UBT

Serbia nuk vendos për “Trepçën”

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Marrëveshja e nënshkruar në mes kompanisë amerikane dhe Qeverisë së Serbisë për minierën “Trepça” është e kundërligjshme dhe si e tillë cenon integritetin territorial të Kosovës. Ky është shqetësimi që kanë ngritur të enjten gjatë seancës plenare deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët tërhoqën vërejtjen se Beogradi zyrtar nuk mund të vendosë për pasurinë e shtetit të Kosovës.

Lajmi i plasuar ditë më parë nëpër media për nënshkrimin e një marrëveshje në mes Konsorciumit amerikan “New Generation Power” dhe ministrit të Resurseve Natyrore dhe Minierave të Serbisë, Millan Baçeviq, për “Trepçën” ka shtyrë kryeparalamentarin Jakup Krasniqi dhe grupet parlamentare opozitare të reagojnë. Krasniqi tha se është e vërtetë e madhe se “Trepça” nuk është unike duke marrë parasysh se udhëhiqet nga dy drejtorë, por, sipas tij, veprimi i parë që duhet të ndërmerret është që kjo minierë duhet ta ketë vetëm një udhëheqës. “Trepça duhet të bëhet një”, ka thënë ai, duke rikujtuar se nuk mund të bëhet privatizimi i minierës së “Trepçës” pasi që për një gjë të tillë nevojiten 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit.

Në të kundërtën kryekuvendari Krasniqi tërhoqi vërejtjen se çfarëdo forme tjetër e privatizimit të kësaj miniere do të jetë vazhdim i kriminalizimit të jetës politike në Kosovë. Sipas tij, tradita e faljes së pasurisë publike duhet të ndërpritet një herë e përgjithmonë, përndryshe, tha Jakup Krasniqi “ne marrim përgjegjësi për të sotmen edhe për të ardhmen e këtij vendi”. Kryekuvendari ndërkaq ka folur edhe për dorëheqjet e fundit në AKP. Sipas tij, këto dorëheqje nuk kanë të bëjnë me proceset e parregullta të privatizimit, por siç deklaroi ai, me atë që duhet të privatizohet.

Fundamenti

Nga ana tjetër, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sadri Ferati, është shprehur i shqetësuar me heshtjen e qeverisë së kryeministrit Thaçi karshi të ashtuquajturës marrëveshje të arritur në mes konsorciumit amerikan dhe qeverisë së Beogradit. “Presim kthimin e kryeministrit që të sqarojë se a është Brukseli në pyetje, apo është thjesht veprim ilegal që është bërë në Beograd”, ka thënë ai, duke shtuar se në të kundërtën nevojitet veprimi i Kuvendit, nëse jo i ministrisë përkatëse, AKP-së, atëherë duhet të reagojë Dhoma e Veçantë.

Edhe shefi i grupit parlamentar të “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, ka shprehur shqetësimin për të ashtuquajturën marrëveshje midis kompanisë amerikane dhe Qeverisë së Serbisë për “Trepçën” duke thënë se kjo vjen si pasojë e veprimeve dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës dhe negociatave në Bruksel. Pas shqetësimeve të ngritura nga deputetët e Kuvendit në foltore është paraqitur ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili ka sqaruar se me t’u kumtuar lajmi për një marrëveshje të tillë, kryeministri Thaçi menjëherë ka kontaktuar me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe siç tha ai, autoritetet në SHBA ia kanë bërë të ditur kompanisë amerikane që ka nënshkruar marrëveshje me autoritetet serbe, se Serbia nuk ka juridiksion mbi “Trepçën”.

Për Qeverinë e Kosovës, ka deklaruar Hoxhaj, një kontratë e tillë është e paligjshme dhe e paefektshme, derisa deklaroi se nëse ka nevojë do të reagohet me të gjitha mjetet juridike edhe në gjykatat ndërkombëtare më qëllim që kjo pasuri shtetërore të mbrohet. Deputetët e Kuvendit të Kosovës ndërkaq kanë debatuar për gjendjen e pyjeve në Kosovë, me ç’rast deputeti nga PDK-ja, Nait Hasani, ka ofruar detaje për shkatërrimin e qindra hektarëve të pyjeve nga zjarrëvënia, por që në mungesë të kuorumit, deputetët nuk kanë arritur t’i aprovojë rekomandimet për Qeverinë.(zeri)