Shefja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë lavdëron Halitin për punët e mira në interes të të gjitha komuniteteve
Viti – Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në takim znj. Caroline Ziadeh, shefe e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), e cila e ka çmuar lartë punën e kryetarit Haliti në aspektin e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit ndëretnik, duke pasur parasysh që komuna e Vitisë është komunë multietnike dhe multifetare.
Poashtu ajo tha se Haliti ka arritur edhe të krijoj marrëdhënie shumë të mira me ambasadat, organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare e të tjerë.
Znj. Ziadeh u shpreh e gatshme për bashkëpunim dhe ndihmë të vazhdueshme me komunën e Vitisë.
Me këtë rast Haliti e ka njoftuar atë mbi zhvillimet e gjithëmbarshme në Viti, në veçanti mbi projektet e realizuara por edhe planet për të ardhmen në interes të të gjithë qytetarëve të kësaj komunë pa dallime.
“Komuna e Vitisë është një komunë multietnike dhe multifetare ku të gjithë pa dallime jetojnë në harmoni. Prandaj edhe ne si qeverisje lokale jemi të përkushtuar të realizojmë projekte gjithëpërfshirëse në interes të gjithëve, pa dallime nacionale e fetare”, u shpreh Haliti.
Gjithashtu kryetari Haliti e njoftoi znj. Ziadeh se së fundmi është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi me komunën e Kllokotit, duke thënë se Vitia vazhdimisht ju ka ofruar shërbime edhe banorëve të kësaj komunë në veçanti në fushën e intervenimeve emergjente./rajonipress/