RCCOLA

Sfida e Kosovës me MSA-në

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Kosova po merr hapin e saj më të madh deri më tani që e dërgon atë drejt anëtarësimit në familjen Evropiane, por gjatë të cilit rrugëtim ajo do të kalojë në procese, sfida të cilat me përpikmëri do t`i duhet të kalojë.

Kjo rrugë nis sot me fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) në mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, e cila shënon marrëdhënien e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së.

BE tashmë e ka caktuar që këto negociata të zgjasin deri në pranverën e vitit 2014, të nënshkruhen në atë kohë, dhe në fuqi të hyjë në fund të vitit 2014.

Zyrtarët e Qeverisë e vlerësojnë si ditë të madhe, ditë që dëshmon se agjenda evropiane e Kosovës është në rrugë të mbarë.

Se kjo datë është për tu vlerësuar lartë, e thotë edhe Shenoll Muharremi, njohës i çështjeve integruese në vend, por rruga që e përshkon këtë hap për të kaluar në tjetrin kërkon shumë punë e kohë mes të cilit siç thotë ai ‘ka male që duhet kaluar’.

“Nisja e negociatave për MSA është moment historik për shkak se është hapi më i madh deri më tani, pas të cilit vjen hapi tjetër që është aplikimi për anëtarësim në BE. Por, mes dy këtyre hapave mbetet një mal në mes, i cili mund të kalohet nëse Qeveria e Kosovës i ndërmerr reformat Evropiane”, tha Muharremi.

Ai thotë se me rëndësi është që Kosova të fokusohet në reforma përmes të cilave do përfitojnë qytetarët dhe bizneset kosovare, meqë MSA edhe ka karakter ekonomik.

Sipas tij, në pranverën e vitit 2014, kur Kosova të nënshkruajë MSA-në, i gjithë rajoni do të jetë më afër statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, që do të thotë se përmes këtij procesi, Kosova duhet me synu që në mënyrë të shpejt të ndërmerr reformat, për të zënë hapin me vendet e rajonit dhe në vitin 2017 me arrit me fitu statusin e kandidatit.

Hidromorava

“Kjo e sjellë Kosovën në një situatë më të favorshme, për t’i zënë fqinjët, në mënyrë që me kriju dhe me punu për një situatë ku i tërë Ballkani perëndimor të anëtarësohet si grup diku rreth vitit 2021”, u shpreh ai.

Por, me rëndësi është që gjatë negociatave për MSA, kur Kosova e Bashkimi Evropian përpilojnë draft marrëveshjet, qartazi duhet të thuhet se ‘synimi i afrimit të marrëdhënieve Kosovë-BE është anëtarësimi në Bashkimin Evropian’.

Entuziaste se Kosova po hyn e përgatitur në këtë proces, shprehet Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane.

“Përfitimet e MSA-së janë në shumë nivele, si në atë ekonomik dhe politik. Para së gjithash, MSA shënon marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, e këtë marrëveshje e arrijnë vetëm shtetet që potencialisht mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha ajo, e cila shtoi se negociatat Kosova do t’i përfundojnë në afat rekord, ndërsa përmendi edhe përfitimet që do të vijnë pas nënshkrimit të marrëveshjes ku Kosova do të përfitojë fonde nga BE, rreth 100 milionë euro.

Sipas njoftimit të zyrës së BE-së në Kosovë, këto negociata do t’i kenë 3 apo 4 raunde të bisedimeve që do të kryesohen nga dy kryenegociatorët, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Departamentit për Zgjerim, Joost Koorte, dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku), ku do punohet mbi: lëvizjen e lirë të mallrave, krijimin, ofrimin e shërbimeve dhe lëvizjen e kapitalit; Përafrimi i ligjeve, zbatimi i ligjit dhe rregullat e konkurrencës; dhe politikat e bashkëpunimit dhe bashkëpunimi financiar.

Thaçi: Kosova është futur në rrugën e BE-së

“Tani Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ky moment kërkon reflektim nga ana jonë dhe është përgjegjësi shtesë që ritmi i punës të jetë edhe më i shtuar dhe përkushtimi asnjëherë të mos mungojë”, tha Thaçi në takimin e përbashkët të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit./zeri/