RCCOLA

Shpallësi i pavarësisë së Shqipërisë” është gjallë

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Mjekra e tij e bardhë, kapela e zezë dhe kostumi që ai e vesh në raste të caktuara festive e bëjnë Bedri Selmanin që të ngjajë shumë në njeriun që e ka shpallur pavarësinë e Shqipërisë, Ismail Qemalin.

“Ismail Qemali është i gjallë”. Këtë fjali i ka rënë ta dëgjojë shpesh 57-vjeçari nga Mitrovica. Atij ia kanë thënë disa herë në sy. I ka dëgjuar shpesh edhe njerëzit në rrugë. Ia ka thënë edhe ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, por edhe qindra të tjerë. Mjekra e tij e bardhë, kapela e zezë dhe kostumi që ai e vesh në raste të caktuara festive e bëjnë Bedri Selmanin që të ngjajë shumë në njeriun që e ka shpallur pavarësinë e Shqipërisë, Ismail Qemalin. Qysh para 40 viteve, ai i ishte futur rrugës së aktrimit dhe që nga atëherë Selmani luan në teatrin joprofesionist të Mitrovicës. Ngjashmëria me Ismail Qemalin i ka dhënë atij disa herë role në teatër.

Mirëpo për t’ia rritur besimin se me të vërtetë ngjan në Ismail Qemalin, kishin qenë shokët dhe shoqet e klasës së vajzës së tij, Edonës. “Shkova për ta vizituar në shkollë vajzën time, Edonën, dhe të gjithë shokët dhe shoqet e saj u quan në këmbë për të më përshëndetur dhe secili nga ta nisen duke thënë ‘ka ardhë Ismail Qemali”, ka treguar Bedriu për Tribunën. Nga ajo kohë e deri më tash, në secilin moment që ai vesh rrobat e veçanta dhe vendos kapelën, përballet me komente të shumta dhe lëvdata.

Me pamjen e tij, Bedri Selmani i kishte magjepsur edhe ansamblin e këngëve dhe valleve Shota. Bedriu menjëherë angazhohet nga drejtori artistik i ansamblit Fahri Beqiri, në projektin që para tetë viteve, ansambli Shota përgatiste për festat e nëntorit. Për Bedriun kishte dëgjuar edhe Arian Çani dhe Blendi Fevziu. Të dy këta moderatorë të njohur në televizionet e Shqipërisë i kishin bërë ftesë që të jetë në programet e tyre. Ai kishte marrë pjesë në një emision organizuar për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, bashkë me disa personazhe të tjera që ngjanin në personalitete të njohura kombëtare.

Shtëpia e Pavarësisë e pret si hero

KKVITI

Bedri Selmani ka vizituar disa herë edhe shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë. Punëtorët e saj e presin dhe ia hapin derën si të shkonte vetë ish-kryeministri Ismail Qemali. “Kam qenë së fundmi edhe për 100 vjetorin e Pavarësisë. Kam pasur reagime që nuk mund t’i përshkruaj. Kanë kërkuar shumë të fotografohen me mua, më kanë ftuar për kafe, e madje vlonjatët na kanë ftuar edhe për darkë në shtëpitë e tyre. Ndërsa sa herë që shkoi në muzeun, shtëpinë e Pavarësisë më presin shumë mirë dhe më njohin të gjithë”, thotë ai.
Por nga këto komente Bedriu shpesh edhe është ngushtuar, duke u ndier krenar për epitetin që njerëzit po ja japin.
Bedri Selmani, e ka një lloj simpatie shumë të mirë për Ismail Qemalin.

Ai e ka shikuar filmin “Nëntori i Dytë” më shumë se dhjetë herë, ku rolin e Ismail Qemalit e luan Sander Prosi. Edhe më i emocionuar Bedriu është ndier kur e ka takuar djalin e këtij aktori. Ai kishte kërkuar që ta takonte. E djali i Prosit, ishte mallëngjyer dhe nuk kishte besuar se një njeri mund t’i ngjajë aq shumë Ismail Qemalit, por edhe babait të tij, Sandër Prosit.

E për Ismail Qemalin Bedriu ka lexuar dhe ka mësuar shumë. Mirëpo ndryshimi i historisë dhe fjalët që ka dëgjuar për Qemalin, ja kanë turbulluar mendimet. “Tash është një histori më ndryshe nga ajo që unë kam mësuar në shkollë fillore. Kamë mësuar së fundmi edhe gjëra të shumta që nuk i kam ditur më përpara për Ismail Qemalin. Por do të ja lëmë kohës dhe historianëve që ta paraqesin historinë reale e cila ka qenë”, ka thënë Bedriu.

Bedri Selmani, është lindur dhe jeton në Mitrovicë, bashkë me nënën e tij 90 vjeçare, gruan Xhemilen dhe vajzën e tij Edonën. Ka mbushur 57 vjet më 1 gusht të këtij viti. Selmani, që 40 vite, është aktor i teatrit joprofesionist të Mitrovicës. Në anën tjetër, Selmani merret edhe me biznes. Ai është pronar i një agjencisë që merret me marketing dhe rezervime udhëtimesh./tribuna/