Fundamenti

Shpërbërje të Kuvendit ose mocion të mosbesimit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, janë pajtuar për disa veprime që do ta çojnë vendin në zgjedhje, më së largu në qershor të këtij viti
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë pajtuar për disa veprime që do ta çojnë vendin në zgjedhje, më së largu në qershor të këtij viti – shkruan gazeta Tribuna.

Ata janë marrë vesh që kryetarit të PDK-s, Hashim Thaçit, t’i ofrohet mundësia e caktimit të datës se kur do të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës, veprim që do t’i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Në rast se PDK refuzon të caktohet data, atëherë partitë opozitare, përfshirë LDK-në, do t’i bashkohen nismës së AAK-së për ta rrëzuar Qeverinë me anë të një mocioni mosbesimi.

Eco Higjiena

Të njëjtën marrëveshje kreu i LDK-s po planifikon ta arrijë edhe me liderin e Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe me liderët e partive të tjera politike.

Gazeta Tribuna ka raportuar se po shqyrtohet një skenar që Kuvendi të shpërbëhet gjatë muajit mars, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen në qershor. Ky vendim do t’iu mundësonte partive që të mos e votojnë në këtë mandat kërkesën e BE-së për krijimin e Tribunalit për UÇK-në.