FIDANISHTJA

Shkallmimi (Prozë e shkurtë)

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Meti Rexhepi – Nuk e dija si më sollën këmbët këtu, kundruall kishës dhe korit të shtruar ortodoks? Insertet e ëndrrës ishin lidhur, kishin dendësuar unitetin tejpërtej fiziologjisë e psikologjisë. Ishte diçka që i përjashtonte dukuritë dhe ligjet e psikikes njerëzore… Zhgjëndrra dhe ëndrra, ëndrra e zhgjëndrra, ku kishte lënë mangësi njëra e përmbushte tjetra. Pa ndonjë vijë ndarëse kisha hyrë në ëndrrën e zhgjëndrrës… Më pushtonin klithmat, dënesje, gjëma të djeshme, drithërima të pritshme, derivate ngjarjesh të djegshme, të pashuara në të sotmen…

Në dimrin e kësaj hapësire nuk kishte borë, ndërsa unë cullak dhe i ngujuar, pa mundur ta qetësoja pallën, që e kishte shigjetuar një shikim-vashe në morinë e vashave… Pozita e forcuar e pallës pikërisht në aktin e shënjestrës për prerje!… I thosha dytëshorit:
– Kjo farë mynxyre do të jetë shënjestra më cinike për ta goditur.!
– Gjithsesi!
– Mbase pasojat e dhimbjes tënde janë të meritueshme!
– Por, natyra ka epërsitë e veta të fshehta të patejkalueshme…
Pastaj i thosha:
– Le t`ia lëmë vendimet natyrës…
– Pra, do t`ia lësh në dorë krejtësisht instinktit?
– Po.
– Si ashtu? Atëherë të paska rrjedhur vetëdija?!
– Aiii ç`më filozofoje ti?
– Pse jo? Gjej veshjet e arsyes dhe mbuloje cullakun e mendimit tënd të shkalluar!

HW

Kjo ëndërr e zhgjëndrrës së paskajshme më mbante pezull në orbitën e saj dhe, do të doja të fluturoja, të fluturoja matanë këtij ferri ndjeka-keq!
***
Më ishin mbështjellë me fije të dhimbjes mendja dhe zemra. Dhimbja ime ia tëhollonte fijet mendjes, aq sa gati këputnin lidhjet me zemrën. Pleksjet e dhimbjes gjeneronin të mbështjella në gjene. Gjenet e atit tim vijuan të qesin filiza, bisqe të reja me përmbajtje lëndore të pandryshuar.
– Asgjë s`ka ndryshuar ati im i dashur!
– Nuk duhej të shqetësoja ende ty atje në amshim… Më fal!
Me të njëjtat fije të perit avullues gjilpëra m`i qepte gjithçka qepet për trupin tim. Qepja kurrë njëherë nuk e përmbylli përmasën time të gjatësisë e të gjerësisë! Gërshërët dhe gjilpëra për qepjen e trupit tim, kurdoherë ishin në duart e vullneteve
të huaja. U ngushtua së tepërmi qepja e dhimbjes time, aq sa pas çdo shtrirje gjymtyrësh, që me hedhjen e hapit paksa më të gjatë, veshja më shqepej tej përtej shalëve!
– Pikërisht kjo lloj (sh)qepje shkaktoi cullakun tënd – shfaqi një diskurs sipërfaqësor dytëshori.

Ai diskurs nuk mund të ishte i pa përtrollitur, meqë e njëjta dhimbje e përshkonte brendësinë e shtrirjes tij; porse shumëfish më të gjerë në ndërdyme. Duke pandehur se tashmë më shihte të qepur tërësisht, heshti në rropatjet e mia të vijueshme. Mendoja se veshja me lëkurën e evolucionit të Darwin-it ishte veshje origjinale. Përse? Ngaqë lëkura ime i kishte të hapura deriçkat e poreve për hyrje-dalje të ajrit të shndërruar në karbon-dyoksid, kishin pushuar qortimet për lajthitjet e veshjes… Sfurqeve prej druri dhe metali u kishte dalë para mali. Medoemos do të lypja mbulesë, meqë brekët prej barishtesh m`i fërfëllinte fërfëlliza. Më gjuante me shigjeta të acarta herë veriu, herë veri-lindja. Dramës sime lakuriqe i hidhnin shikime të rrëshqitshme. Tashmë lakuriqësinë e mbështillja me barishte të thurura, por shqetësimi i turpit ia zinte fytyrën me duar dytëshorit.
– Më vjen turp! – thoshte ai.
– S`ka pse të vijë turp – i thosha.
– Kjo është të jesh sikurse të gjithë të tjerët kur zhvishen për t`u larë. Një gjendje normale e njeriut, ore dytëshor!
– Por njeriu vishet dhe bëhet njeri…
-Ata të veshurit e shpifin të vërtetën e trupit të tyre, vizatimet e vijave, simetrinë dhe asimetrinë… – këmbëngulja unë.
– Çfarë thua korubja ime?! Nuk ndodhemi në bashkësinë e parë primitive!
– Po, por dhimbja ime është legjitime…
I rendisja dëshmi, si duket, të shkalluara?!…
– Mu këta të veshur me shpifje më lanë kësisoj cullak dhe për tallje, ndaj rebelohen pa ndalur gjymtyrët e trupit tim.
– Le t`iu them se: ka diçka tek unë që nuk përkulet…
Dytëshori i molisur dhe i mërzitur, pëshpëriti dhimbshëm:
– Zhveshja e deritashme e dëftoi shkallmimin tënd të thellë, të thellë aq sa nuk i preket dot fundi!..

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.