Shishja

Nuhi Ismajli (Tregim)
Një shishe birre.
Jo, jo, një shishe birre. Ishte një shishe thartire, afërsisht sa një shishe birre.
Po thonë se ishte shishe birre.
Nëse ka qenë shishe birre, e ka pasur më lehtë. Po të kishte qenë shishe grrâthë-grrâthë e kishte parë qykën e zorit.
Shishe birre, shishe thartire, çfarëdo që të ketë qenë, copërat e thyera të saj, në zorrë të trashë, të bëjnë lakra…
Po ku ndodhi kjo?!
Kush e bëri?!
Është diçka e ngjashme me ato ndodhitë për të cilat ata po ankohen se po iu bëjmë ne.
Kjo kishte ndodhur në Arat e Livoçit.
Te Çeshmja e Livoçit.
Keq! Shumë keq! Mjerim!
Njerëzit tanë nuk kanë bërë kështu. Kurrë nuk është dëgjuar se kanë bërë gjëra të tilla, barbare.
Nuk i dihet. Edhe kah ne mund të ketë gjithçka. Ç`kas s`kemi marrë prej të tjerëve. Një kohë të gjatë, me shekuj, na kanë mësuar për keq. Ndryshe nuk do t’u kishim shërbyer të tjerëve…
Mundet. Janë do, që, si i di unë, mund të bëjnë gjithçka. Ata harambashat e Livoçit. Ata që po rrahen për çdo ditë me djalin e abaz bukovikut, për me hy në film, pa biletë. A se bëjnë ata këtë gjë?! A i keni parë si janë?!
Jo, more! Duken ashtu, po nuk janë aq të egër, sa duken. Ende kush nuk është ankuar prej tyre. Asnjëherë. Të butë janë. Miqësorë janë…
Po kush mund ta ketë bërë këtë “akt barbar”, si po thonë politikuajt?
Për keq, përherë gjendet dikush.
Mund të jetë i paguar.
I paguar, i papaguar, për ne po shkruhet keq dhe po krijohet një pasqyrë e shëmtuar.
Nëse e ka bërë dikush prej nesh, ka bërë keq. E meriton dënimin më të rëndë.
Po dalim njerëz barbarë. Si mund ta bëjnë atë gjë të pështirë njerëzit tanë!
Çfarë dëmi i sjellin botës sonë! Duhet të ruhemi prej veprave të tilla çnjerëzore. Duhet të bëjmë e të krijojmë diç të mirë, se për keq ka që bëjnë sa të duash.
U tha, pak më parë, se është bërë si me sherr kjo punë. Dikush ka paguar dhe dikush prej tanëve e ka bërë atë. Ka shumë përkushtim që të njolloset pasqyra jonë dhe të prishet imazhi ynë kombëtar!
Ose prej budallallëkut, ose prej ndonjë përfitimi, dikush e ka bërë.
Sido që të jetë, pas këtij rasti, ne do të jetojmë me akuza të rënda mbi kurriz. Jo veç me akuza, po edhe me barrën e presionit, barbarisë së atyre. Do ta shohim sesi do të shtohen represaljet mbi ne. Bota do të na konsiderojë barbarë. Do të shkruajnë gazetat e atyre. Do të shkruajnë shumë, do ta trondisin botën dhe bota do të na gjykojnë si barbarë. I rëndë është gjykimi i botës. Më i rëndë se çdo dënim tjetër. Nuk thuhet kot: më mirë të të dalë syri se fjala. Fjala. Ah, fjalët…! Do të shkruhen libra. Shumë. Dy mijë. Tre mijë. Ata kanë shkruar shumë libra kundër nesh, si thotë r. qosja. Kanë shpifur dhe na kanë quajtur barbarë. Kanë shpifur shumë dhe shpesh.
E kur përsëritet rrena bëhet e vërtetë. Jo, bëhet më e fuqishme se e vërteta. E kanë mjeshtëri rrenën. Shpifjen. S’mund tua kalojë kush për rrenë. Mjer ne që jemi, për keq, protagonisti i rrenës së tyre! Nuk mund të shpëtojmë nga pasojat e rrenave të tyre. I sajojnë si të vërteta. Edhe e bëjnë vetë të keqen, që të na akuzojnë ne për barbarë. Ia dinë vlerën rrenës. O Zot, lirona nga i keqi!
E dëgjuat atë kryetarin e lidhjes socialiste të popullit punonjës…?
Pse nuk po thua, me nder me thёnё, kryetarin e lidhjes së m…?!
Krejt shqiptarët i futi në një thes! “Jemi barbarë!”,- tha, për veti e për ne. – “Veprat që i bëjmë ne nuk i bën kush në botë! Aktorët të gjenden e të dënohen në mënyrën më të ashpër! Meritojmë të dënohemi! Një njeri të thjeshtë e të shenjtë, ta masakrojnë. I kërkojmë falje, publikisht, shumë të respektuarit e të nderuarit, shokut Gj. M., dhe do të bëjmë gjithçka që të dënojmë aktorët kriminelë e se do t’ia kthejmë nderin në vend. Prej nesh do të jetë gjithnjë i çmuar e i nderuar…!”
Vërtet, si mund të ndodh kjo?!
Çfarë njeriu ka qenë ai që e ka bërë një gjë të tillë?
Ka qenë sadist i madh, se ndryshe nuk do të mund ta bënte!
As vetë nuk ka qenë, se ashtu nuk do të mund të bënte veç një njeri. Kanë qenë dy-tre vetë, sigurisht.
Dhe, ai “martiri”, “i shenjti” nuk i njeh aktorët e krimit?
Sigurimit i ka thënë se ka qenë në arën e tij duke punuar. Kanë ardhur aty tre vetë, e kanë kapur me forcë, e kanë zhveshur dhe ia kanë futur shishen, me nder me thënë, në zorrën e trashë. Ia kanë futur thellë dhe ia kanë thyer brenda.
Nëse e kanë bërë këtë njerëzit tanë, kjo është shumë keq!
Njerëzit e tillë unë nuk i dua dhe, po të kisha pushtet, do t’i zija e do t’ua jipja dënimin më të rëndë. Veprat e tilla nuk i duroj, nga natyra!
Askush nuk i do këto.
Të rrallë janë ata që mund t’i bëjnë veprat e tilla!
Po, tjetër, a dimë ç’ka thënë “martiri”, “i shenjti”, Gj. M. ?
Më duket se po tallesh me ato “martiri”, “i shenjti”?!
Unë kam dëgjuar diçka, po nuk po mund t’i bësoj ende asaj që kam dëgjuar.
Hë?
Hë, pra?
Trego, pra!
Çka mund të jetë kjo çudi!
B., ai B., i sigurimit, ai brinoshi, ai syri i tij, që çdo gjë shikon edhe kur nuk shikon, dhe ai veshi i tij, që çdo gjë dëgjon, edhe kur nuk dëgjon, ai që është gjithnjë në një vend dhe në çdo vend, vetë ai iu ka treguar disa njerëzve, se Gj. M., ai “martiri”, “shenjti”, vetë e ka bërë atë. Ha-ha-ha-haaa…O, ha-ha-ha-haaa…
Pse!?
Për vetëkënaqësi!
Qysh!?
Si?! Me dashje, për vetëkënaqësi?!
Po, po. Me dashje, vetë e ka bërë, për vetëkënaqësi!
E kishte provuar ai shpesh, ta kënaqë veten, ashtu, duke i futur vetes shkopinj, tomakë, shishe… Kësaj radhe kishte future një shishe, të cilën, duke u munduar ta nxirte, e kishte thyer brenda…
Pastaj ?!
Pastaj, me që gjendja i ishte bërë serioze, kërkon ndihmë, shkon në spital dhe i akuzon tanët për një gjë të tillë.
Kjo, u vërtetua, mund të thuhet?!
Po, është vërtetuar. Mjekësia, sigurimi, sot mund të mësojnë çdo të vërtetë.
Dhe, paska që po bëkan ashtu si na tregove?!
Po, more, si jo. Ia fut vetvetes hurin dhe vetëkënaqet. Le të vetëkënaqet!
Edhe shpallet “martir”, “i shenjt”!
Po, e bëjnë këtë. Të gjitha i shfrytëzojnë që të na akuzojnë ne.
Vështirë e kemi! Shumë vështirë e kemi të ruhemi nga gjërat që nuk i njohim!
Ne i akuzuam njerëzit tanë, fajësuam vetveten, e quajtëm barbarë vetveten për këtë, pa e ditur se ç’ka ndodhur në të vërtetë.
Vështirë e kemi të ruhemi nga shpifjet e tilla, si nga ajo e të vetëkënaqurit “martir” dhe e “të shenjtit”, Gj. M.!
Si t’i durojmë dënimet për veprat që i bëjnë të tjerët?!
Si të shpëtojmë nga vetëkënaqësitë e të tjerëve!?
Domethënë, jemi në pozitën në të cilën nuk mjafton veç ta mbrosh tjetrin nga vetja jote!
Jo. U dashka ta mbrosh tjetrin nga vetja e vet!
Kot.
Njeriun nuk mund ta mbrosh nga vetvetja.
Fatkeqësi!
Për kë?!
Për ne! Për ne! Jo për ata që vetëkënaqen!