Shefki Kuqi, trajner dhe pronar te skuadra finlandeze
Ish sulmuesi i mirënjohur kosovar, Shefki Kuqi, ka bërë një veprim të rrallë në futboll, duke u bërë me dy poste te skuadra finlandeze, PK-35 Vanta.39 vjeçari që në janar mori drejtimin e kësaj skuadre, për ta inkuadruar pastaj në elitën e futbollit në Finlandë, ka vendosur të bëhet edhe me një rol të ri të PK-35, duke u bërë bashkëpronar.
Kuqi tash e tutje pos punës së trajnerit, do të merret edhe me udhëheqjen e skuadrës, me ortakët e tij, Pablo Counago dhe Markku Hynninen.
Kjo marrëveshje është arritur ditën e premte, dhe do të hyjë në fuqi pas miratimit nga Federata e Futbollit në Finlandë, transmeton Republika.info.
Trajneri me prejardhje nga Vushtrria, që edicionin e ardhshëm do të drejtojë PK-35 në elitën e futbollit finlandezë, në skuadër ka disa shqiptarë, përfshirë ndihmësin e tij, Ilir Zeneli, dhe lojtarët Ymer Xhaferi, Albet Kuqi, Daut Kuqi dhe Altim Ademaj.
Do të jetë interesante për të parë Kuqin në dy role edicionin e ardhshëm, i cili si lojtarë ka luajtur në shumë skuadra, ndërsa dallohej për festimet e tij karakteristike.


