UBT

Shkurtimet e pashmangshme

/ 5 minuta lexim

Nga Ibrahim Rexhepi- Arka e shtetit në fund të vitit nuk do të jetë aq e zbrazur sa të mos ketë mundësi të paguajë pagat dhe pensionet, por mund të ketë shkurtime të mëtejme në mallra, shërbime e investime kapitale, ose disa obligime të barten në vitin e ri fiskal.

Nuk është vetëm shkresa e FMN-së që ka treguar se diçka Qeveria e Kosovës i ka shtrirë këmbët më gjatë se që e ka jorganin. Zhvillimet ekonomike nuk japin shumë shpresë se mund të ketë të hyra aq sa të mbulohen shpenzimet e planifikuara dhe në të njëjtën kohë të mbajë rezervën buxhetore në kufijtë e një situate stabile.

Shqetësimi i parë vjen nga niveli tejet i ulët i zhvillimit ekonomik. Norma maksimale e rritjes deri në tre për qind më shumë tregon për stagnim, se sa për rritje reale. Posaçërisht se ajo nuk do të mjaftojë për të plotësuar të gjitha nevojat që ka vendi, si në sferën sociale, ashtu edhe fiskale. E dyta, e cila buron pikërisht nga norma e ulët e zhvillimit , është rënia e importit.

Ky fakt, në rrethanat e tjera ekonomike është për inkurajim, posaçërisht nëse ai ndikon në përmirësimin e bilancit tregtar, mirëpo, në Kosovë është për brengosje. Në esencë buxheti është i mbështetur në të vjelat nga kufiri, prandaj , sipas kësaj logjike, sa më pak që të ketë import, bijnë të hyrat nga taksa doganore, akciza e TVSH-ja, kjo krejt në fund rezulton me minusin në arkën e shtetit. Këtu nisin problemet, të cilat është vështirë të tejkalohen pa shkurtime buxhetore, apo pa siguruar të hyra shtesë.

Se importi, për fat të keq është shumë i rëndësishëm për vendin,vërehet nëse kemi parasysh shkëmbimet tregtare gjatë muajve të para të këtij viti.

Sipas Agjencisë së Statistikave për pesë muaj eksporti ishte mbi 122 milionë euro, ose gati 17 për qind më i lartë se para një viti, ndërkaq importi prej 911 milionë eurosh kishte një rritje të padukshme – 0,3 për qind.

Mirëpo, në gjysmën e parë të këtij vitit Dogana e Kosovës ka vjelë 372 milionë euro, ose gati sa edhe vjet për të njëjtën periudhë. Mirëpo, kjo shumë ishte dhjetë milionë euro më e ulët se pritjet dhe kjo tash prishë kalkulimet me buxhetin.

Në të dhënat e përgjithshme kjo nuk vërehet shumë, meqenëse, deri në fund të majit në buxhet kanë hyrë 571 milionë euro, kurse janë shpenzuar 544 milionë euro, që do të thotë se kanë tepruar 27 milionë euro.

Gjendja nuk do të dukej kështu, sikurse pikërisht në muajin mars dhe prill, do të thotë para kohës së paraparë, të mos inkasohej dividenti prej 30 milionë eurosh. Aq sa ishin të planifikuara të hyrat vjetore nga ky burim.

Mobi Casa

Sinjali i parë për problemet që mund të ketë arka e shtetit ishte rishikimi i buxhetit. Ndonëse në vija të trasha nuk vërehen ndryshime të madha, ka shkurtime dhe zhvendosje të parasë nga një qëllim te tjetri.

Kjo sjellë agjencitë buxhetore në një siklet, meqenëse ato gjatë periudhës së mbetur të vitit duhet të riambientohen brenda një buxheti më të shkurtër.

Ndërkaq, praktikat e deritashme kanë treguar se pagesat më të mëdha për shpenzime bëhet që nga muajit tetor. Ka gjasë që kjo të ndodhë edhe sivjet, meqenëse janë zgjedhjet lokale, dhe, si zakonisht, premtimet mund të jen të mëdha dhe të mbulohen nga qeveria, me qëllim që partia më e madhe në koalicionin qeveritar të mbajë ën dorë edhe pushtetin lokal.

Sado që zyrtarët nga Qeveria e Kosovës gjendjen e paraqesin optimiste dhe nuk e kanë shumë për qejf që të flasin për shkurtimet buxhetore, megjithatë realiteti është më i hidhur. Muajt e fundit të vitit do të reflektohen vështirësitë për financimin të gjitha detyrimeve që ka marrë qeveria.

Kjo, për faktin se përkundër një optimizmi të matur që shprehin Doganat e Kosovës, nuk ka ndonjë indikacion të qëndrueshëm se ato kanë mundësi të mbushin arkën e shtetit. Pastaj, më nuk ka para nga dividenti, meqenëse ato u shpenzuan më herët, ndërsa në ndërkohë do të vijën faturat mjaft të rënda për punkte kryera në projekte të infrastrukturës, kurse nuk ka gjasa që të zvogëlohet shuma e pagesave për paga, apo për pensione.

Mundësi e vetme për të mbajtur qëndrueshmërinë e buxhetit janë të hyrat nga shitja e pasurive kombëtare, si është PTK-ja. Me arkëtimin e parave qeveria do të jetë më e relaksuar, si për pagesat në rrafshin social, ashtu edhe për financimin projekteve të ardhshme. Nëse kjo nuk ndodhë, shkurtimet janë të pa evitueshme.

Ndoshta ato nuk do të vërehen te pagat e pensionet, por pa dyshim se nuk do të ketë para për mallra e shërbime, apo edhe për ndonjë investim kapital. Ose, disa pagesa do të shtyhen për në mot, meqenëse kjo nuk është praktikë re panjohur nga Qeveria.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)