Shfrytëzimi i internetit dhe rrjeteve sociale nga të rinjtë dhe ndikimi i tyre në shëndet

Nga Ajshe Leka – Bota sot jeton në epokën e informacionit, ku dija është fuqi. Procesi i globalizimit është duke u shtrirë në të gjitha skajet e globit, përfshirë edhe Kosovën. Këto mundësi duhen përdorur mirë, sepse përndryshe ato mund të sjellin pasoja dhe rreziqe për përdoruesit, në mënyrë të veçantë për të miturit.
Të rinjtë janë në gjendje për të gjetur më shumë informacion në lidhje me çështjet dhe gjërat që atyre u vjen shumë turp të pyesin mësuesin apo prindërit. Shumë të rinj preferojnë të kërkojnë informacion në internet mbi seksin dhe sëmundjet seksualisht të bartura si dhe çështje të tjera shëndetësore. Interneti nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë ndërveprimin e njeriut ose marrëdhëniet mes njerëzve, por as të marrë vendin e aktiviteteve të tilla, si ndarja e bisedave verbale apo duke lexuar së bashku.
Megjithatë, nëse përdoret siç duhet, interneti mund të shërbejë si një medium për ndërveprim social të pranueshëm (Scoter&Railsback, 2001). Sipas Agjencisë për mbikëqyrjen e tregut “Nielsen” në SHBA, 38% e fëmijëve nën 12 vjeç janë të kyçur në facebook.
Përdorimi i internetit në Kosovë
Vitet e fundit, shfrytëzimi i internetit ka zënë vend në çdo kënd të Kosovës. Sipas shumë hulumtimeve, shfrytëzimi i tepruar dhe i pakontrolluar i internetit mund të shfaq disa ndryshime në personalitetin e njeriut, ku këto ndryshime tek të rinjtë janë më të paparashikueshme dhe më të vrullshme.
Qëllimi kryesor i këtij punimi është hulumtimi i shfrytëzimit të internetit dhe rrjetit social nga të rinjtë dhe fëmijët në komunën e Gjilanit dhe ndikimi i tij në shëndet, sjellje dhe mësim si kuptimi i disa prej aspekteve më të rëndësishme të kësaj dukurie të re dhe shumë aktuale kohëve të fundit në Kosovë, sidomos tek të rinjtë e shkollave fillore dhe të mesme, për të parë se sa iu ofrohet momentalisht nxënësve mundësia për përdorimin e internetit në shkollë, a ka dallime në shkallën ose mënyrën e përdorimit të internetit në mes të nxënësve sipas gjinisë, moshës, statusit social, vendbanimit apo ndonjë kriteri tjetër, për çfarë qëllimi përdoret interneti nga nxënësit, si po reflektohet përdorimi i internetit në procesin e të mësuarit dhe sa ndikon përdorimi i gjatë i internetit në shëndetin e tyre.
Hulumtimi është kryer me nxënësit e shkollës së mesme ”Zenel Hajdini” dhe të shkollës fillore ”Selami Hallaqi” në Gjilan. Sipas rezultateve të fituara të hulumtimit nga 202 të anketuar në pyetjen “A e përdorin internetin” vetëm një (1) është përgjigjur se nuk e përdor internetin, ose 0,5 %, ndërsa 201 ose 99,5% e përdorin internetin. “A ju pengon interneti në mësime”, deri diku janë përgjigjur 87 ose 43%, 62 ose 30.6% deklarojnë se nuk ju pengon ndërsa 53 ose 26% pohojnë se ju pengon në mësime. Del se në vendi tonë, fëmijët janë të kontrolluar nga prindërit e tyre në 140 raste, ose 69.3%, ndërkaq 48 ose 24% – ndonjëherë dhe 13 ose 6.4% nuk janë të kontrolluar fare. Nga përgjigjet në pyetjen “A kanë qasje në ueb faqet që nuk preferohet për moshën e tyre”, del se 154 ose 76% nuk kanë qasje, 20 apo 10% – ndonjëherë, 27 apo 13% tregojnë se kanë qasje.
Për çka përdoret më tepër interneti ?
Nga ky rezultat shohim se një përqindje e fëmijëve kanë qasje në ueb faqe të cilat nuk janë për moshën e tyre dhe këta fëmijë mund të përballen me imazhe që ushqejnë jetën seksuale, një pjekuri e shpejtë seksuale e cila mund të rrit edhe numrin e aborteve te femrat, rrezikun nga shkarkimi i fotove të paligjshme, të parregullta,me përmbajtje seksuale nga pedofilët e cila mund të shkatërrojë frymëzimin e fëmijëve sepse fëmijët nuk janë të përgatitur psikikisht për atë që shohin apo dinë. Rreziku nga shikueshmëria e skenave të dhunës mund të sjellë te fëmijët agresivitet.
Shumë studime tregojnë se përdorimi i platformave sociale si Facebook e Tuitter po ulë vetëbesimin e njerëzve dhe po shkakton ndjenjën e të qenit pavlerë. Kjo rrjedh si pasojë e krahasimit te individëve me miqtë e tyre dhe me postimet e tyre në platformat e ndryshme. Kjo shpeshherë i qon deri tek të menduarit se të tjerët po janë më të suksesshëm dhe po jetojnë një jetë më të lumtur e më interesante, prandaj dhe kjo mundë të jetë shumë shqetësuese, për fëmijët.
Nxënësit internetin e përdorin për të marrë njohuri, lojëra të ndryshme, facebook – 144 ose 71% , për facebook – 30 ose 15%, për të marrë njohuri – 21 ose 10% dhe 8 ose 4% e përdorin për lojëra të ndryshme, facebook. Nga ky rezultat shihet se pjesa më e madhe e përdoruesve janë në facebook, ku nga kjo paraqitet frika se fëmijët mund të jenë të rrezikuar të bëhen viktima të abuzuesve seksualë, zënka në mes të fëmijëve përmes facebookut, njohje me persona të panjohur përmes facebookut, ndërkohë që fëmijët janë shënjestra më e mirë dhe më e lehtë për t`u arritur nga pedofilët. Një program kontrolli i quajtur Minor monitor mbikëqyri 1000 prindër, për të testuar sjelljen në raport me fëmijët që përdorin facebook. 74% e prindërve treguan se ishin të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve, 56% ishin të shqetësuar për mundësinë e ndonjë abuzimi seksual, 49% – për faktin se shpërndajnë shumë informacione, 41% ishin të shqetësuar se fëmijët e tyre ishin viktima të bulizmit, 38% e tyre i druheshin pornografisë së fëmijëve dhe abuzimit seksual.
Përgjigjet lidhur me kohëzgjatjen e përdorimit të internetit nga nxënësit, na japin të kuptojmë se 149 ose 73% qëndrojnë disa orë në internet, 24 ose 12% – deri 1 orë, 24 ose 12% qëndrojnë gjatë natës dhe 5 apo 2.5% qëndrojnë tërë ditën. Përqindja më e madhe e qëndrimit në internet është disa orë dhe kjo mund t`u shkaktojë fëmijëve efekte anësore, si në shëndet, ashtu dhe ne mësime.
Një studim i kryer ne SHBA te 238 fëmijë të moshës 13-16 vjeçe, i publikuar në gazetën “Zemra Amerikane” tregon se shoqata gjeti se fëmijët që flinin më pak se 6,5 orë në natë, kishin tre herë më shumë gjasa të kenë presionin e gjakut të ngritur dhe mundësia për sulmet e ardhshme të zemrës të jetë më e mëdha.
Hulumtuesit argumentojnë se aktivitetet e teknologjike në dhomën e fjetjes së adoleshentëve pushtojnë gjumin, përderisa atyre iu duhet të bëjnë 9 orë gjumë. Përgjigjet e dhëna nga nxënësit lidhur me pengesat që ndiejnë gjatë përdorimit të internetit tregojnë për djegie të syve – 76 apo 33%, dhembje shpine – 57 apo 28%, kokëdhembje – 18 apo 8.9%, nervozë – 12 apo 6%, ndërsa 19 apo 9.4% i kanë dy nga simptomat, 25 apo 12% – asgjë, relaksim – një pjesëmarrës dhe 1 apo 0.5% – asgjë.
Nga rezultatet e hulumtimit shohim se përpos 12 të anketuarve, të cilët nuk ndiejnë asgjë, të gjithë përdoruesit tjerë të internetit kanë efekte negative, si djegie të syve, dhembje shpine, nervozë, kokëdhembje si pasojë e qëndrimit të gjatë pa lëvizur, koncentrim të gjatë në internet, mbingarkesë apo lodhje psikike nga marrja e informacioneve të cilat nuk janë për moshën e tyre. Sa i përket moshës së fëmijëve të tjerë në familje që e përdorin facebookun, del se nga 202 të anketuar ,12 ose 6% janë të moshës 4-6 vjeç që e përdorin internetin, 50 ose 24.7% janë 7-10 vjeç, 43 ose 21% – të moshës 10-13 vjeç, ndërsa 97 ose 48% nuk e përdorin internetin.
Edhe 4-vjetarët përdorin internetin
Përqindja më e madhe është ajo e moshës 4-13 vjeç, moshë kjo e cila është më e ndjeshme dhe jo e lejueshme për të hyrë në facebook, sepse qasja në materiale traumatike, të dhunshme ose thjesht, nuk janë për një audiencë të mitur siç është mosha e tyre dhe mund të kenë efekte negative te këta fëmijë. Në bazë të rezultateve të fituara nga ky hulumtim del se të gjithë pjesëmarrësit në anketim, me përjashtim të një të anketuari, janë shfrytëzues të internetit. Qasja më e madhe në rrjetin social është më e theksuar në qytet se sa në fshat.
Përdorimi i internetit është më i madh te grupmoshat 16-19 vjeç se sa te grupmoshat 12-15 vjeç. Në bazë të hulumtimit shohim se ekziston edhe një numër i madh i përdoruesve të 2internetit të moshës 3-13 vjeç. Marrë parasysh pengesat në mësime, numri më i madh i nxënësve na tregon se nuk u pengon në mësime. Hulumtimi tregon se një numër i nxënësve kontrollohen shumë pak ose nuk kontrollohen fare nga prindërit e tyre.
Nga të dhënat e pjesëmarrësve në hulumtim shohim se fëmijët kanë qasje në web faqe, të cilat nuk janë për moshën e tyre. Krahasuar sipas klasave shkollore, shihet se përdorimi më i madh i internetit është te klasat 8, 9 dhe 11. Sa i përket ndikimit negativ gjatë përdorimit të tepruar të internetit, përpos një numri shumë të vogël, të tjerët janë të vetëdijshëm për këtë ndikim. Opinionet e nxënësve lidhur me kohëzgjatjen e përdorimit të internetit, tregojnë se shumica e tyre internetin e përdorin disa orë. Nxënësit internetin e përdorin për të marrë njohuri, për lojëra të ndryshme, facebook. Krahasuar kohëzgjatjen e përdorimit sipas moshës, del se përqindja më e madhe e tyre janë të moshës 12-15vjeç dhe 16-19 vjeç dhe qëndrimi në internet gjatë natës është te moshat 16-19 vjeç.
Nga pyetjet hulumtuese kemi ardhur në përfundim se fëmijët kanë pengesa shëndetësore gjatë përdorimit të internetit. Është rritur në mënyrë dramatike qasja në internet dhe kjo u lejon fëmijëve të përfitojnë nga një edukim “online”, po kjo nënkupton edhe sfida shumë të mëdha, pasi që fëmijët kanë një qasje të madhe në përdorimin e internetit, ndaj duhet të ndërmerren hapa për të nxitur përdorimin e ndërgjegjshëm të internetit pasi edhe fëmijët janë përdorues të tij.
Çka duhet bërë ?
Duke pasur parasysh shfrytëzimin e internetit dhe rrjetit social nga ana e rinisë dhe fëmijëve, kryesisht për lojëra e rrjeteve sociale, me kontroll të vogël të prindërve, rekomandojmë që në kurikula shkollore, te lënda e Edukatës Qytetare, të parashihen tema të veçanta për dëmet dhe rreziqet nga shfrytëzimi i internetit për kohë të gjatë. Duhet të organizohen debate nëpër shkolla e qendra rinore, me tematika rreth kësaj problematike, sikurse duhet të ketë më shumë tema në media për përdorimin e tepruar të internetit.
Shkolla, mësuesit dhe autoritetet lokale duhet t`i kontrollojnë dhe parandalojnë fëmijët që të futen në faqe pornografike. Prindërit duhet të njoftohen për iniciativën e ndërmarrë nga Microsoft për shpërndarjen e një aplikacioni që quhet “Parental control”, përmes të cilit mund të kontrollojnë kohën e përdorimit të internetit nga fëmijët e tyre.
(Autorja është Mr. Sci – Menaxhment spitalor dhe shëndet publik)