Shkodranja

/ 5 minuta lexim

Nga Blerina (Rogova) Gaxha – Grua shqiptare e nuse shkodrane, ajo është “Shkodranja”. Dorën e djathtë ka vënë nën krye e të këqyr drejt e në sy, sikur të kishte krejt botën për vete. Lirat rrumbullak ka vënë rreth qafës. Mbathur ka allafrënga, dhe mbi to një palë këmbëza të dallamave të punuara me ar.

A sillet gjithë bota e “shkodranes” te lirat dhe allafrëngat? Përtej veshjes në ar, çfarë kishte në shpirtin e gruas shqiptare? Ajo s’flet. Po sytë i ka të trishtuar. Përgjigjen na e kanë dhënë qëmoti gjyshet tona. Fotografia e ka përjetësuar shpirtin e një femre shqiptare të fshehur pas lirave dhe allafrangave. Si një “pasha” femër a sulltaneshë inekzistente shqiptare që bart në dukjen e saj një kulturë sundimtare të qindravjetshme. Shkodranja rri për “namuzllëk” në ballinën e librit me kopertina të verdha të Robert Elsiet “Dritëshkronja”, të atij libri që flet për një histori të fotografisë shqiptare.

Sot, gjithçka ekziston për të marrë fund në fotografi, thotë Susan Sontag. Kritikja amerikane e vetëm disa dekadave më vonë, s’do të mundë ta imagjinonte botën e shoqes së saj në Shqipëri, jo larg në kohë. Me shkodranen marrin pamje edhe fjalët e plakave të dikurshme.

Disa nga portretet e mrekullueshme të fotografive të italianit të shqiptarizuar Pietro Marubit, janë ato të femrave shqiptare. “Femrat e tij”, që nuk janë pak, në të shumtën nuk kanë emra- ato janë vetëm “e bija e filanit” dhe “gruaja e filanit”!
Shqiptarja e asaj bote, ishte vetëm e dikujt, dhe asnjëherë e vetes.

Marubi ka shkrepur edhe të parën grua lakuriq shqiptare. Malësorja e paemër, që merr emrin “Portret gruaje” është a para grua që guxoi të zhvishet para aparatit të Pjetër Marubit. Fotografia topless e femrës së Malësisë, e egër në dukje, e veshur me kostum popullor, është dëshmi e një të vërtete që daton në vitin 1878, e zbuluar 126 vjet më vonë në skutat e errëta të fonotekës “Marubi”. Malësorja e paemër, e bija e filanit a gruaja e fistekut ka blasfemuar në botën e saj, që as sot nuk ka ndërruar shumë.

Fototeka e italianit të ikur nga Garibaldi, mbante dhe të tjera mistere të grave të paemra shqiptare. Thonë se ai shpesh e linte edhe Shkodrën e ikte në Elbasan për të parë çingjijet. Femrat e lira, plot shkëlqim e inxhi, kërcenin për qejf të burrave në hamamin e qytetit. E veshur me një palë çitjane të gjata me lule, flokët e hedhur mbas qafës, dhe duart e vendosura me hijeshi mbi gju, çingija në foton e realizuar nga Marubi sikur flet me sytë e saj të mëdhenj. Edhe shqiptarja e asaj bote “të lirë” ishte vetëm e dikujt, dhe asnjëherë e vetes.

Dhe, derisa në Shkodër italiani po e niste historinë e fotografisë ndër shqiptarë, diku mbi lumin më të madh në Kosovë, një austriak nisi po ashtu një histori të saj. Duke “zhbiruar” nëpër shqiptari, konsulli austriak, i quajtur “baba i albanologjisë”, Johan Georg von Hahn, me ekspeditën në lumin e Drinit në fillim të viteve 1860, vulën e tij, ai do ta vinte edhe diku tjetër.

Mobi Casa

Më 1863 Hahn, bashkë me Josef Szekely-n, fotografin njëzetepesëvjeçar të cilin ia propozoi Akademia e Shkencave në Vjenë, u nisën rrugëve të shqiptarisë, për të krijuar koleksionin e parë të huaj të fotografisë shqiptare. Në koleksionin prej pesëdhjetë fotografive, përfshirë pamje të qytetit e të jetës në Shkodër, Prizren, Ohër e Manastir, do të shënohen fotografitë e para të qyteteve shqiptare dhe fotografitë e para të femrave shqiptare të këtyre anëve.

Edhe ato janë vetëm “robtë e shtëpisë”, “gratë” o “nënat e filanit” dhe asnjëherë të vetes.

Dikush thotë se duke udhëtuar, si një i panjohur mes të panjohurve, mësohesh të jesh Askushi. Mbase edhe Marubi e Szeleky, si të panjohur në mesin e të panjohurve, u dhanë zë atyre që në dhjetëra fotografi përsërisin: Këtu jam unë! Këto gra të paemër, zbulojnë sot të vërtetat që nëpërmjet fotografive, janë pamjet e realitetit të humbur në largësi, por dhe identitetin e munguar të gruas shqiptare nëpër kohë.

Histori të ngjashme kanë pasur edhe popujt tjerë të Ballkanit dhe edhe bukuria e grave të tyre është shpalosur e paidentitet në fotografitë e kohës, siç ka qenë “kosovka devojka” ose konkubinat e kralve e të carëve.

Janë disa ngjarje krejt të vogla e mbase të parëndësishme, që ndonjëherë i kthejnë kohët mbrapsht ose i përmbysin epokat. Ka mjaftuar një këngëtare e panjohur e Kosovës, me emrin Era, që të mbjellë erën e blasfemisë për kishën serbe, e cila dikur e luftonte bukurinë shqiptare edhe përmes “kosovka devojkës”!

Nëse dikur është zhvilluar luftë me imazhin e bukurisë përrallore të grave të Ballkanit, ani se me identitetin e munguar të tyre, sot bukuria dhe magjia e tyre është përtej të qenit “gratë o konkubinat” e dikujt. Ato janë të vetes së tyre dhe lënë gjurmë në historinë që do të shkruhet pas 100 vjetësh ndoshta, mu si historia e “grave të Marubit”! Vetëm se në 100-vjetëshin e ri, ato do të kenë identitet e do të shënohen me Rita, me Ora, me Era e kështu deri në njëmijë.

Lufta me identitetin e munguar dhe me fotografitë e grave të kohës tashmë ka avancuar. Shkodranja e një Elisi të sotëm nuk mund të jetë gruaja e dikujt!