Fundamenti

Sërish rigjykohet grupi i 12 ish policëve kufitar

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Të enjten gjykatësi i rastit Hasan Sadiku për shkak të vjetërsimit të lëndës dhe parashkrimit absolut, ka ndërprerë nga ndjekja e mëtutjeshme Nexhat Dakun, Bajram Novobërdaliun dhe Shefik Bashën.

Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rigjykim rastin e 12 policëve kufitar të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti. Avokati Shemsedin Piraj tha se ky vendim ka konstatuar se ka pasur shkelje dhe parregullsi të procedurave penale.

Të enjten gjykatësi i rastit Hasan Sadiku për shkak të vjetërsimit të lëndës dhe parashkrimit absolut, ka ndërprerë nga ndjekja e mëtutjeshme Nexhat Dakun, Bajram Novobërdaliun dhe Shefik Bashën.

Të arrestuar në nëntor të vitit 2009 dhe të akuzuar e dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe moslajmërim të kryesve të veprës penale, 12 ish policët kufitarë tani janë paraqitur sërish para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan që po e kryeson Hasan Sadiku.

Në fakt qysh në seancën e parë trupi gjykues ka liruar nga ndjekja e mëtutjeshme tre të pandehurit Nexhat Daku, Bajram Novobërdaliu dhe Shefik Basha.

Avokati mbrojtës i Nexhat Dakut, Shemsedin Piraj tha për rajonipress se ndjekja është ndërprerë ndaj këtyre tre ish policëve për shkak të vjetërsimit të lëndës dhe përshkrimit absolut të saj.

Mobi Casa

Piraj tha se ky grup i ish policëve është dashur të pret katër vite për të ardhur deri tek ky vendim edhe pse gjykimi do të vazhdojë ndaj katër policëve të tjerë.

Ndryshe kryetari i trupit gjykues të Gjykatës Supreme Avdi Dinaj ishte marrë vendim që rastin e ish policëve ta kthejë në rigjykim për shkak se aktgjykimet ndaj tyre janë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.”Meqë aktgjykimi i shkallës së dytë përmban shkelje esenciale të karakterit absolut të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimi i kundërshtuar u anulua, kurse çështja i kthehet gjykatës së shkallës së dytë për rivendosje, me vërejtjen që në rigjykim të eliminohet shkelja e lartpërmendur” thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Ndryshe grupi i ish policëve ishte dënuar dhe shpallur fajtor nga ish Gjykata Komunale e Gjilanit në vitin 2010, me arsyetimin se tek shtatë të akuzuarit janë gjetur prova dhe janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 – 5 muaj, derisa tek gjashtë të akuzuarit e tjerë, përfshirë këtu edhe një oficer policie, në mungesë të provave janë shpallur të pafajshëm.

Sipas aktakuzës dhe sipas dënimeve për të akuzuarit gjykata kishte shqiptuar dënimet për , Bajram Ramadanin me 5 muaj, Dragan Jovanoviqin e ka liruar, Berat Abdullahun me 5 muaj, Dragan Cvetanoviqin me 5 muaj, Nexhat Dakin me 2 muaj, Skënder Shalën me 3 muaj, Bajram Novobërdaliun me 3 muaj , Refik Bashën me 2 muaj, Miodrag Raiqiqin e ka liruar, Fatmir Idrizin e ka liruar, Bajram Gashin e ka liruar, Nadije Abdullahun e ka liruar dhe togerin Besim Kryeziun i cili mbrohej në liri gjithashtu e ka liruar.

Në të gjitha seancat gjyqësore të gjithë policët e dyshuar i kanë mohuar akuzat derisa prokuroria pati ofruar fakte dhe argumente për përfshirjen e tyre në raste të veçanta në pikat kufitare në rajonin e lindjes.

Policët e dyshuar akuzoheshin se kanë marrë ryshfet për të kaluar mallrat ilegalisht nëpër pikat kufitare si alkool , kafshë, cigare dhe të gjitha këto mitë marrje ishin të incizuara dhe të filmuara. /rajonipress/