Schwendiman: Gjykata Speciale nuk është anti-shqiptare

Në intervistën e tij të parë që prej emërimit kryeprokuror i Gjykatës së re Speciale të Kosovës, David Schwendiman tha për BIRN se kriminelët e dyshuar janë objektivi i tij, e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Unë nuk jam për organizata apo etni. Unë po kërkoj përgjegjësi individuale për atë që është bërë,” tha David Schwendiman në një intervistë për BIRN.
“Nëse ky mesazh mbërrin qartë te njerëzit që preken nga kjo, atëherë ndoshta ata do të kuptojnë se gjykata nuk është pro-shqiptare apo anti-shqiptare, pro-serbe apo anti-serbe, por ne thjesht po bëjmë punën tonë,” tha ai.
Schwendiman është kryeprokurori në Zyrën e re të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e ngritur në Hagë me mandatin për të ndjekur penalisht krimet nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000.
Figura të larta të UÇK-së priten të akuzohen për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës me forcat serbe, edhe pse paditë e para janë ende në pritje.
Në Kosovë, gjykata shihet si e njëanshme duke qenë se do të gjykojë vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së – njerëz që perceptohen si çlirimtarë nga shumica e popullsisë etnike shqiptare në vend – ndërsa në Serbi, gjykata ka mbështetje të gjerë për shkak të shpresave se ajo do të ndjekë penalisht krimet kundër serbëve.
Por Schwendiman tha se mesazhi kryesor që ai donte të përcillte gjatë vizitës së tij të parë në Serbi dhe në Kosovë javën e kaluar ishte se ai do të jetë i pavarur dhe i lirë nga çdo ndikim politik.