesliga 1, ta vesh fanellën e Përfaqësueses së Kosovës dhe të luaj në vendlindjen e tij para familjarëve me Kosovën.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Besari tregon gjithçka, pse refuzoi gjigantët evropianë për Mainzin, si ndihej kur luante në Prishtinë, si refuzoi Kombëtaren e Gjermanisë për Kosovën dhe planet për të ardhmen.
“Viti 2015-të, ka qenë vit shumë i mirë për mua në karrierën sportive. Gjithçka ka shkuar në mënyrë përfekte dhe mund të them se ishte viti më i mirë deri më tani për mua”, thotë Halimi fillimisht për Telegrafin.
Për Halimin viti që sapo lamë pas ka qenë i mrekullueshëm, pasi gjithsej ka luajtur 2704 minuta, ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar tetë asistime, duke fituar edhe tri penallti, një me FSV Frankfurtin dhe dy me Stuttgart Kickers.
“Pas përfundimit të stinorit me Kickers, më erdhën shumë oferta të mira. Fillimisht ishte Borussia Dortmund që më kërkonte me ngulm, në veçanti trajneri Jurgen Klopp ku pas ndeshjes së Kupës më ka treguar se më dëshiron me çdo kusht”.
“Dëshira ime ishte të shkoja në Dortmund, por pasi Klopp u largua gjithçka ndryshoi. Më kërkuan edhe Porto, Benfica, Ajax, Werder Bremen e Brentford, por unë vendosa për Mainzin, pasi ata më dhanë mundësinë që të huazohem në FSV Frankfurt për një vit ku jam tek familja ime. Viti tjetër do të rikthehem te Mainz për të luajtur në Bundesligë”, tregon Besari ekskluzivisht për Telegrafin rreth ofertave që kishte.
“Ishte diçka e bukur shumë për mua që të nënshkruaj me një skuadër të Bundesliga 1 dhe është një ëndërr e realizuar, por ajo më e mira ndodhi kur kam veshur fanellën e Përfaqësueses së Kosovës. Kjo fanellë është e mrekullueshme dhe më bënë të ndihem i veçantë”.
“Ky vit shkoi në mënyrë përfekte, ndërsa shpresojë që vitin tjetër mos të përballem me lëndime dhe të arrijë edhe më shumë suksese, si me klubin ashtu edhe me Kosovën”.
Por si është ta refuzosh një kombëtare të madhe botërore për një Kosovë që ende nuk është e pranuar në FIFA dhe UEFA, dhe për këtë më së miri përgjigjet Besari.
“Pasi kam marrë ftesën e Kosovës më ka ardhur edhe ftesa e Gjermanisë U21, por natyrisht e kam refuzuar. Nuk më bënë përshtypje asnjë ftesë nga asnjë kombëtare, pasi qëllimi im është që ta dërgoi vendlindjen time në Kampionatin Botëror”, tha Halimi.
Besi aktualisht është i huazuar tek skuadra e Bundesliga 2, FSV Frankfurt nga Mainz 05, ndërsa gjatë këtij stinori ka arritur të shënoi katër gola ka bërë dy asistime duke qenë golashënuesi më i mirë i klubit.
Kosova tani ka njërin ndër talentet më të mëdhenj në Gjermani, dhe për Halimin ky është vetëm fillimi, pasi në të ardhmen shpreson që të fitoj trofe me vendin e tij. /Telegrafi/