Shaqiri vs Januzaj, çerekefinalja shqiptare evropiane
Mbrojtësi i titullit, Bayern Munchen do të përballet me Manchester United në çerekfinale të Ligës së kampionëve, ndërkohë që shorti i tërhequr në Nyon të Francës ka sjellë edhe ballafaqimin spanjoll ndërmjet Barcelonës dhe Atletico Madridit, për një vend në mesin e katër ekipeve më të mira të kontinentit të vjetër.
Takimi i ri ndërmjet Bayernit dhe Unitedit do t’i kthejë kujtimet e vitit 1999, kur skuadra e Alex Fergusonit bëri rikthesë të madhe në minutën e 90-të duke anuluar epërsinë fillestare të ekipit bavarez me dy gola të shënuar dhe shpallet kampione e Evropës. Këto dy skuadra janë takuar edhe dy hera të tjera në Evropë, në sezonin 2009/10 dhe 2000/01 dhe që në të dyja ato fitues ka dalë Bayerni.
Njëherësh ky ballafaqim do të jetë edhe derbi shqiptar i kampionëve të Eropës, ndërmjet Xherdan Shaqirit dhe Adnan Januzajt. Kjo do të jetë hera e parë që dy shqiptarë do të ndeshen ndërmjet tyre për një vend në gjysmëfinale të Ligës së kampionëve. Futbollistët shqiptarë edhe n ë të kaluarën janë përballur mes tyre në LK, por në fazat e mëhershme të kësaj gare prestigjioze.
“Fati ka dashur që të përballemi me njërin prej favoritëve të garës dhe kampionin në fuqi. Ndeshje e vështirë për ne, por duhet të shkojmë më tutje dhe përgatitemi për këtë sfidë. Nëse je tip tradicional, atëherë do të mendosh se po të zhvillosh ndeshjen e parë je humbës. Më duhet të them se nuk është ashtu. Do të mundohemi ta shfrytëzojmë ndeshjen e parë në shtëpi, para se të shkojmë në Munchen në ndeshjen e dytë dhe të krijojmë një epërsi të mirë”, tha trajneri i United, David Moyes.
Kapiteni i Bayern Munchen, Philip Lahm nuk është ndarë i kënaqur me shortin, edhe pse e pranon se United nuk po kalon një periudhë të mirë.
“Nuk duhet të lejojmë që të na mashtrojë pozita aktuale e Manchester United në Premier League. Do të shkojmë në Manchester të sulmojmë dhe shënjomë gola. Nuk mendoj se luan ndonjë rol të madh fakti që ndeshjen e parë e zhvillon jashtë”, tha Lahm.
Barcelona për një vend në katërshen e madhe si pengesë e ka rivalin në La Liga, Atletico Madrid. Ky do të jetë dueli i tyre i parë në garat e kupave të Evropës, edhe pse ato, viteve të fundit kanë qenë pjesë e tyre. Real Madridi do të sfidohet nga Borussia Dortmund, ekip të cilin deri më tashti tri herë e kanë mposhtur në Evropë, karshi dy ndeshjeve të humbura dhe tre barazimeve.
“Është një short i mirë. Ndoshta do të jetë një avantazh i vogël për ne pasi ndeshjen e parë do të luajmë në Madrid, por duhet të presim e të shohim. Definitivisht ne nuk do të dorëzohemi dhe do të kërkojmë kalim në gjysmëfinale, edhe pse përballë kemi një emër si Real Madrid”, tha trajneri i Dortmundit, Jurgen Klopp.
“Viteve të fundit kemi luajtur katër herë kundër Dortmundit dhe janë një ekip shumë i fortë. E di se nuk po ju ecën mirë në këtë sezon në kampionat, por megjithatë është një ekip që vështirë mposhtet”, tha drejtori i Real Madridit, Emilio Butragueno.
Njëri ndër takimet më interesante dhe paqarta do të jetë ai ndërmjet PSG dhe Chelsea. Kampionët francez deri më tashti nuk kanë dalë fitues nga takimet me Chelsea, derisa ekipi anglez e ka fituar një dhe një ka përfunduar me barazim. Ndeshjet e para çerekfinale zhvillohen me 1/2 prill, ndërsa ato të kthimit vetëm një javë më vonë. Ndeshja finale zhvillohet më 24 maj në Lisbonë të Portugalisë.


