Shemsedin Pira për Sabit Maliqin: Lamtumirë mik!

Gjilan – Çuditërisht, pranverë dhe ftohtë. Por, më ftohtë është në zemrat e juristëve Gjilanas dhe Anamoravës, sepse papritmas u nda nga jeta kolegu dhe miku ynë i shtrenjtë Sabit Maliqi. Thuhet se historia është koha, por jo çdo kohë është histori. Megjithatë, koha e historisë së drejtësisë Gjilanase pas luftës identifikohet me emrin e ish prokurorit publik të Qarkut të Gjilanit, juristit të nderuar Sabit Maliqi.
Ai, në kohërat e mjegullave të trazuara, kur kriminaliteti kishte lëshuar rrënjë pothuajse në çdo pore të jetës, në kohën kur krimi ishte rritur në sasi dhe cilësi, në kohën kur drejtësia ndodhej nën presionin e vazhdueshëm të opinionit publik në kontestin negativ të saj, ai si prokuror, jo vetëm që i patrembur e luftoi krimin, por me tërë integritetin e tij intelektual dhe moral e rriti profesionalizimin në prokurori, duke e vënë në binar të drejtësisë.
Prandaj, atij më së miri do t’i atribuohej thënia e lashtë latine:”Fiat justitia et peneat m undus”(Le të fitoi drejtësia dhe le të përmbyset bota).
Provat dhe faktet janë si bora:”Sa ma lehtë që bien aq ma shumë zënë vend”, kështu thoshte akademiku i nderuar Esat Stavilevci. Prandaj, aktakuzat e përpiluara dhe ankesat e prokurorit Sabit Maliqi, jo vetëm që mbështeteshin në këtë parim, por ishin kreative në formulim ndërsa ai ishte i guximshëm intelektualisht në qëndrim.
Kaherë është thënë se fjala është më e fortë se shpata. Fjala në historinë e njerëzimit mëse një herë tregoi forcën e vet edhe më të fortë se çfarëdo armë luftarake. Dikush tha se fjala e shkruar e Marksit më shumë e ndërroj botën sesa shumë gjeneral ç’arritën me gjak e shpatë.
E, Zola me fjalën e tij “Akuzoj”,jo vetëm ndërroi procesin e Drajfusit, po-gati ndërroi tërë sistemin e atëhershëm juridik në Francë.
Prandaj arma më e fortë e prokurorit është prova, fakti dhe fjala. Dhe para se të shqiptoj fjalën “Akuzoj “, duhet të jetë i bindur se provat e grumbulluara të jen një aksiom e kulluar.
Duhet të ketë gjithnjë në mendje maksimën e lashtë juridike: “Se ma mirë është t’i lirosh 100 të fajshëm se sa të dënosh një të pafajshëm”.
Të gjitha këto ish prokurori Sabit Maliqi i zbatoj me profesionalizëm dhe përpikëri, prandaj ai do të mbetet model për gjeneratat e reja. Kam pasur fatin që ish prokurorin Sabit Maliqin ta kem koleg, por edhe shok, pra të shoqërohem shpesh me te.
Në jetën private ka qenë një altruist i vërtetë i patrembur ndaj çdo lloj idimidimi si dhe kritikues i rreptë i çdo lloj sofistike.
Adhurues i madh i arsimit që dëshmohet se fëmijët e tij i arritën majat arsimore.
Modest çdo herë dhe kudo, asnjëherë nuk ka kërkuar të duartrokitet për sukseset e punës së tij.
Gjithmonë në çdo veprim jetësor ka zgjedhur të ecë rrugës së mesit, i vetëdijshëm se mesi përherë është i artë.
Vdekja e tij e papritur, ka lënë një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë tek familja si dhe te të gjithë kolegët dhe shokët e tij. Në kohë të fundit profesionin e avokaturës ku e ushtronte kishte rezultate evidente.
Prandaj me pikëllim të thellë, e me sy të mjegulluar nga lotët do të them: Lamtumirë shok i çmuar, prehu në paqe, lundro i lirë në përjetësinë tënde, me ata krahë që nuk mundi t’i thej askush, me atë fytyrë të bardhë që nuk mundi ta nxij askush ka shkruar Shemsedin Pira kryetar i Odës Regjionale në Gjilan./rajonipress/