Uji Dea

Së pari provat, pastaj fajtorët: Deklarata e dytë e ambasadorit Hovenier për sulmin në “Ibër-Lepenc” brenda pak ditësh

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Ambasadori i Amerikës, Jeff Hovenier, ka përsëritur qëndrimin se SHBA-ja dënon sulmin në “Ibër-Lepenc”.

Megjithatë, ai ka theksuar se së pari duhet të sigurohen provat, të kryhen hetimet, e më pas të gjenden fajtorët.

“Dua të shfrytëzoj rastin për të përsëritur atë që thashë në mbrëmjen e ngjarjes dhe atë që e tha pastaj edhe qeveria e SHBA-së: ne e dënojmë plotësisht këtë sulm të tmerrshëm në infrastrukturën kritike në Kosovë që kishte potencialin të përmbyste ndjeshëm jetët dhe të dëmtonte njerëzit duke ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike për një përqindje të caktuar të qytetarëve, duke ndikuar në furnizimin me ujë të një përqindje të qytetarëve.” – tha ambasadori amerikan.

Një sulmi i tillë, tha Hovenier, ishte “i pajustifikuar” dhe se “nuk ka asnjë kuptim në shekullin e 21-të.” Në dritën e kësaj ngjarje, ambasadori amerikan tha se është ende herët për t’u përcaktuar se kush qëndron prapa sulmit pa u mbledhur provat e mjaftueshme.

“Përkitazi me atë se çka dimë për atë që ndodhi, është ende shumë herët dhe siç e kam thënë javën e kaluar, që Shtetet e Bashkuara të jenë në gjendje të atribuojnë përgjegjësinë, duhet të kemi një varg mjaft të qartë provash. Ne mendojmë se do të gjenden prova, por ende nuk i kemi. Pra, hetimet po vazhdojnë; po kryhen nga autoritetet kosovare”, tha Hovenier.

Shtetet e Bashkuara, shtoi ambasadori, kanë ofruar mbështetje për autoritetet kosovare, përfshirë asistencën nga forcat amerikane të zbatimit të ligjit, për të siguruar që hetimet të jenë të besueshme dhe të drejta.

ARKATANA

“Mbrëmjen e sulmit dhe pastaj edhe më vonë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu ofroi autoriteteve kosovare mbështetjen e forcave amerikane të zbatimit të ligjit. Besoj se kolegët e mi evropianë kanë bërë të njëjtën gjë. Zyrtarët amerikanë po punojnë me homologët kosovarë në përpjekje për të kryer hetimet – hetime efektive. Ne besojmë se ato duhet të jenë të besueshme, të shpejta, të drejta, transparente dhe sigurisht, është pikëpamja e qeverisë amerikane që tashmë e kemi shprehur shumë fuqishëm se përgjegjësit për këtë sulm duhet të japin llogari. Momentalisht, nuk jemi në gjendje të themi se kush është përgjegjës”, tha ai.

Njëjtë, Hovenier kishte deklaruar edhe më 2 dhjetor.

“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”, tha ai.

I pyetur në lidhje me deklaratat e zyrtarëve të qeverisë se pas sulmit qëndron Serbia, Hovenier përsëriti dhe këshilloi që “të pritet derisa të kryhen hetimet” në mënyrë që të sigurohet mbështetje e plotë për t’i mbajtur përgjegjës shkaktarët e sulmit.

“Ne jemi të vetëdijshëm që qeveria e Kosovës ka, por këshilla jonë vazhdon të jetë, prisni derisa të kryhen hetimet dhe të keni rezultate të besueshme të tyre përpara se të ngarkoni dikë me përgjegjësi, sepse atëherë do të keni mbështetje nga të gjithë për t’u siguruar që përgjegjësit të mbahen përgjegjës”, tha Hovenier.