Shkencëtarët: Ndërprerja e duhanit zvogëlon stresin

Pavarësisht besimit të shtresuar që pirja e duhanit lehtëson ndjenjën e stresit, personat që kanë ndërprerë duhanin janë më pak të tensionuar, ka treguar hulumtimi i shkencëtarëve britanikë
Psikiatrat britanikë nga universitetet Cambridge, Oxford dhe Kings’s College kanë përcjellë gati 500 duhanpirës, të cilët kanë shkuar në klinika për të hequr dorë nga duhani në Angli dhe kanë vërtetuar që shkalla e stresit te 68 persona, të cilët me sukses kanë ndalur pirjen e duhanit ishte “konsiderueshëm më e ulët” gjashtë muaj pasi që kanë ndërprerë duhanin, përcjell BBC.
Ekspertët britanikë thonë se si këto rezultate duhet të përdoren për t’i bindur duhanpirësit të cilët dëshirojnë të lënë duhanin që ndërprerja e duhanit rrit nivelin e stresit.
Sipas rezultateve që janë publikuar në revistën “British Journal of Psychiatry”, efekti i ndaljes së duhanit në nivelin e stresit është më i fortë tek ata që kanë vuajtur nga çrregullimet psikike, si ndryshimet e papritura të disponimit se tek ata që kanë pirë duhan për shkak të ndjenjës së kënaqësisë që ofron cigarja.
Hulumtimi ka treguar që edhe tentativat e pasuksesshme të ndërprerjes së duhanit te personat që vuajnë nga çrregullimi i disponimit çon deri te rritja e lehtë e ndjenjës së stresit, derisa tek ata që kanë konsumuar duhan vetëm për shkak të ndjenjës së kënaqësisë niveli i stresit nuk ka ndryshuar pas fillimit të sërishëm të duhanit.
Shkencëtarët kanë thënë se hulumtimi ka treguar që duhanpirësit të cilët cigaren e parë çdo ditë e ndezin për t’u përballur më lehtë me problemet, këtë e bënin menjëherë pas zgjimit që me cigare të lehtësonin simptomat e abstinencës, si tensioni apo stresi. Kur e kanë ndërprerë duhanin janë zhdukur edhe këto episode të përditshme të stresit të mëngjesit dhe për këtë arsye janë ndier më pak të tensionuar.