Shaqiri ka nisur të tregojë potencialin që ka
Xherdan Shaqiri është i pandalshëm për mbrojtësit kur është në formën e tij më të mirë. Këtë më së miri e kanë kuptuar të shtunën mbrojtësit e Manchester Cityt.
Shaqiri ka lënë në hije yjet e Cityt derisa ka asistuar dy herë me dy pasime mjeshtërore në fitoren 2:0 të Stoke Cityt ndaj Manchester Cityt. Ndeshja i takoi xhiros së 15-të të Premier Leagues së Anglisë, ndërsa dy golat për Stoke Cityn i realizoi Marko Arnautoviq, shkruan sot Koha Ditore.
Shaqiri 24-vjeçar u shpall lojtar i ndeshjes. Ai më herët kishte shkëlqyer edhe në fitoren e Stoke Cityt ndaj Chelseat. Të shtunën, pasi vendosi ndeshjen, u zëvendësua në minutën e 77-të.
“Jam shumë krenar që e fituam këtë ndeshje. Ishte me rëndësi të fitojmë sot dhe me rëndësi të luajmë ndeshje të mirë dhe të bëjmë atë që trajneri ka dashur të bëjë me ne. Ne të gjithë luajtëm shumë mirë, kemi punuar fort si ekip dhe ky ishte një faktor i rëndësishëm për fitoren”, ka thënë Shaqiri për sajtin zyrtar të skuadrës.
Pas karrierës në Bayern e Inter, kalimi te Stoke City është vlerësuar hap prapa për yllin e Zvicrës. Ai ka pasur vështirësi të gjejë ritmin në disa ndeshje, por kundër skuadrave të mëdha, Chelseat e Cityt, është paraqitur fuqishëm.
http://koha.net/?id=6&l=87710


