Shkrimtar i dashur, njeri me parime të palëkundshme Rexhep Hoxha 1929-2019

Nga Mehmetali Rexhepi – Sot nisa ditën me lajmin mortor: vdekjen e shkrimtarit të dashur për fëmijë Rexhep Hoxha! Padyshim lindja e ka dhe vdekjen… Shkrimtari Rexhep Hoxha pati fatin t`i përmbushte nëntë dekada jetë. Ai shkroi kryesisht për fëmijë vjersha dhe romane, por shkroi edhe për të rritur. Jeta e Tij kishte dy vokacione: atë të edukatorit dhe të letrarit. Në letrat shqipe erdhi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur letërsia shqipe për fëmijë, pos trashëgimisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, nuk kishte ndonjë fond të pasur letrar artistik.

Si fëmijë i nivelit shkollor fillor, librat me vjersha si: “Gjethet e reja”, “Mbi krahët e fluturës” , “Picimuli”, romani “Lugjet e verdha” më vonë “Zëri i pyllit”,”Verorja”, “Ermali” e të tjerë, krahas librave “Në prehën të gjyshes”, të Anton Çettës, “Posta e porositun ” të Mark Krasniqit do të jenë një letërsi e dashur për fëmijë e të rinj. Këta libra edhe ndonjë tjetër i përkthyer, si K. Kolodi “Pinokio”, pastaj “Liza në botën e çudirave”, J. Spiri “Hajdi”, “Përrallat” e H. K. Andersenit e tjera, kishin joshur brezat e fëmijëve që t`iu drejtoheshin bibliotekave për t`i lexuar dhe për t`ua zgjuar kërshërinë e tyre të imagjinatës… Disa nga këto vepra të shkrimtarit Rexhep Hoxha hynë në programet shkollore të letërsisë për fëmijë si literaturë e planifikuar; në radhë të parë për karakterin edukativ që ngërthenin dhe i përshtateshin kërkesave edukative të nivelit të atëhershëm shkollor.

Mbi arealin gojor të kulturës popullore, mbi përrallat dhe legjendat, shkrimtari Rexhep Hoxha ndërtoi subjekte interesante artistike, gjithnjë duke i pasuruar me intuitën e imagjinatës së begatë të Tij. Çka i karakterizon shkrimet me imagjinatë të bujshme për fëmijë e të rinj të Rexhep Hoxhës? Poenta e këtij shkrimtari gjithnjë karakterizohet nga pikëpamja ideore e përballjes të së mirës me të keqen, të virtytit me vesin, të trimërisë e guximit me qyqarin dhe frikën, të pastërtisë kundruall papastërtisë, të përkushtimit për punën dhe përtacia.

Këto dukuri dhe vese të përmbushjes së jetës, shkrimtari Rexhep Hoxha i ka trajtuar dendur, duke i mburrë virtytet dhe goditur e fshikulluar veset. Vjershat, personazhet e prozës së gjatë shkrimtarit i shërbejnë për ta kultivuar të mirën, për t`ia mbajtur anën të së mirës, të së drejtës, për t`iu dhënë krah fatkëqijve, të pambrojturve, jetimëve, skamnorëve, të çiltërve… Në librat e tij, Rexhep Hoxha përdori dy variantet e shqipes, variantin dialektor të gegërishtes dhe gjuhën e njësuar ose standarde, që po ushtronte ndikimin e vet në jetën shoqërore dhe institucionale të shqiptarëve të ndarë në njësi shtetërore-administrative-politike.

Librat e parë për fëmijë të shkrimtarit Rexhep Hoxha dalin në të folurën e gegërishtes, po pastaj ribotimet dhe botimet e mëvonshme do të jenë në gjuhën e njësuar standarde. Periudha e standardizimit të gjuhës shqipe nuk kaloi pa shfaqje mëdyshjesh e kontestimesh, por megjithatë mori shtrirje të gjithanshme te të gjitha nivelet e arsimit në Shqipërinë Administrative Perëndimore dhe në trojet e shqiptarëve nën sundimin jugosllav: në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore, në Kosovën Lindore me Luginë të Preshevës dhe në trevat shqiptare nën Malin e Zi. Në sferë të njësimit të gjuhës shqipe, Rexhep Hoxha kishte pikëpamjet dhe kontestimet e veta, të cilat iu përkasin specialistëve të gjuhësisë që t`i zbërthejnë…

Në qoftë se do të përqendrohemi në prozën për fëmijë të Rexhep Hoxhës, hasim nënshtresën e krijimeve gojore popullore, elemente të folklorit shqiptar, të cilat shkrimtari ia nënshtroi përpunimit tij artistik, meqë i veshi me gjuhë figurative të kapshme për shtresën e lexuesve më të rinj. Personazhet e përrallave, të miteve, të legjendave e baladave shqiptare, Rexhep Hoxha i veshi me gjuhë figurative të qartë për t`iu dhënë tipare ideore dhe emocionale, për t`ia afruar mjedisit jetësor, por dhe për t`i mbajtur si personazhe gjithëpërfshirës të identifikueshëm me idealin jetësor.

Personifikimi dhe figurat e njerizimit i japin gjallëri, ngjyra dhe atmosferë ankthit të pritjes për ndodhje të diçkaje në prozën rrëfimtare, “Lugjet e Verdha”, nga më të popullarizuarat e letërsisë për fëmijë tek ne. Përralla artistike arrin të mbajë pezull kureshtjen dhe emocionet e lexuesit për fatin e foshnjës, djalit të vetëm të Bardhecit, Shpendin, që bie pre e besës, e besë-dhënies së verbër mes ujkut dele-ngrënës dhe babait të shpresës së pritur, Shpendit! Përshkrimet e mjedisit malor e të mentalitetit epik fshatarak jepen përmes depërtimit të penës së pleksur me brushën e piktorit, që shfaq kontraste shpirtërore mbresë-lënës. Kjo përrallë artistike të fut në një shtjellë patriarkale ku ndikimi i nënës për marrje vendimesh jetike është anësor. Ajo karakterizohet me një stoicizëm që provohet brenda një bote të mbyllur…

Në djalërinë time, vazhdimisht më ka provokuar ajo lloj bese e burrit me egërsirën e malit me kushtin e djalit të vetëm?! Dilema e tillë i fshin kufijtë mes fantastikes dhe realitetit. Si mund t`i jepej besa një egërsire të malit? Madhëromi i besës, i institucionit të besës shkrimtarin e kishte shpjerë në frymën e një romantizmi të skajshëm fisnor… Sido qoftë e tërë rrjedha rrëfimtare lexuesit të ri i zgjon kureshtje për të priturën dhe të papriturën e subjektit, e rrumbullakimit të atij subjekti.

Poezia e Rexhep Hoxhës për fëmijë shquhet për frymën e ngrohtë të dashurisë, për natyrën e vendlindjes, të atdheut , dashurinë për çlirimtarët. Në çdo varg të kësaj poezie vihet re një qasje e çiltër, dhe spikatja e vetive të guximshme tek shpirtrat e njomë, mosdorëzimi ndaj vështirësive të jetës, dalja ngadhënjimtar mbi to. E bardha dhe e zeza janë dy kategori njerëzore, etike dhe estetike që përshkojnë botën artistike të prozës së këtij shkrimtari.

Çfarë kemi në artin e shkrimit të këtij shkrimtari me jetëgjatësi të admirueshme?
Temat, motivet e jetës që i shtjellon shkrimtari shpalos botën e çiltër të fëmijëve. Bota e dëshirave të njomakëve nuk do të jetë ashtu si e duan ata, por shkrim-kërkimtari iu prinë synimeve, mëtimeve të tyre për jetën e botën, si një mësues i mirë, që para së gjithash shpirti i botës tyre të mbushet me dashuri për njerëzit, për prindërit, për atdheun, për lirinë, për të vërtetën, për të drejtën, për skamnorin… Andaj, në shpirtin e tyre teksti letrar sjell ngrohtësi, gjallëri, sinqeritet, ndjeshmëri për të mirën, për të bukurën, për mundësinë e shijimit të së bukurës për të gjithë fëmijët, për të gjitha racat e shtresat e fëmijëve të botës.
Askund në shkrimet artistike tek Rexhep Hoxha nuk hasim thyerje metodologjike, eksperimentime, kthesa e risi stilistike, forma e lloje letrare të modernitetit, qoftë për qëmtime estetike e amalgame figurative tjetër soj; ndonëse ky shkrimtar kishte kapacitetin e duhur të formimit letrar e intelektual të sprovohej me përvojat e artit modern.

Sprovat e artit modern evropian kishin depërtuar edhe tek ne përmes derës së vogël, ngase duhej të depërtonin përmes rrjetës së ideologjisë zotëruese tek ne. Madje, le të pohojmë dhe mundësinë e kufizuar për përkthimin e vlerave kulmore artistike nga letërsia e përbotshme në letërsinë tonë kombëtare të mohuar… Rexhep Hoxha në fushën e kultivimit të artit letrar i mbeti besnik traditës klasike në letërsi, jo pa ndikime nga letërsia e programuar e soc-realizmit, që kultivohej në Shqipërinë Perëndimore dhe tek shqiptarët në ish Jugosllavi.

Në pikëpamje të tejkalimit të shprehjes tradicionale letrare, Rexhep Hoxha i mbeti besnik metodologjisë klasike të trajtimit të dukurive e të rrjedhës së lëndës artistike. Jo pak herë Rexhep Hoxha nuk ngurroi t`iu kundërvihej disa bartësve të “prurjeve të reja” , që filluan të shtrihen në kulturën e artit letrar viteve të shtatëdhjeta në letërsinë e shqiptarëve në ish Federatën Jugosllave. Kishte të drejtë kur godiste snobizmin, “risitë e shpifura” ose dekadencën e shfaqur tek një varg poetësh të pa formuar, “të shkëputur nga realiteti”, siç pohonte Ai. Mirëpo, ndonjëherë merrte aureolën e pamerituar kundruall ardhjes së risive artistike-estetike. Risitë sillnin ritme të pandalshme ideo-estetike në planin e shprehjes figurative… Shkrimtari ynë shfaqte druajtjen e parakohshme të shthurjes së klisheve të sprovuara të letërsisë, që i konsideronte si vlera të dëshmuara…

Me polemikat e Rexhep Hoxhës mund të pajtoheshe ose të mos pajtoheshe, por Ai mbajti qëndrimin e Tij të palëkundur në parimet e Tija njerëzore, në pikëpamjet për artin dhe shoqërinë, për sinqeritetin dhe dinakërinë, parime që i konsideroi parësore dhe prej të cilave nuk u shmang asnjëherë. Në këtë këndvështrim Ai mbeti model i etikës burrërore.
Ligjëruesi Profesor Rexhep Hoxha, si mësimdhënës në Normalen e Prishtinës, atëherë e nivelit të profilizuar për nevoja të mësuesisë në Kosovë, pastaj në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë e në Gjilan, cilësohej si një pedagog i frytshëm me etikë të mirëfilltë profesionale, të karakterizuar me urtësi dhe rreptësi kriteresh.

Në një libër të vetëm përmblodhi poezinë dhe prozën e Migjenit me titullin “Migjeni-Poezi dhe Prozë”, botuar nga Enti i Teksteve në Beograd, në vitin 1965. Me rastin e botimit të përmbledhur të krijimtarisë artistike të Migjenit, “poetit të mjerimit”, studiuesi Rexhep Hoxha shkroi një nga shkrimet gjithëpërfshirës prej pesëmbëdhjetë faqesh, me peshë për atë periudhë, për jetën dhe veprën letrare të Milosh Gjergj Nikolës.
Veprat e Rexhep Hoxhës për fëmijë përjetuan botime e ribotime, u përfshinë në programet e lekturave shkollore për nivelin e ultë dhe u bënë shumë të popullarizuara. Ai u mor edhe me përkthime nga serbishtja në shqip dhe anasjelltas.

Si njeri, Rexhep Hoxha u shqua me parime të shëndosha e të pastra, të guximshme dhe pa kompromise, duke mbajtur prore anën e popullit, palën e dëmtuar. Në paraqitjet e Tija ishte i drejtpërdrejt, pa ekuivokë. Nuk lakmoi ndërtimin e karrierës me shërbime politikës dhe, në asnjë rrethanë nuk u korruptua. Mospajtimet për “dekadencën” artistike dhe shoqërore i shprehte hapur, përmes pamfleteve të shkruara kritike. Ai ishte njeriu dhe shkrimtari që kishte unin e vet të paepur. Pikërisht kjo është përmasa gjithëpërfshirëse e personalitetit të Rexhep Hoxhës në një mjedis të grackave të paparashikuara për kalibrin si Ai. Ai hyri vetëm aty ku mund të hynte fiziku dhe kompetenca e Tij. Nuk hynte atje ku nuk e kishte vendin dhe rolin e vet.

Letërsia e shkrimtarit Rexhep Hoxha ka ushtruar ndikim të dukshëm ndër breza lexuesish të rinj. Ai tashmë me veprat e shkruara dhe mësimet prej edukatori, mbetet klasiku i dashur i letërsisë për fëmijë dhe mësues i devotshëm i brezave…
Me shkrimet e parimet e Tija jetësore, shkrimtari dhe edukatori Rexhep Hoxha: qoftë i çmuar përherë në kujtesën e kulturës të shkrimit shqip, të brezave të lexuesve dhe të shkollarëve tanë të ardhshëm./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).